Ka nisur në mënyrën më të keqe kampionati në “Ruzhdi Bizhuta”, teksa mund të ndalej edhe ndeshja
Elbasani dhe Tirana kanë ndarë nga një pikë në takimin e javës së parë të kampionatit luajtur në “Ruzhdi Bizhuta”. Pavarësisht dëshirës së ekipeve për të marrë maksimumin, duhet thënë që barazimi në fund ka kënaqur me shumë verdheblutë, të cilët luajtën me dhjetë lojtarë pas gjysmës së pjesës së dytë, kur doli me karton të kuq Hetlem Çapja.
Ndërsa Tirana e Sulejman Starovës largohet nga stadiumi i Elbasanit me pishmanin që nuk mundi të marë maksimumin, në një transfertë që gjithsesui konfirmohet si një nga më problematiket për ekipin bardheblu. Elbasani nga ana e vet u shfaq me dëshirën e mirë për të bërë maksimumin para tifozërisë së vet, që kësaj radhe e teproi, madje gjestet antisporive për pak sa nuk anuluan takimin, pasi sende të forta u hodhën në fushë.
Nga ajo që u pa në fushën e lojës duhet thënë që trajneri Alimehmeti ka ende punë për të bërë me ekipin në drejtim të gjetjes së alternativave. Tirana e nisi takimin më mirë, falë disa individëve më cilësorë në skuadër. Pas një rasti të mirë të Bakiut në fillim, Tirana përgjigjet me Osmanin dhe Pejiç, por pa shënuar. Elbasani në minutën e 23-të pretendon për penallti, kur Idrizi pengohet në zonë. Goli për verdheblutë nuk vonon, pasi 6 minuta më vonë Ramazani pason bukur për Ristevskin, i cili i ardhur nga mbrojtja shënon me kokë.
Goli u jep zemër elbasanasve, të cilët korrigjojnë ndjeshëm lojën dhe fillojnë të kenë epërsi ndaj Tiranës. Këta të fundit u besojnë më shumë goditjeve standarte nga ku Malindi mund të kishte shënuar. Fraksioni i dytë nis me një lojë të barabartë. Më pas Starova e bën më sulmues ekipin e tij, duke hedhur në fushë Babajn dhe Abazajn, për Sinën dhe Mailindin. Atë që nuk e bën dot me lojë të rrjedhshme, Tirana e bën me goditje standarte, ku pas një goditje nga flamuri i këndit, në zonën e Elbasanit bëhet një rrëmujë, që detyron Çapjen ta prekë topin me dorë.
Kryesori Cjapi është i vendosur për penallti, por jep sinjal për gjuajtjen e penalltisë, duke harruar që Çapja nuk kishte dalë ende nga fusha. Anësori Lamçe e vë re këtë gjë dhe anulon golin e Lilës. Megjithatë, në tentativën e dytë sërish Andi Lila arrin të barazojë shifrat. Në vazhdim loja tensionohet dhe ndërpritet dy herë, pasi hidhen bidona në fushë dhe goditet anësori Çokaj, si pasojë e irritimit të tifozërisë.
Në pjesën e mbetur të takimit Elbasani vetëm mbrohet, ndërsa Tirana, edhe pse krijon tre raste, nuk shënon. Për t’u theksuar, dy pritje fantastike të Llanit. Mbyllet 1-1 pas një ndeshje të fortë e të tensionuar, por të dy ekipet treguan se kanë ende punë për të bërë.
/sportishqiptar/
Tags: Elbasani–Tirana, kryesori-cjapi, ruzhdi-bizhuta, superliga