Devolli, kundër së shkuarës: Kësaj Tirane i marrim pikë

Devolli, kundër së shkuarës: Kësaj Tirane i marrim pikë

No Comments on Devolli, kundër së shkuarës: Kësaj Tirane i marrim pikë

Bledar Devolli rikthehet si kundërshtar ndaj Tiranës, skuadrës ku u shpall kampion tri sezone më parë. Mesfushori gjirokastrit i Shkumbinit, në një bisedë për “Panorama Sport”, shprehet se ky është momenti më i mirë për t’u marrë pikë bardhebluve në transfertë. “Sigurisht, duhet të përfitojmë nga situata që po kalon kundërshtari. Nëse nuk i marrim pikë Tiranës në këtë moment, atëherë kur do t’i marrim?! Unë kam besim se do të zhvillojmë një lojë të mirë në kryeqytet, duke kapur pse jo rezultatin maksimal. Jam paksa i mërzitur që nuk e nisëm mirë sezonin, megjithatë kjo nuk do të thotë se edhe vazhdimësia do të jetë e tillë. Do të luajmë pa frikë ndaj një kundërshtari që meriton respekt, por në futbollin e sotëm fiton ai që brenda 90 minutave jep maksimumin, e jo emrat”, – thotë fillimisht Devolli.
E kaluara – I pyetur nëse pret ta duartrokasin tifozët bardheblu si një ish-lojtar i Tiranës, Devolli jep një përgjigje të sinqertë. “Nuk pres ta bëjnë një gjë të tillë, përderisa nuk e kanë bërë kur kam qenë kundërshtar në ndeshjet e kaluara. Unë kam dhënë më të mirën te Tirana, duke fituar edhe trofe. Kudo që kam shkuar e kam bërë këtë. Gjithsesi, nostalgjia është më vete. Tani luaj për Shkumbinin dhe të them të drejtën e dua shumë një gol ndaj Tiranës. Nëse arrij të shënoj, atëherë do festoj me tifozët peqinas. Kështu kam bërë kur i kam shënuar Tiranës edhe si pjesë e Partizanit dhe Luftëtarit”, – vijon 34-vjeçari.
Besimi – “Mosha është ajo që më penalizon, por unë nuk kam ndryshuar, kjo është e sigurt. Jam po ai lojtar. Tani pres të kap formën time më të mirë, pas dëmtimit që pësova para fillimit të sezonit. Nuk e mohoj se doja të luaja për Luftëtarin, po ja që kjo nuk ndodhi. Gjithsesi, tani jam te Shkumbini dhe do të bëj gjithçka për të kënaqur tifozët peqinas, drejtuesit dhe trajnerin Magani. Kam akoma shumë për të dhënë në futboll”, – përfundon Devolli, i cili pritet të përdoret nga trajneri Magani në rolin e qendërmbrojtësit.

Ultrasit, të shumtë në kryeqytet
Tifozëria peqinase premton se do të jetë e pranishme në stadiumin “Selman Stërmasi” në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës. Ultrasit bardhekaltër nuk e kanë ndjekur ende Shkumbinin për këtë sezon, duke qenë se kundër Teutës fusha e tyre ishte e dënuar. E për rrjedhojë, ata janë të etur ta shohin atë duke luajtur futboll. Meqenëse ndeshja nuk është larg gjeografikisht, pra në kryeqytet, pritet që ata të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit, duke ia bërë më të lehtë skuadrës në fushë. Ata duan fitore prej Shkumbinit të tyre, mirëpo duke njohur forcën e kundërshtarit, do të mjaftoheshin edhe me një barazim. Për ta e rëndësishme është që në Peqin të mos kthehen pa pikë dhe të zhgënjyer

Magani projekton titullarët
Magani i ka të qarta idetë për formacionin anti-Tiranë. Pritet që të ketë ndryshime nga java e parë. E vetmja dilemë e trajnerit mbetet pozicioni në të cilin do të aktivizohet gjirokastriti Bledar Devolli. Me Teutën ai luajti si qendërmbrojtës, mirëpo ka të ngjarë që të spostohet në mesfushë. Në rast se Devolli luan në mesfushë, atëherë nga minuta e parë pritet që ta nisë Lundraxhiu në qendër të mbrojtjes. Peqinasit premtojnë të bëjnë një paraqitje dinjitoze në kryeqytet, ku pa dyshim objektivi do të jetë që të mos dalin pa pikë.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top