Klubi kavajas mund të paguajë 40 milionë lekë të vjetra për të rikhyer tifozët
Dy javë më parë tifozët e Besës u dënuan të mos ndjekin ekipin e tyre të zemrës për 4 javë rresht. Kjo pas vendimit të komisionit të disiplinës për moslejimin e zhvillimit të takimit Besa Skënderbeu. Ndërsa klubi i Besës u dënua me 10 milionë lekë të vjetra gjobë.
Në zbatim të kësaj mase, duke nisur nga kjo javë, ku Besa pret Flamurtarin në shtëpi, shkallët e stadiumit Besa duhet të jenë të boshatisura. Pak ose fare pak nga tifozët, por nëse s’gabojmë, edhe drejtues të klubeve nuk e njohin rregulloren e re që ka hyrë në fuqi këtë sezon. Nga burime të rezervuara pranë, mësojmë se dënimi i fushës pa tifozë mund të konvertohet edhe në vlera monetare, që i afrohen shumës 40 milionë lekë të vjetra. Pra, sqaruar më qartë, Besa, nëse derdh pranë arkës së FSHF-së shumën prej afërsisht 40 milionë lekë të vjetra, tifozët verdhezinj do të mund të ktheheshin në stadium që në sfidën ndaj Flamurtarit. Ky lajm mund të gëzojë pa masë fansat verdhezinj dhe pak më tepër ata të cilët vuajtën plot 72 orë në qelitë e paraburgimit në Tiranë. Të gjithë do të kenë mundësi të shohin përsëri Besën e tyre.
Kur llogarit që Besa do të presë Flamurtarin kryesuses, atëherë dëshira e tifozëve dhe nevoja e ekipit për mbështetjen e tyre bëhet akoma më e madhe. Nuk dihet se ku do të gjenden 40 milionë lekë, kur Bizhdili nga ana e tij do të paguajë gjobën e vet prej 10 milionësh si klub. Ka një zgjidhje deklarojnë këto burime, që për sfidën ndaj Flamurtarit, vetëm për këtë takim, çmimi i biletave të rritet dhe në këtë mënyrë do të kontribuonin në shlyerjen e gjobës edhe tifozët, edhe klubi, ose më saktë Bizhdili. Fundja, janë tifozët verdhezinj ata që e meritojnë të gjithë gjobën. Nëse presidenca e klubi verdhezi gjen modalitetet që t’i kthejë tifozët, mendojmë se, edhe sikur 700 apo 1000 lekë të reja të shkojë çmimi i biletës vetëm për sfidën Besa Flamurtari, ia vlen ta paguash. Kushti i vetëm mbetet nxjerrja e mësimeve nga dënimet e këtej e tutje fusha e stadiumit “Besa” të kthehet në model “fair play”, duke nisur nga Flamurtari. Ky lajm vlen shumë edhe për trajnerin Shpëtim Duro dhe futbollistët e tij. Me tifozët e pranishëm, që në këto kushte besojmë do të mbushin plot stadiumin, fitorja bëhet më e lehtë.
/sportishqiptar/
Tags: besa, dhuna-ne-stadiume