Presidenti Bizhdili, pasi ka ndjekur ekipin hap pas hapi, shprehet i kënaqur
Shkon shpesh në Maqedoni, si në Mavrovë ashtu edhe në Ohër, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili. Çdo ditë njëshi kavajas komunikon me trajnerin Shpëtim Duro për gjithçka dhe, sipas tij, trajneri Duro shprehet shumë i kënaqur me lojtarët e afruar e i bashkohet bindjes së Bizhdilit se kjo Besë do të jetë shumë më e fortë se Besa e vjetshme. Në bisedë me presidentin, ai jep edhe detajet e ecurisë së miqësoreve të Besës deri në finalen e Superkupës me Dinamon, por jo vetëm kaq.
Si mund ta përshkruanit situatën që mbretëron sot te Besa juaj?
Siç e dini, ekipi po zhvillon një tjetër minifazë përgatitore në Mavrovë, ku me grupin janë bashkuar edhe tre futbollistët e merkatos, Sead Haxhibuliç, Bilal Velija dhe portieri Osmani. Në bisedat që kam bërë me trajnerin Duro, ai shprehet mjaft i kënaqur nga angazhimi dhe disiplina që mbretëron në ekip. Gjendja mbetet mjaft e mirë dhe Besa iu rikthye fitoreve me Bylisin, pas humbjeve në Europa Ligë.
Ndërkohë, do të ketë të tjera miqësore në tokën maqedonase?
Po. Pas fitores me Bylisin ekipi nesër (sot) do të luajë miqësoren e dytë, këtë herë me Laçi. Ndërsa të shtunën kthehet për në Shqipëri, ku gjatë rrugës, në “Ruzhdi Bizhuta” do të zhvillojë një miqësore me Elbasanin. Besoj se këto janë të mjaftueshme për stafin për të krijuar ide të qarta mbi taktikën dhe formacionin. Vetëm se duhet t’ju kujtoj se Besa ime ka tashmë jo pak alternativa në stol, në të gjitha repartet. Do të jetë një konkurrencë jo e vogël, kur vetëm në sulm kemi katër futbollistë, Haxhibuliç, Dos Santos, Cikalleshi dhe sulmuesi i ri Shtini.
Keni deklaruar dhe deklaroni vazhdimisht se Besa e re është më e mirë se Besa që fitoi Kupën. Dëshirë apo vërtet besoni se është kështu?
Ju gazetarët keni qejf të rendni pas emrave dhe pak ju intereson nëse iks futbollist vrapon më apo jo. Mjafton një veprim teknik i dikujt dhe ju menjëherë nxitoni t’i hapni biografinë. Po futbolli kërkon mbi të gjitha gjunj dhe tru. Njëri s’bën pa tjetrin dhe ky kontigjent që kam afruar sivjet i ka edhe gjunjtë edhe trurin.
Ndryshimi mes Besës fituese të Kupës dhe kësaj sot qëndron në moshën mesatare më të re në grup. Janë disa emra si Aliju, Cikalleshi, Bakaj, Semir Haxhibuliç, Hoxha, Shtini, pa llogaritur më të rinjtë, që s’i kanë mbushur as 24 vjetët dhe disa as 20. Kjo rini, e gërshetuar me përvojën e Poçit, Dhëmbit, Ferizoviçit, Mihanit, Sead Haxhibuliçit, përbën atë gërshetim përvojë rini, që një ekip ka nevojë.
Për këto arsye ju them se Besa e vjetshme vërtet pati emra dhe vlera, por Besa e sotme i ka të dyja dhe është shumë më e freskët në fushën e lojës. Fati ynë i keq qëndron se u ndeshëm me Olimpiakosin dhe dikush nxitoi të thoshte Besa s’është e fortë. Por prisni ta shihni që në javën e parë me Skënderbeun.
Shpesh keni thënë se e keni mbyllur merkaton dhe përsëri keni afruar futbollistë. Kësaj radhe vërtet kjo do të jetë përfundimisht Besa e këtij sezoni?
Eshtë e vërtetë kjo që thoni ju, por kur një futbollist i mirë kërkon të vijë te Besa, si thoni ju, t’i them jo? Nuk kam qenë unë që kam i kërkuar? Mos harroni se kam pasur e kam dhjetëra telefonata. Po kësaj radhe vërtet e kam plotësuar ekipin dhe kam mjaft alternativa në stol.
Kavajë, dje nisi shtrimi i tapetit
Në orët e mbasdites së djeshme ka mbërritur tapeti i fushës së stadiumit “Besa” nga Greqia. Menjëherë firma ka nisur shtrimin e tij, kur dy ditë më parë kishte sjellë dy makineri, të cilat realizonin procesin teknik të shtrimit. Sipas këtij ritmi, mendohet që brenda katër ditësh të përfundojë shtrimi i të gjithë tapetit dhe kështu data 21 gusht, pra starti i sezonit, do ta gjejë Besën në fushën e saj.
/sportishqiptar/
Tags: besa