Dervishi “show” në Peqin, Shkumbini luan tenis me Tomorin

Dervishi “show” në Peqin, Shkumbini luan tenis me Tomorin

Dervishi “show” në Peqin, Shkumbini luan tenis me Tomorin

No Comments on Dervishi “show” në Peqin, Shkumbini luan tenis me Tomorin

Shkumbini – Tomori          6-2

Shënues: Dervishi 3’ (11-m), 7’, 37’, 64’ (11-m), 95’, Shenaj 57’   Bakiu 26’, Çela 50’

Shkumbini:  Kotorri, Xhyra, Lundraxhiu, Diop, Ramazani, Pashja, Shenaj, Sulkja (Salliu 68’),  Gjata (Isaj 68’), Dervishi, Mustafaj (A. Magani 68’). Trajner: K. Mile.

Kartonë të verdhë: Salliu

Tomori: Llani, Nino, Çela, Kaja (Muça 59’), Krasniqi, Çaushaj, Gjyla (Mile 46’), Roshi, Hodo, Bakiu, Arbri (Kuka 64’). Trajner: P. Daiu.

Kartonë të verdhë: Llani (2)

Kartonë të kuq: Krasniqi, Llani

Gjyqtarë:  B. Pashaj, E. Biçaku, D. Agaraj (Tiranë)

 

“Radiografia”

3’- Dervishi depërton në zonë, por pengohet nga mbrojtësi  Krasniqi. 11-metërsh për Shkumbinin, e kthen në gol vetë Dervishi dhe 1-0.

7’- Gjata shërben saktë për Dervishin brenda zonës dhe sulmuesi peqinas arrin të shmangë portierin Llani, për të shënuar sërish, 2-0 për Shkumbinin.

12’- Kundërsulmi i Tomorit nga e djathta e sulmit që mbyllet me gjuajtjen e bukur të Çaushajt, por Kotorri grushton.

24’- Bakiu pranë zonës, por gjuajtja e sulmuesit beratas është e gabuar dhe përfundon mbi shtyllë.

27’- Pas goditjes nga këndi, Bakiu arrin t’i shpëtojë mbulimit të mbrojtësve dhe nuk e ka të vështirë të gjejë rrugën e rrjetës. Tomori ngushton në 2-1.

35’- Kundërpërgjigjet Shkumbini me Xhyrën, por gjuajtja e tij e fortë “qeth” traun e sipërm e përfundon jashtë.

37’- Dervishi ndërmerr një aksion nga e majta e sulmit  dhe pranë fundores nga një pozicion të vështirë shënon golin e tretë personal. 3-1 për Shkumbinin.

49’- Tomori rrezikon me anë të Hodos, që gjuan nga distanca, por Kotorri pret me siguri.

50’- Çela i pambuluar nuk e ka të vështirë të shënojë, duke ngushtuar diferencën në 3-2.

57’- Shenaj del fitues mes mbrojtësve miq, për të gjuajtur saktë me kokë dhe 4-2 për Shkumbinin.

64’- Ka sërish 11-metërsh dhe portieri Llani del me të kuq. Gjuan saktë sërish Dervishi dhe 5-2 për Shkumbinin.

75’- Mile shërben saktë për Çaushajn, por gjuajtja tij është për t’u harruar.

95’- Dervishi i bën mbylljen më të bukur takimit, duke shënuar një gol të bukur pas një guajtje fluturimthi të Dervishit, që ishte i 5-ti për të në këtë takim. Mbyllet 6-2 për Shkumbinin.

 

Shkumbini ka fituar dje përballë ekipit të Tomorit me rezultatin e thellë 6-2, duke arritur ta mposhtë në të gjitha drejtimet. Ka qenë një fitore me shifra tenistike, që pakkush e pati menduar më përpara, nisur edhe nga grupi i lojtarëve që ka ekipi beratas, i cili duhet pranuar që erdhi në Peqin me pretendime të mëdha. Merita për fitoren e marrë është e gjithë ekipit, por në mënyrë të veçantë e trajnerit Mile, që ka ditur të punojë me grupin, për të marrë në këtë takim më të mirën nga çdo futbollist. Mile fitoi dje përballë ish-ekipit të tij, duke treguar se mbetet puna dhe harmonia arma kryesore në çdo rast. Takimi i djeshëm pati protagonist kryesor sulmuesin peqinas, 29–vjeçarin Roland Dervishi, që diti të konkretizojë me 5 gola, duke u treguar i saktë nga pika e 11-metërshit, por edhe në rastet e paraqitura gjatë 90 minutave.

Pjesa e parë Takimi i djeshëm nisi me gol, Shkumbini ka shënuar që në minutën e tretë, që u shoqërua me daljen nga fusha të mbrojtësit Krasniqi si mbrojtësi i fundit, që pengon Dervishin përballë portës së Llanit. Tomori shokohet dhe Shkumbini shumë shpejt do të gjejë golin e dytë po me Dervishin, që korrigjon gabimin e Mustafajt. Sulmuesi peqinas  shfrytëzon saktë pasimin e Gjatës, del fitues mes mbrojtësve, duke shmangur më pas edhe portierin Llani, duke  realizuar atë që nuk bëri Mustafaj disa çaste më parë. Pas golit të dytë, Shkumbini sikur kënaqet dhe e ul ritmin, duke kërkuar që ta qarkullojë topin në sektorët e mesit të fushës. Nga ana tij Tomori bën pak përpjekje, duke u bazuar te loja e kundërsulmit, por Bakiu dhe Arbri e kanë të vështirë që të depërtojnë në mbrojtjen e drejtuar saktë nga Diop. Ndërrimi i vendeve të Gjylës me Çaushajn e dha menjëherë efektin e vet, sepse do të shoqërohet me golin e parë për beratasit, që erdhi pas goditjes së këndit. Goli i shënuar nga Bakiu të krijoi përshtypjen që loja do të hapej, por kjo nuk ndodhi. Në momentin më të mirë të miqve, do të jetë përsëri Devishi që do të vendosë diktatin në fushë, duke realizuar një gol të bukur, që e detyron portierin Llani ta shoqërojë topin vetëm me sy. Me rezultatin 3-1 përfundon pjesa e parë.

