14 trajneret e Superliges shprehen per tre javet e mbetura

Stanislav Levi (Skënderbeu): (Nuk u prononcua)

Hasan Lika (Teuta)

“Titulli kampion në tre javët e ardhshme do të diskutohet mes Teutës dhe Skënderbeut, i ndan vetëm një pikë ndaj kush gabon më pak do jetë dhe fitues i kampionatit.

Tirana e ka siguruar tashmë një vend në Kupat e Europës e pozicionuar e treta, ndërsa Flamurtari dhe Kastrioti do të luftojnë për pozicionin e katërt. Do të ketë një rivalitet mes tyre, ndoshta shoh paksa më të favorizuar Flamurtarin.

Në zonën e plejautit janë shumë skuadra që mund të rrezikojnë, duke nisur nga Bylisi, që pozicionohet i gjashti deri tek Pogradeci i vendit të 12-të. Por Kamzën dhe Pogradecin i shoh si skuadrat më të rrezikuara, pasi kanë më pak pikë dhe kanë një short të vështirë.

Së fundi, Apolonia dhe Dinamo kanë qenë skuadrat që kanë mbajtur pozicionet e fundit pothuajse gjatë gjithë kampionatit; do t’i duhen mrekulli për t’i shpëtuar rënies direkte”.

Hulian Rubio (Tirana)

“Për mendimin tim, situata në renditje nuk do të ndryshojë deri në përfundim të sezonit. Nuk mund të flas më tepër duke dhënë parashikime, pasi pozicioni që kam nuk ma lejon këtë”, ka deklaruar shkurtimisht spanjolli që drejton Tiranën.

Në fakt, një pjesë të përgjigjes së tij për verdiktet e sezonit, Rubio e dha që pas takimit me Dinamon, ku la të nënkuptohet se Tirana e tij ishte tashmë jashtë luftës për titull. Mbetet për të pritur tri javët e Teutës e Skënderbeut, ndonëse për spanjollin, korçarët do të jenë fitues.

Me këtë logjikë, do të jetë Flamurtari dhe jo Kastrioti në Eruropa Legua, çka automatikisht çon në rrëzimin e Dinamos, ngaqë blutë kanë “match-point”-in e parë të dielën pikërisht në Vlorë. Dhe duke qenë se po këtë ditë luhet Pogradeci-Apolonia, edhe fierakët mund të konsiderohen të larguar”.

Shkëlqim Muça (Flamurtari)

“Për titullin kampion mendoj se do të ketë garë deri në fund midis Skënderbeut, Teutës dhe Tiranës. Avantazhi i korçarëve me një pikë nuk është absolut, ndaj mund të pritet të vijojnë rokadat e deritanishme. Për Europa League, diçka është më e qartë: Skënderbeu dhe Tirana e kanë siguruar këtë të drejtë, qoftë si vende, por edhe për faktin se janë në finale të Kupës dhe njëra e fiton prej këtej, por dhe vendi i dytë që për momentin është Teuta. Mendoj që skuadër e tretë të jetë Flamurtari.

Vetë ngjeshja që ka në klasifikim një grup me shumë skuadra bën të themi se duhen pritur së paku dhe rezultatet e dy javëve të ardhshme për të folur më konkretisht për ato që do të shkojnë në ndeshjet shtesë. Dhe duke qenë se këtu mund të ketë lëvizje, e njëjta logjikë, pra pritja e dy javëve, vlen edhe për ato skuadra që do të bien direkt, pavarësisht se është një treshe momentalisht”.

Andrea Marko (Kastrioti)

“Ndalesa e Teutës i ka dhënë një shans të madh Skënderbeut, ndonëse nuk e shoh të përfunduar luftën për titull. Kjo sepse në tri javët e fundit, do të kenë përballje me skuadra që mund të kenë problematika të mprehta.

