Friday, September 10th, 2010

“Thyhet” Starova, autobusi niset sot drejt Pukës

Published on July 30, 2010 by stilltoni   ·   No Comments

Nuk është zgjidhur ende çështja e kontratave, lista përfundimtare me shumë pikëpyetje

Tirana do të niset sot drejt qytetit verior të Pukës për fazën përgatitore, ashtu siç e kishte parashikuar shefi i klubit, Rauf Dimraj. Dje, që në mëngjes, Dimraj dhe Starova janë nisur bashkë për në veri, për të inspektuar nga afër kushtet e akomodimit dhe të stërvitjes. Në fund palët kanë rënë dakord që faza përgatitore të zhvillohet në këtë qytet, pavarësisht kundërshtive të dy ditëve më parë të trajnerit Starova dhe sponsorit-president Refik Halili.

Në këtë mënyrë, Dimraj ka fituar betejën e parë ndaj “rivalëve” të tij, Strarova e Halili, duke i bindur këta të fundit për udhëtimin drejt Pukës. Gjithsesi, te Tirana ka shumë çështje të tjera të pazgjidhura, ndoshta më të rëndësishme se vendi i përgatitores.
Kontratat e pafirmosura: Janë ta paktën katër lojtarë titullarë që nuk kanë firmosur me Tiranën për sezonin e ri futbollistik.

Sina, Ahmataj, Nallbani dhe Pashaj kanë pritur ofertën e klubit, që u është bërë dje nga Dimraj. Lojtarët e kanë shprehur publikisht në sy të të gjithë skuadrës se nuk janë dakord me shifrën e ofruar nga Dimraj. “Ajo shifër nuk u shkon për shtat as lojtarëve amatorë. Nuk mund të pranojmë kurrsesi të nënshkruajmë me ato kushte financiare,” – janë shprehur lojtarët të pyetur për këtë çështje.

Sot, në orën 12:00, të gjithë duhet të jenë në klub për t’u nisur drejt Pukës, por vështirë se edhe ata që janë pa kontratë do të pranojnë ta nisin fazën përgatitore.
Vijon sherri për listat: “Nesër (sot) do të nisemi drejt Pukës, ndërsa për problemet e tjera do të diskutojmë sërish,” – ka shpjeguar shkurtimisht Starova nëpërmjet telefonit. Nga ana tjetër e receptorit dallohej një zë më i qetë se ai i dy netëve më parë.

Gjithsesi, mosmarrëveshjet mes palëve janë të mëdha dhe ndoshta do të duhen javë që ato të zgjidhen përfundimisht. Së pari, nuk është përcaktuar lista përfundimtare e lojtarëve të sezonit të ri. Dimraj nuk pranon që në këtë listë të jetë Vilfor Hysa, një nga të preferuarit e Starovës, ndërkohë që ka firmosur me lojtarë që Starova nuk i llogarit titullarë.

Dimraj nuk ka marrë parasysh në mënyrë kategorike kërkesën e Halilit dhe Starovës për rikthimin e Devi Mukës, ndërkohë që Abazaj mbetet për të zgjedhja e parë. Halili kërkon largimin e Ilion Likës, por ky i fundit ka nënshkruar me Dimrajn dhe merr urdhra vetëm prej tij.

Çështja “Plaku”, durimi po soset: A do të jetë Plaku pjesë e Tiranës për sezonin 2010-2012? Kjo mbetet çështja kryesore për t’u zgjidhur. Sulmuesi i ka dhënë afat Tiranës që problemi të zgjidhet deri sot, ndryshe do ta dërgojë çështjen në disiplinë.

Starova këmbëngul që Plakut t’i shlyhen detyrimet financiare dhe t’i plotësohen kushtet për sezonin e ri, por Dimraj nuk ka bërë asnjë hap para, duke lënë të nënkuptohet se është pro largimit të këtij sulmuesi. Sebino Plaku nuk mund të presë në pafundësi, aq më tepër që Flamurtari ia ka bërë gati ofertën dhe pret vetëm përgjigjen pozitive të tij.

“Thyhet” Starova, autobusi niset sot drejt Pukës


Tags:

Readers Comments (0)




Te ngjashme