Sulmuesi shkodran nga Turqia deklaron se të rinjtë mund t’i bëjnë shumë ekipit kuqeblu
Në sezonin e kaluar nuk e nisi si titullar te Vllaznia, ashtu siç po i ndodh edhe aktualisht me turqit e Gençlerbirligisë. Megjithatë, nuk mërzitet. Bekim Bala pret momentin e tij. Te kuqeblutë i erdhi shpejt vjet dhe ai e shfrytëzoi në maksimum, duke u shndërruar në lojtarin lider të tyre.
Si rrjedhojë, në verë ka realizuar transferimin e bujshëm në Turqi. Pavarësisht se larg, Bala është në kontakt me çdo gjë që ka të bëjë me Vllazninë. Përkrah idenë e aktivizimit të lojtarëve të rinj dhe njëkohësisht mendon se skuadra e tij e zemrës do të jetë pretendente në sezonin e ri.
Bekim, kampionati turk ka filluar javën e shkuar. Ju nuk keni luajtur. Pse?
Në javën e parë të kampionatit ekipi im luajti në transfertë dhe barazoi 0 0. Trajneri nuk e pa të arsyeshme që unë të isha pjesë e skuadrës dhe prandaj qëndrova në Ankara. Gjatë këtyre ditëve kam pasur një bisedë me trajnerin e ekipit dhe ai më këshilloi të vazhdoja punën, sepse do të vinte shpejt edhe momenti që unë të jem në fushë.
Nga kampionati shqiptar keni bërë një kapërcim të rëndësishëm, duke kaluar në atë turk. Çfarë ndryshimesh vini re?
Ndryshimet janë shumë të mëdha, në të gjitha drejtimet. Këtu ka më tepër zhvillim të futbollit. Të gjitha skuadrat investojnë shuma të mëdha çdo sezon dhe, për rrjedhojë, kanë organika të fryra, aq sa është shumë e vështirë të zësh një vend në formacion.
Përpos kësaj, stërvitja që zhvillohet në Turqi është shumë e fortë në aspektin fizik. Imagjino, vitin e kaluar stërvitesha te Vllaznia me një apo dy seanca në ditë, ndërkohë që këtu çdo ditë ka nga tre seanca. E kisha të vështirë të përshtatesha në fillim, por dalëngadalë po mësohem dhe po kap ritmin e grupit.
Do luani këtë javë?
Këtë javë presim në fushën tonë Gaziantepsporin dhe ende nuk e di nëse trajneri do më përfshijë në ekip. Megjithatë, nuk e kam shumë mendjen aty. Unë po vazhdoj të punoj me shumë dëshirë dhe momenti im do të vijë një ditë.
Ju mungon skuadra shkodrane, qyteti, tifozët?
Sigurisht që më mungojnë shumë. Mbase transferimi im erdhi pak më shpejt sesa duhet, por shanse të tilla të vijnë një herë në jetë dhe nuk mund ta refuzoja. Vllaznisë i detyrohem shumë, sepse është skuadra ime e zemrës, është skuadra që më dha emër.
Trajneri Radonjiç po u jep shumë hapësirë lojtarëve të rinj…?
Për të luajtur në skuadra të tilla si Vllaznia, një herë të jepet shansi dhe duhet ta shfrytëzosh. Jam në kontakt çdo ditë me ish shokët e mi të skuadrës kuqeblu dhe ata më tregojnë për çdo gjë. E mira është që lojtarëve të rinj t’u jepet hapësira, është e domosdoshme, por kjo duhet bërë pa i vënën nën presion në ndeshjet e para.
Keni luajtur disa vite me disa prej këtyre lojtarëve. Cili mendoni se do të bëjë vend në skuadër në sezonin e ri?
Hasani, për shembull, është një djalë shumë i mirë dhe i talentuar dhe natyrisht që duhet të ecë përpara. Po ashtu, edhe Sykaj e Djepaxhija mendoj se do të bëhen protagonistë këtë sezon, pa lënë mënjanë edhe ndonjë emër tjetër.
Meqë e keni ndjekur atë ç’ka ndodhur te Vllaznia kohët e fundit, e mendoni atë pretendente?
Vllaznia ka qenë gjithmonë pretendente dhe besoj se e tillë do jetë edhe në sezonin e ri. Presidenti Fushaj ka shpenzuar jo pak në merkato dhe prandaj skuadra duhet t’ia shpërblejë.
/sportishqiptar/
Tags: Bekim-Bala, gaziantepsporin, gjitha-skuadrat, kampionati-turk, vllaznia