Dervishi: Pres ofertën e Shkumbinit, më pas vendos
Golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar, sulmuesi peqinas Roland Dervishi, në një bisedë për “Panorama Sport” flet mbi periudhën pas përfundimit të sezonit, si dhe planet mbi të ardhmen e tij. Sulmuesi 30-vjeçar pohon se në adresë të tij ka disa oferta jo zyrtare që e joshin. Megjithatë, sipas tij, zgjedhja e parë mbetet Shkumbini. “Fundi i kampionatit ishte shumë entuziast për mua pasi, për herë të parë në karrierën time si futbollist po realizoja një ëndërr, atë të shpalljes së golashënuesit më të mirë të Superiores. Në fakt ishte një entuziazëm që u shua shumë shpejt, pas vendimeve absurde të pseudo- komisioneve që padrejtësisht më mohuan marrjen e trofeut të golashënuesit më të mirë. Ky fakt më mërziti shumë, pasi pashë të shkonte kot puna dhe lodhja e një sezoni të tërë”. Më tej, sulmuesi flet në lidhje me të ardhmen e tij, teksa pranon se ka pasur mjaft oferta gjatë kësaj periudhe. “Është e vërtetë që kam pasur disa oferta nga klube të Superiores, emrat e të cilëve për arsye merkatoje nuk dua që t’i bëj të ditur. Aq më tepër që bëhet fjalë për oferta, të cilat ende nuk janë zyrtare. Më vjen mjaft mirë që ka skuadra që kërkojnë shërbimet e mia, pasi jam në kulmin e karrierës sime dhe ky është një vlerësim për mua si sulmues. Natyrisht që, në momentin e duhur do të bëj vlerësimin e tyre dhe më pas do të bëj zgjedhjen time. Megjithatë e kam thënë edhe më parë që në plan të parë mbetet Shkumbini dhe sigurisht që pa biseduar me drejtuesit e klubit nuk mund të bëj asnjë lëvizje. Kjo, pasi dua të vlerësoj më parë projektin që ata kanë për Shkumbinin e sezonit të ri”, – ka përfunduar sulmuesi i Shkumbinit, Dervishi.
Fatmir Ahmeti
/Panorama/Shkumbini.com/
