Sulmuesi Sokol Cikalleshi sheh një Besë të denjë për këtë sezon
Sezoni që lamë pas evidentoi te Besa një futbollist kavajas me mjaft vlera. Ky ishte 19-vjeçari Sokol Cikalleshi. Falë kësaj paraqitjeje nuk munguan menjëherë edhe ofertat drejt tij nga brënda Shqipërisë, por edhe nga ekipet jashtë. Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, nuk pranoi ta largonte dhe kësisoj, Cikalleshi të paktën edhe këtë sezon do të jetë verdhezi. Para katër ditësh, Sokoli festoi 20-vjetorin e tij së bashku me shokët në Mavrovë, ku Besa po përgatitet. Mosha e re dhe talenti i tij është një argument më tepër, për të shpresuar një tjetër sezon të shkëlqyer nga ai. Bisedojmë me të.
- Sokol, si po shkojnë përgatitjet në Mavrovë?
- Tashmë u mësuam me Mavrovën, sepse siç e dini, vimë për herë të dytë gjatë kësaj verë këtu. Trajneri ynë Shpëtim Duro “na ngordhi” me stërvitje, por të gjithë jemi koshientë se stërvitemi për vete. Deri tani s’kemi asnjë dëmtim apo lënie stërvitje nga asnjëri prej lojtarëve.
- I keni lënë pas humbjet shokuese me Olimpiakosin. Mësuat diçka prej tyre?
- Ndoqa takimin e dytë të Olimpiakosit me Makabin dhe krijova tjetër mendim mbi fatin e dy ndeshjeve tona. Jo se do të kualifikoheshim, por mendoj se duhet dhe mund të ishim paraqitur ndryshe. Ndoshta këtu ndikoi fuqishëm edhe fakti se vinim nga një minifazë përgatitore dhe se grupi ishte krejtësisht i ri. Të luanim sot, ju garantoj se Besa kurrë nuk do të humbiste aq thellë.
- Këtë sezon në krahun tuaj nuk do të jetë më Xhafaj, por Dos Santos dhe Haxhibuliç. Jeni më të fortë apo?
- Sipas mendimit tim, sulmuesit kanë padiskutim vlerat e tyre, por unë e shoh futbollin si lojë grupi. Me këtë dua të them, se vërtet Haxhibiliç ishte te Vllaznia, apo Dos Santos te Gramozi dhe përsëri ju i patë se ku u renditën të dyja këto skuadra. Ata janë sulmues mjaft të mire, por duhet edhe një mesfushë dhe një mbrotje e mire, që sulmi të bëjë detyrën e tij. Jam i bindur se te Besa këta nuk mungojnë dhe sulmi me Haxhibulicin dhe Dos Santosin, por edhe me Shtinin, do të jetë i frikshëm këtë sezon.
- Kalendari ju rezervon takimin e parë me Skënderbeun, ose më thjeshtë me ish-ët tuaj, Shehin, Dragushën, Vrapin, Fagun e Shklëmbin. Kush do të dalë fitues?
- Megjithë respektin që kam për tërë këto emra në futboll, nuk e diskutoj fare se Besa do të jetë fituesja. Pse e them këtë? Sepse të gjithë këta janë lojtarë të reparti difensiv dhe sado fort të qëndrojnë, ne do të arrijmë t’i shënojmë. Nuk mundet të fitojë një ekip duke qëmndruar vetëm në mbrotje sado e mirë të jetë ajo. Korçarët njohin forcën tonë dhe nuk do të guxojnë të na sulmojnë, prandaj besoj tek fitorja.
- Ju vjen keq që nuk mundët të largoheshit nga Shqipëria, me gjithë ofertat që patët?
- Kjo puna e largimit në moshë të re është thikë me dy presa. Shikoni se ku kanë përfunduar shumica e futbollistëve të rinj, që nga Hyka e të tjerë. Unë dua që atje ku do të shkoj, të luaj e jo të jem turist në klub. Vërtet paratë më intresojnë, por kaq i ri sa jam nuk i dua ato, duke lidhur e zgjidhur këpucët vetëm në stërvitje. Për këtë arësye nuk ndjehem keq.
/sportishqiptar/
Tags: cikalleshi, merkato-besa, nexhat-bizhdili