Në Europa League, përveç Teutës e Tiranës, është në lojë Flamurtari dhe skuadra që drejtoj. Rezervohem të flas, por është e detyrueshme të them se ne kemi shanse më të mëdha. Edhe ngaqë vijmë nga kahe të kundërta: ne nga fitorja në Peqin e ata nga humbja në Berat. Në zonën plejaut ka shumë ekuacione, por mendoj se më të rrezikuarat janë Shkumbini, Tomori, Kamza dhe pa dyshim Pogradeci. Me kampionatin që kanë bërë, nuk ke si paragjykon Vllazninë, apo dhe Bylisin, në këtë pozitë. Kjo do të thotë që për të rënë direkt janë Dinamo e Apolonia, ndonëse duhet pritur kjo e dielë që mund ta sqarojë shumë gjëra. Dinamo laun në Vlorë dhe prej këtej mund të zgjidhen shumë enigma”.

Armir Grima (Vllaznia)

“Përveç ekipit të Tomorit, që mund të sjellë ndryshime në ekipet e plejofit e ato që bien direkt, mendoj se ky kampionat do të mbyllet ashtu siç është aktualisht renditja. Kështu, Skënderbeu dhe Teuta janë ende në garë, por me gabimin e durrsakëve, korçarët janë favoritë për të dalë kampion. Besoj se dhe vetë tiranasit do të kenë hequr dorë, pasi do t’ju duhet të presin gabime dyshe që vështirë të ndodhin.

Përsa i përket zonës së Europës, skuadrat që mbajnë aktualisht vendet 1-4 nuk besoj se do të kenë ndryshime, sidmos kur flitet për pozicionin e fundit, atë 4, pasi tre të tjerët duken të pakapshëm. Ndërkohë që për të rënë nga kategoria nuk besoj se do të ketë shumë dilema. Këtu vetëm pozicioni në tabelë dhe matematika ma do të them se Vllaznia nuk ka të bëjë fare me këtë, ndërsa për dyshen që do të bjerë nuk pres mrekullira. Pra, në tërësi, unë i besoj klasifikimit”.

Naxhi Shensoi (Bylisi)

“Në radhë të parë, dua të vlerësoj formulën e zgjedhur që mban në garë të gjithë ekiupet edhe tri javë para përfunimit. Për titullin nuk preferoj të flas, për arsyen e thjeshtë se presim Skënderbeun këtë të diel. Në përfgjithësi mjaftohem të them se të tre ekipet kanë shanset e tyre. Për të zgjedhur mes Flamurtarit e Kastriotit, duhet pranuar fillimisht se të dy skuadrat kanë patur një trend devijues, pra nuk kanë qenë të qëndrueshme. Sidoqoftë, shoh të avantazhuar Flamurtarin. Për rënien: Dinamo i ka rritur shanset dhe mund të përfitojë nga përplasja direkte mes Pogradecit e Apolonisë, gjithnjë nëse ka sukses edhe në Vlorë.

E lashë për në fund plejautin, sepse është zona ku jemi dhe ne. Natyrisht nuk pranoj kurrsesi që të kemi ndeshje shtesë, pasi kemi zhvilluar një kampionat të mirë dhe që ndoshta kemi merituar më shumë”.

Përparim Daiu (Laçi)

Titullin kampion do ta fitojë Skënderbeu, pasi edhe pse është një pikë para kundërshtarit, do të dijë ta ruajë atë deri në fund. Përfitoi nga ndeshja jonë, por dua të theksoj edhe një herë që ajo fitore shërbeu për ne dhe jo për Korçën. Përsa i përket skuadrave që do të luajnë në Kupat e Europës besoj që, ashtu siç është renditja provizore, ashtu do të jetë edhe në fund të Kampionatit. Ekipet nuk mund të bëjnë çudira tani në fund të sezonit dhe Teuta, së bashku me Tiranën e Flamurtarin do të luajnë në Europë.