Pjesa e dytë Largohet Gjyla, që zëvendësohet nga Vangjel Mile. Me një futbollist më pak dhe me rezultatin në disfavor, Tomori e ka të vështirë që të organizohet dhe mendon më shumë për mbrojtjen, duke rreshtuar shumë forca në këtë repart. Shkumbini di të përfitojë, për të ushtruar vazhdimisht presion dhe goli i shënuar nga Çela është si një fotokopje e gabimeve të golit të parë në rreshtimin e ekipit peqinas në goditjet standarde. Reagimi i vendësve do të jetë i shpejtë me anë të mesfushorit Shenaj, që realizon golin e 4-t dhe të kapitullimit për Tomorin. Shkumbini tani luan lirshëm dhe dikton në fushë në çdo drejtim, duke luajtur vazhdimisht pranë zonës së portës së miqve. Është radha e sulmuesit Mustafaj për të shënuar, por ai pengohet në mënyrë të parregullt nga portieri Llani dhe, përveç 11-metërshit, vjen edhe kartoni i dytë i kuq për Tomorit. Pas golit të pestë për Shkumbinin dhe të katërtin personal për Dervishin, që ekzekuton saktë gjuajtjen tjetër të penalltisë, është radha që trajneri Mile të bëjë 3 zëvendësime në të njëjtën kohë, duke u dhënë mundësi futbollistëve të rinj. Për t’u mbyllur, po aq bukur me golin spektakolar të Dervishit dhe për të vendosur përfundimisht rezultatin 6-2, një rezultat që do ta mbajë mend jo vetëm Dervishi, por të gjithë në Peqin.

 

Mile: Humbja le t’u bëhet mësim beratasve

“Duhet pranuar që për mua nuk ishte edhe aq e lehtë, sepse  isha i detyruar të jem kundër ekipit ku jam rritur, kam luajtur dhe e kam drejtuar në vite. Më vjen keq për Tomorin, sepse ka një grup të mirë me lojtarë cilësorë, por dihet, futbolli nuk bëhet me llafe dhe për një ditë, por kërkon punë e organizim. I uroj suksese Tomorit dhe shpresoj që kjo humbje t’u shërbejë si mësim për të ardhmen, që të mos renditen në fund, por mes ekipeve më të mirë. Fitorja e Shkumbinit ishte e merituar, sepse futbollistët luajtën me zemër dhe i zbatuan detyrat që iu ngarkuan.”

 

Të veçanta:

– Dy presidentët e ekipeve, I. Rrushi për Shkumbini dhe F. Nasufi për Tomorin, që janë edhe kryebashkiakët e dy qyteteve, e ndoqën takimin pranë njëri-tjetrit.

– Në minutën e 83-të takimi u ndërpre nga gjyqtari Pashaj për të zbrazur tribunën ku ishin vendosur tifozët beratas, për shkak të sjelljeve e qëndrimeve jo të mira që ata po mbanin.

– Në qendër të fushës grupimi “Besnikët” kishte vendosur një parrullë, ku shkruhej: “Mile, shtëpia jote është Peqini!”

– 8 futbollistë që luajtën dje me Tomorin kanë luajtur më parë me Shkumbinin, pa harruar edhe trajnerin Daiu, që drejtoi Shkumbinin sezonin e kaluar, por edhe financuesin Ali Dyrmishi, që dy vite më parë ka qenë president në Peqin.

– Nga 50 euro kanë marrë si shpërblim në fund të takimit futbollistët peqinas, pak në dukje, por shumë për moral.

 

Dervishi: Golat ia dedikoj dajës dhe trajnerit Mile

Roland  Dervishi, protagonisti kryesor në fitoren e djeshme 6-2 me ekipin e Tomorit, shënoi jo pak, por 5 gola, si asnjëherë tjetër. Dje, në stadium, Dervishi ka pasur një tifoz të veçantë, dajën e tij, që ka udhëtuar posaçërisht nga Anglia për ta ndjekur nipin në fushë. Ai dje ka qenë në një ditë të jashtëzakonshme, duke shkëlqyer me lojën që zhvilloi, por edhe me golat. “Jam i kënaqur në radhë të parë për fitoren që arritëm përballë Tomorit, por patjetër që jam i kënaqur edhe për golat që shënova në këtë takim.  Golat që shënova ia  dedikoj dajës tim, që erdhi dje nga Anglia vetëm për të parë ndeshjen, por padyshim, edhe për trajnerin Mile, që po bën kaq shumë për ne,” – pohoi Dervishi.

About the author:

Leave a comment

Back to Top