Besa – Shkumbini 2-0
Shënues: Shkëmbi 2′, Sinani 57′
Besa: Shehi, Dragusha, Vrapi, Fagu, Arapi, Poçi, Shkëmbi (Dhëmbi 38′), Mancaku, Cikalleshi (Shtini 80′), Sinani (Tragaj 81′), Xhafaj. Trajner: Sh.Duro.
Shkumbini: Bejte (Birja 62′), Mujdragiç, Pashja, Mustafaj (Gjorevski 60′), Gjyla, Shenaj (Balliu 23′), Krasniqi, Xhafa, Çaushaj, Bakiu, Sekseni. Trajner: P.Daiu.
Gjyqtarë: S.Jareci (Tiranë), A.Lamçe (Patos), I.Tartari (Fier)
Kartonë të verdhë: Balliu, Mujdragiç, Krasniqi
Karton i kuq: Daiu
“Radiografia”
2′- Shkëmbi ekzekuton një goditje dënimi nga rreth 25 metra, asnjë në zonë nuk arrin ta devijojë, pavarësisht përpjekjeve, por as Bejte nuk zotëron dot topin, Besa kalon në avantazh 1-0.
18′- Bakiu shfaqet në hyrje të zonës, por godet keq.
28′- Dragusha për pak shënon, kur në zonë kërcen me kokë, por topi i tij “qeth” traversën.
41′- Xhafaj godet me kokë pas krosimit të Sinanit, por jashtë.
57′- Xhafaj, mbi vijën fundore në hyrje, kroson në zonë, Bejte nuk e zotëron dot topin dhe Sinani e ul bukur me këmbë dhe shënon golin e dytë për vendasit. 2-0 për Besën.
63′- Sekseni ka gjuajtur nga distanca, por jashtë kuadratit.
70′- Fagu godet dhe u duk se shënoi, por topi godet vetëm rrjetën e jashtme.
72′- Bakiu për miqtë përsëri provon në hyrje të zonës, por jashtë.
84′- Shtini, i sapofutur në lojë, depërton bukur në zonë, portieri e pengon dhe 11-metërsh. Nga pika e bardhë godet Xhafaj, por drejt portierit mik, që e pret topin.
86′- Xhafaj përsëri afër golit, kur prirazi me portën, i vetëm me portierin, godet, por Birja me këmbë devijon në korne.
89′- Rasti më i mirë për miqtë. Sekseri lëshon një “predhë” të vërtetë, Shehi grushton dhe topin e kthyer e godet Gjyla dhe shpina e një mbrojtësi shpëton golin, topi del në korne.
Komenti
Që në fillim të takimit u shfaq te tifozëria verdhezi një ndjenjë hakmarrjeje për ekipin mik, tek u shpalosën dy parulla aspak të denja. Ka qenë vetë presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, që ka vrapuar mespërmes fushës, duke u kërkuar tifozëve në tribunën ballore t’i hiqnin këto parulla. Ndërkohë, stafi mik, me dy donatorët Dyrmishi e Ismaili, nuk preferuan tribunën VIP, por u ulën në aneksin e stadiumit. Edhe ky fakt dëshmoi qartë ftohtësinë mes dy kampeve drejtuese.
Apeli i Bizhdilit u zbatua, por në fragmente më pas ndonjëherë njëra parullë edhe u shfaq. Në këtë tension në tribuna nisi takimi, ku Besa kalon në avantazh në goditjen e parë, ekzekutuar nga Shkëmbi, ku faj pati edhe portieri mik. Trajneri mik, kavajasi Përparim Daiu, proteson fuqishëm te kryesori Jareci, sepse faulli që solli golin, sipas tij, nuk ishte dhe ky i fundit e nxjerr jashtë fushe. Daiu drejtohet tek aneksi i stadiumit, ku ishin ulur presidentët e Shkumbinit, Ismaili e Dyrmishi, duke ndjekur nga aty takimin së bashku me ndihmësin Dervishi.
Më pas, përsëri shefi i klubit peqinas, që zëvendësoi Daiun, ka një konfrontim me fansët verdhezinj, të cilët fluturojnë karrige plastike mbi pankinën mike. Përsëri Jareci ndërhyn e ndëshkon Isain, duke e nxjerrë jashtë. Kështu, pjesën e mbetur ekipin mik e drejtoi trajneri i portierëve Aranit Ballhysa.
