Takimi ndërpritet në minutën e 87-të, pas goditjes së anësorit Rexha dhe hedhjeve të sendeve në fushë
Mëkat që një futboll i tillë dhe një festë brilante në stadiumin “Besa” të përfundojnë me shishe plastike e ndërprerje takimi. Kishin ardhur të gjithë, që nga ministri Bode, presidenti Duka, presidentë klubesh, trainerë, ministra dhe zv/ministra për të shijuar futbollin e dy ekipeve që pretendojnë titullin. Me qindra tifozë korçarë të mirëpritur dhe me një hapje takimi fantastike me lule dhe urime. Gjithçka e denjë për një ndeshje të fortësh.
Ka shkuar mirë deri në minutën e 87-të, kur Sokol Cikalleshi i Besës rrëzohet në zonë dhe gjyqtari Albano Janku nuk jep 11-metërsh dhe bën me shenjë që loja të vazhdojë. Në këtë moment, mbi 7 mijë tifozë të irrituar nga ky gjyqtar reagojnë, duke hedhur në fushë bidonë plastikë dhe sende të tjera. Për mbi 15 minuta gjyqtarët nuk janë në gjendje të vendosin vazhdimin e lojës, sepse tifozët e irrituar tej mase vazhdojnë të gjuajnë anësorët me bidonë sapo ata afrohen te vija anësore.
Takimi nuk ka vijuar më dhe gjyqtari Janku i ka rënë bilbilit për mbarimin e takimit. Pas këtij momenti, ndërsa tifozët verdhezinj jashtë ishin tubuar për të shprehur indinjatën e tyre, në dhomën e presidentit Bizhdili janë futur të gjithë, që nga Duka, presidenti Zeqo, ministra etj. Me sa dëgjuam, ata nuk pajtoheshin me qëndrimin e publikut.
Duke u kthyer te takimi, ai filloi më mirë për korçarët, të cilët ushtruan në 20 minutat e para njëfarë presingu ndaj Besës, aq sa Besa rastin e parë e pati në minutën e 25-të. Më pas loja u ekuilibrua dhe të dy ekipet luftonin fort në mbulimin e njëri tjetrit. Ekuilibrat i prishi minuta e 45-të, kur Markoviç lëshoi atë “predhë” nga mbi 35 metra, që përfundoi në rrjetë. Pjesa e dytë nisi ndryshe dhe kjo për hyrjen në fushë të Sokol Cikalleshit.
Sulmuesi i ri kavajas tregoi se do të ishte problem deri në fund për miqtë dhe disa herë ishte pranë golit. Ndërsa korçarët më shumë u kujdesën të ruanin fitoren e artë, duke u rreshtuar vetëm në mbrojtje. Sulmuesi Brkiç i vetëm rrezikoi vetëm njëherë në pjesën e dytë në aksionin e vetëm me Sozën. Besa meritoi së paku barazimin, por duhet pranuar edhe fakti se mbrojtja mike, ose më mirë “ish”-ët e Besës, Shehi, Dragusha e Vrapi, ishin heronjtë e Skënderbeut. Veçanërisht portieri Orges Shehi, që ruajti fitoren me pritjet e tij spektakolare. Kështu, Besa e nisi me humbje kampionatin, që ndoshta vendoset 0-2 në tavolinë.
/sportishqiptar/
Tags: albano-janku-, dhuna-ne-stadiume