Kavajasin e presin të qetë dhe të sigurt sfidën me Skënderbeun
Besa, ndryshe nga të tjerat, e ka bërë prezantimin e saj zyrtar. Nëse ekipet e tjera dje dhe sot realizojnë paraqitjen e tyre të parë zyrtare dhe sigurisht ka shumë kuriozitet, verdhezinjtë nisën sezonin me trofeun e Superkupës. Sigurisht, kjo ka rritur ndjeshëm besimin dhe optimizmin te grupi i ri i këtij sezoni. E vetmja mungesë vijon të mbetet ajo e Betim Alijut, mbrojtësit të djathtë, që u operua në menisk. Sot Aliju pritet t’i bashkohet grupit. Takimi i parë i hapjes së këtij sezoni ndaj korçarëve ka disa risi, të cilat pritet të ndikojnë direkt në mbarëvajtjen e takimit. Kështu, do të luhet në tapetin e ri, që do të përurohet pikërisht ndaj korçarëve. Së dyti, jo pa kuriozitet pritet dyluftimi mes sulmit vendas e mbrojtjes mike, ku thënë më saktë, midis sulmit totalisht të ri kavajas, me Dos Santosin, Haxhibuliçin e Cikalleshin, dhe ish-mbrojtësve të Besës, Dragusha, Vrapi, Fagu me në krye Shehin në portë. Ky i fundit, i cilësuar portieri më i mirë i superligës, pritet të jetë një pikë e fortë e miqve. Dje trajneri Duro preferoi të zhvillonte stërvitjen paradite, që ai vetë dhe futbollistët të ndiqnin Dinamon, kundërshtarin e ardhshëm të Besës javën e dytë. Para seancës stërvitore, por edhe pas saj në grupin verdhezi, askush nuk e diskutonte fitoren me Skënderbeun nesër. Të gjithë e quanin “detyrë shtëpie” nisjen e sezonit me tri pikë, duke parashikuar të njëjtin fat edhe për Dinamon në Tiranë. Sipas tyre, në katër javët e para, ndaj Skënderbeut nesër, Dinamos në transfertë e përsëri dy takimet brenda, me Flamurtarin e Teutën, Besa kërkon të marrë maksimumin e pikëve, pra 12. Nëse vërtet ndodh kështu, atëherë duhet pritur ndoshta me javë se kush do të ketë fatin ta thyejë Besën në fazën e parë. E që kjo të ndodhë, duhet nisur nga Skënderbeu, të cilin verdhezinjtë i kanë shënuar tashmë tri pikë në javën e parë.
/sportishqiptar/
Tags: besa