Duke u kthyer tek ajo çfarë prodhoi fusha e lojës, e cila ishte e “fai play”, pavarësisht kontestimeve të pafundme të miqve, në antitezë me qëndrimin herë-herë të fansave. Besa e dominoi takimin dhe mund e duhej të kishte shënuar më shumë gola.
Nisur nga fakti se shënoi shpejt, u mendua, pse jo, një goleadë, por miqtë ditën të mbroheshin mirë, ku Krasniqi, Mujdragiç ishin më të mirët. Në fillim të pjesës së dytë presidenti Bizhdili zbriti nga tribuna VIP, duke u bërë thirrje tifozëve të Besës të mbanin qëndrim të kulturuar e të mos fyenin. Ky apel u dëgjua dhe tifozëria u qetësua. Pjesa e dytë nisi e qetë dhe nuk ndodhi asnjë incident apo moment i dënueshëm.
Ndërsa miqtë peqinas u kujtuan të luanin vetëm në 20 minutat e fundit, madje rrezikuan edhe ata, ku Shehi në dy-tre raste shpëtoi gola të sigurt. Ishte një fitore pra plotësisht e merituar, që ngjiti Besën përsëri në vendin e dytë, aty ku që nga fillimi i sezonit kishte qëndruar. Pas katër humbjesh, dy fitoret me Apoloninë e Shkumbinin e rehabilitojnë Besën në objektivat e saj.
Tashmë, pas fitores së Laçit ndaj Tiranës sfida e së dielës Laçi Besa mund të ndajë përfundimisht Besën nga ndjekësit e saj. Ndërsa Daniel Xhafaj humb shansin e artë për të marrë kreun e golashënuesit më të mirë, teksa humb një 11-metërsh. Megjithatë, asgjë nuk ka përfunduar dhe ndoshta këtë synim e realizon në javët e fundit, teksa mbeten edhe katër të tilla. Ndërsa miqtë peqinas tani më shumë duhet të mendojnë për rrezikun që vjen nga poshtë sesa të shohin për më lart. Ata do të presin Dinamon javën që vjen, e cila është shpallur kampione dhe luan e qetë tashmë.
Deklarojnë…
Shpëtim Duro, trajner i Besës: “Ishte një fitore me vlera, që na riktheu në vendin e dytë. Ndërsa mund t’ju them se ishte gjithçka korrekte dhe “far play” në fushë. Mund dhe duhej të shënonim më shumë gola, sepse e dominuam totalisht gjithë 90-minutëshin.”
Përparim Daiu, trajner i Shkumbinit: “Një humbje e paramenduar. E them këtë, sepse i tillë gjykim të linte këtë përshtypje. Jareci jepte faulla që vetëm faulla nuk e kishin emrin. Ndërsa fitorja e Besës ishte e merituar, falë dy gabimeve foshnjarake të portierit. Ndërsa për protestën time, kontestova sepse ky arbitër nuk paragjykohet kot, ai u dënua në Vlorë dhe nuk e meriton stemën e FIFA-s.”
Isaj: Më goditën me grushte policët
Në momentin kur shefi i klubit të Shkumbinit, Astrit Isaj, është nxjerrë jashtë nga gjyqtari Jareci, duke kaluar në korridor, ai është shtyrë e goditur, siç pretendon ai, nga policët. Pas fërkimit me tifozët, ku nuk munguan as sendet e forta në drejtim të stolit peqinas, Jareci është konsultuar dhe i ka thënë të dalë jashtë Isajt, por është dashur ndërhyrja e policëve për ta shoqëruar, madje sekretari i Shkumbinit ka shtyrë një polic, duke u thënë që dilte vetë.
Ndoshta kjo i ka irrituar policët. “Më shoqëruan me dhumë, madje më goditën edhe me grushte. Unë do të bëj denoncim në prokurori ndaj tyre,” – shprehet shefi i klubit të Shkumbinit, Astrit Isaj, lidhur me këtë incident gjatë fundit të pjesës parë, ku për këtë ndërprerje u shty 6 minuta kjo pjesë.
Të veçanta
Takimin e ndoqën falas pa bileta mbi 5 mijë tifozë verdhezinj.
Presidenca e Shkumbinit, me Dyrmishin e Ismailin, e ndoqën takimin në aneks, pasi tifozët nuk i lanë në tribunë.
Në momentin e nxjerrjes jashtë të shefit të klubit peqinas, Astrit Isaj, nga tribuna tifozët hodhën disa karrige plastike.
Tifozëria verdhezi kontestoi fuqishëm sulmuesin mik Mustafaj, madje duke e fyer disa herë në kor.