Fundi i tabelës është disi më i komplikuar. Ekipet që do të zhvillojnë një ndeshje shtesë, mendoj që do të jenë Pogradeci, Kamza dhe Tomori. Kampionati që kanë zhvilluar këto skuadra i shkon për shtat pozicionit të tyre, ndërsa ekipet që do të bien direkt nga kategoria do të jenë Apolonia dhe Dinamo. Tabela e klasifikimit nuk mund të ndryshojë lehtë në këto tri javë pasi gjithkush kërkon të ruajë veten”.

Kristaq Mile (Shkumbini)

“Nuk kam as dyshimin më të vogël se Skënderbeu mund të gabojë në këto tri javë të mbetura, kështu që e shoh që tani kampion. Jo vetëm për kalendarin, por se në tërësi korçarët kanë bërë një kampionat më të plotë dhe janë më bindës në ecurinë e tyre.

Përsa i takon pjesëmarrjes në Europa League, edhe pse Kastrioti mori tri pikë të çmuara ndaj nesh në fushën tonë, shanset mbesin sërish te Flamurtari, përveç Teutës e Tiranës. Këtë e them ngaqë mendoj se krutanët, me kontigjentin që kanë patur, duhet të kishin qenë më të qëndrueshëm në lojëra e rezultate.

E ngatërruar puna për ndeshjen shtesë, pasi ka ngjeshje por sidoqoftë dua të përjashtoj Vllazninë nga kjo “mesele”. Ndërsa për rënien direkte shoh vështirësi për Dinamon e ndoshta-ndoshta edhe për Apoloninë, duke qenë se ndeshjen vendimtare do ta luajë pikërisht në Pogradec”.

Ernest Gjoka (Tomori)

Them se, pa asnjë diskutim do të jetë Skënderbeu kampione e vendit. Ka një skuadër të formuar me futbollistë tejet cilësorë dhe me përvojë kampionësh, e favorizon edhe kalendari në tre javët e mbetura, pavarësisht emocioneve që do të ketë gara. Për Europa League jam i bindur se asgjë nuk do të ndryshojë nga sa flet renditja aktuale, Tirana, Flamurtari dhe Teuta. Tek skuadrat që do të diskutojnë plejofin, ju deklaroj me përgjegjësi se do të jenë Kamza dhe Pogradeci, ndërsa e treta, kushdo tjetër përveç Tomorit. Këtë nuk e them thjesht se jam në krye të kësaj skuadre, por sepse me ato skuadra që ka “përreth”, Tomori nuk duhet të diskutojë qëndrimin. Për skuadrat që do të zbresin direkt nga kategoria, s’kam as dyshimin më të vogël që ato do të jenë Dinamo dhe Apolonia. Keqardhje të sinqertë për këto dy skuadra tepër të njohura në futbollin tonë, por ecuria e tyre në kampionat çon në këtë përfundim”.

Mauro De Vekis (Kamza)

“Skënderbeu ka skuadrën më të fortë të kampionatit. Mendoj se do të fitojnë trendeshjet e fundit dhe do të rikonfirmohen kampionë të Shqipërisë. Është një skuadër e kompletuar dhe e kanë merituar vendin e parë në klasifikim. Ndërkohë që Teuta dhe Tirana janë skuadra shumë të mira që bëjnë një lojë të bukur, por dobësia e tyre e vetme është se mbështeten më shumë tek individualitetet.

Flamurtari mjaft mirë mund të ishte duke luftuar me Skënderbeun për titull. Kanë një skuadër të fortë dhe meritojnë të hyjnë në Kupat e Europës.

Në zonën plejaut dhe rënies direkte, ku ndodhet dhe skuadra e Kamzës, gjërat janë ende të hapura. Mendoj se ne dhe Tomori kemi ende shanse për të shpëtuar pa ndeshje shtesë.Për rënien direkte mendoj se Apolonia është më e fortë se skuadra e Pogradecit. Nëse të dyja skuadrat dalin barazim këtë javë, Dinamo ka ende shpresa për të shpëtuar”.

