Nëse nga burimet zyrtare nuk ka asnjë konfirmim, duke e mbyllur edhe këtë javë pa presidentin e ri, në kampin e tifozëve situata duket disi më ndryshe. Dëshira e tyre është e madhe për të parë situatën në klubin e Shkumbinit të stabilizuar sa më shpejt të jetë e mundur. Ata janë shprehur kundër përfoljes boshe për emra, apo premtime se, do të ketë një president shumë shpejt, se ka bisedime me biznesmenë të ndryshëm e të tjera si këto. Në uebsajtin e Shkumbinit, emri i Xhavit Ismailit ka qenë i pari dhe i vetmi që ka përshkruar të gjitha bisedat, kërkesat e tifozëve, por duke e përcjellë edhe si një shqetësim kryesor për drejtimin e ri të ekipit. Në një sondazh të zhvilluar nga adminët e kësaj faqeje dhe mbështetësit e saj në rrjetin social Facebook, emri i Ismailit ka një votueshmëri 93% pro kthimit të tij si president i ekipit. Po ashtu, në këtë votim janë përfshirë edhe një numër i madh ish lojtarësh të Shkumbinit, madje dhe lojtarë aktualë të tij.
Ndonëse në mënyrë të vazhdueshme ka patur një interesim të madh të drejtuesve të Shkumbinit për afrimin e presidentit të ri, ende nuk është arritur konkluzioni që Ismaili të vijë në krye të ekipit, ndonëse ka një mbështetje të madhe edhe nga drejtuesit peqinas. Ismaili ka drejtuar për tre sezone ekipin e Shkumbinit dhe marrëdhëniet korrekte mes palëve, president – lojtarë – drejtues klubi nuk kanë sesi të mos e mirëpresin sërish kthimin e tij në krye të klubit. Sipas burimeve të brendshme të moderatorëve të grupit të fansave peqinas, mësohet se është hedhur ideja e një ftese nëpërmjet një letre, të cilën bordi i “Besnikëve” dëshiron ta nisë në zyrën e presidentit të firmës “Albkonstruksion”, që ky i fundit të jetë në krye të Shkumbinit. Në fillim të javës së ardhshme priten zhvillime të tjera në lidhje me këtë çështje madhore për ecurinë e ekipit.
Lulzim Resuli
Tags: besniket peqin, xhavit ismaili