Sot, ekipi i Shkumbinit do të ketë një përballje me ekipin e Flamurtarit të Vlorës, në qytetin e Strugës. Deri më tani, bardhekaltërtit kanë zhvilluar tre ndeshje duke shënuar vetëm fitore në to. Ndonëse me ekipin serb takimi ka qenë me shumë rivalitet, synimi për të parë Shkumbinin e vërtetë është pikërisht në këtë ndeshje ndonëse ajo mbetet në kuadrin e një miqësoreje. Një prej lojtarëve kryesorë të afruar në merkaton e verës kavajasi, Bekim Kuli mendon se puna e ekipit si dhe forca që po e karakterizon do të jenë një provë e forte, për të patur një Shkumbin në synimet e drejtuesve të klubit.
“Kemi dy javë të lodhshme këtu në shtetin fqinj dhe padyshim që gjithçka duket se po ecën sipas planifikimeve të drejtuesve tanë. Dy seanca stërvitore në ditë janë një punë e rëndësishme për të arritur parametra të lartë fizikë. Ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar nuk kanë qenë një test për të treguar forcën tone, por më shumë për një argëtim, shlodhje. Nga ana tjetër jemi duke u njohur edhe më shumë me lojën e njëri tjetrit e cila po shkrihet në një në dobi të lojës kolektive për rezultatet e ekipit. Mendoj se mënyra me të cilën është duke punuar trajneri me ne ka aspektin e vet pozitiv për formimin e frymës së grupit në ekip. Përsa i përket lotarëve mendoj se ka një numër thuajse të plotësuar lojtarësh në të gjitha repartet. Mendoj se çdo lojtar i ekipit nuk është aspak i tepërt dhe se në çdo moment është i dobishëm dhe i domosdoshëm për ekipin”.
Ndeshja me Flamurtarin – “Do të jetë një takim sa miqësor, por edhe një takim prove. Prania e një trajneri peqinas na bën që ta mendojmë si një përballje shumë miqësore midis nesh. Po ashtu mendoj se duke qenë se ekipi i Flamurtarit është vërtet një ekip që ka bërë investime dhe ka pretendime në këtë sezon. Kjo ndeshje do të jetë një provë e rëndësishme për të parë anët pozitive, por edhe ndonjë situatë që mund ta përmirësojmë. Ndërsa për rezultatin po ju them me bindje se nuk përbën asnjë rëndësi, pasi ajo për të cilën gjenden ekipet në përgatitore është përgatitja për në kompeticionet reale”, ka përfunduar mesfushori Kuli.
Sportekspres
Tags: kuli, lojtaret, sportekspres