Ylli Çekiçi (Pogradeci)

“Me shansin e humbur në ndeshjen e fundit kundër Laçit, ekipi i Teutës është jashtë lufte dhe besoj që tashmë Skënderbeu nuk mund ta lërë t’i ikë përduarsh titulli kampion. Në këtë logjikë, Tirana mund të konsiderohet jashtë. Për zonën Europiane mendoj se Kastrioti i ka të gjitha mundësitë për të kaluar, jo vetëm nga fitorja e fundit dhe “dështimi” i Flamurtarit, por edhe sepse kalendari e favorizon. Për zonën plejaut, dyshimi i vetëm është midis Pogradecit dhe Apolonisë dhe besoj se kjo do të qartësohet të dielën, në duelin direkt që kemi me ta. Nuk nxitohem, por natyrisht i besoj skuadrës sime. Bashkë me ne, besoj se do të jetë Kamza me Tomorin, që do të plotësojnë treshen e plejautit. Për rënien direkte, unë jam i bindur që do të jetë Apolonia me Dinamon ekipet që do të zbresin një kategori më poshtë. Më saktë, Dinamo është e rënë, pavarësisht tolerimeve që mund t’i bëhen në këto 3 takime të mbetura”.

Dhimitër Papuçiu (Apolonia)

“Po e nis nga fundi: Apolonia do të jetë në plejaut. Kjo do të thotë se ne do ta kemi ndeshje të jetës, këtë të së dielës në Pogradec dhe do të jenë këta të fundit dhe Dinamo që do të bien”.

Nuk dua të bëj hipokritin: e shoh Skënderbeun kampion, ndoshta edhe ngaqë gjykoj se e ka merituar si skuadër me kontigjent më të plotë e me organizim shumë më të mirë. Po kështu, nuk kam dilema për skuadrën e tretë të Europa Leagues:do të jetë Flamurtari, para Kastriotit. Kjo edhe ngaqë mendoj se Flamurtari mund të kishte shkuar shumë më lart, nëse do të kish eliminuar zigzaget e panevojshme.

Në zonën plejaut parashikoj përmbysje të mëdha, që fillojnë nga futja e skuadrës sonë në këtë zonë. Për të tjerët s’mund të flas e ndoshta është më mirë të mos e bëj këtë në këtë koment”.

Artan Mërgjyshi (Dinamo)

“Për titullin kampion, duke u nisur nga shprehja që “të shkojë haka te i zoti”, mendoj se i takon Skënderbeut. Sigurisht që edhe kandidaturat e tjera si Teuta, apo Tirana, mund të ishin prezente, por për mua, në tërësi e nga të gjithë komponentët, e meriton skuadra korçare.

Sipas logjikës së gjërave, bashkë me treshen e parë (njëra për Champions), në Eurpa League i takon Flamurtarit, por me dëshirën time do të kisha qejf që të ishte Kastrioti. Është një skuadër krejt ndryshe nga sezonet e shkuar dhe se përgjithësisht ka bërë një sezon, përfshi edhe Kupën, që meritonte diçka më shumë. Për zonën plejaut mendoj se do të jenë Dinamo, Tomori dhe Kamza. Kurse për rënien direkte, edhe pse më vjen keq, jam i mendimit që i takon Pogradecit dhe Apolonisë. E kuptoj reagimin e të tjerëve, por fitorja në derbin me Tiranën, përveç pikëve, na ka dhënë edhe moral për më tej. Do të luftojmë deri në fund për këtë”.

Categories: Sporti Shqiptar
This post was written by , posted on April 28, 2012 Saturday at 2:26 pm
  • DEHIMA BARDHUL says:

    FORCA SHKUMBINI TI JE ZEMRA JONE ROLAND DERVISHI DO TE FITOI KEPUCEN E ARTE DHE BESNIKET DO TE JENE FITUSIT TIFOSET ME TE EDUKUAR FORCA BESNIKET

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>