Friday, May 18th, 2012

Duka me “skafandër”: Edhe ne, tek “VIP”-at, na ruajti Zoti në Kavajë

Published on August 25, 2010 by   ·   No Comments

Ka qenë dëshmitar okular i ngjarjeve në stadiumen “Besa”, madje i ulur në tribunë pranë autoriteteve shtetërore, siç janë ministrat Bode dhe Mediu. Një ditë pas ndeshjes, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka qenë i pranishëm në institucionin e futbollit që në orët e para të mëngjesit, ku ka biseduar kokë më kokë me sekretarin e përgjithshëm, Eduard Prodani për problematikën aktuale. Në prononcimin për mediat, Duka është shprehur i prerë për zbatimin e rregullores së propozuar nga vetë klubet, ku masat ndëshkimore për klubet përgjegjëse do të jenë shumë të ashpra.
- Zoti Duka, si e shpjegoni faktin që në javën e parë të kampionatit dhuna e tifozëve nuk lejon përfundimin e ndeshjeve?
- Ndoshta nga fakti që në prag të sezonit shumë skuadra i kanë rritur pretendimet, tifozët janë përgatitur për të marrë menjëherë rezultate pozitive, por nuk gjendet rruga e drejtë për të shkuar te këto rezultate. Unë jam më shumë i informuar për ndeshjen e Kavajës, ku kam qenë vetë i pranishëm. Ishte një ngjarje tepër e shëmtuar. Nuk mund të them se tifozët ishin organizuar për të vepruar në atë mënyrë, por ata ishin të paorientuar për të shmangur sjelljen e dhunshme.
- Në tribunë kanë qenë drejtuesit më të lartë federatës, por edhe ministra të qeverisë…?
- Edhe ne që kemi qenë në tribunë na ka ruajtur Zoti, sepse policia ishte inekzistente në stadium. Madje policët kishin frikë nga njerëzit, që i mbështetën pas hekurave.
- Cili do të jetë qëndrimi i FSHF-së për këto ngjarje? Të mos harrojmë që ishte vetëm java e parë…?
- Komisionet juridike në FSHF do të veprojnë sipas rregullores, duke dhënë vendimet e merituara. Për këtë të jeni të sigurt. Nuk mund të tolerohen veprime të tilla, që vetëm se prishin imazhin e futbollit në vendin tonë. Vetë klubet kanë propozuar marrjen e masave të ashpra për shkaktarët e dhunës dhe po këto klube duhet t’i pranojnë vendimet e komisioneve juridike. Çfarëdo që ketë ndodhur në fushë, edhe nëse ka pasur gabime në gjykim, ndërprerja e ndeshjes është e patolerueshme.
- Ç’mund të pritet kur gara të bëhet më e ashpër…?
- Ndoshta këto ngjarje që në javën e parë do të na ndihmojnë për të marra masa që në fillim. Pra, le ta shohim me optimizëm të ardhmen.
- Klubet kanë kërkuar që ta emërojnë vetë shefin e gjyqtarëve…?
- Kjo nuk ka lidhje me sjelljen e dhunshme në stadiume. Shefi i mëparshëm i arbitrave (Plarent Kotherja) ishte shumë i mirë, ky i tanishmi (Arsen Hoxha) është gjithashtu shumë i mirë. Akuzat ndaj gjyqtarëve do të jenë bashkudhëtare me lojën e futbollit.


“Kuzhe dhe futbollistët kanë bërë maksimumin”

Kreu i FSHF-së kanë dhënë mendimin e tij edhe për fushatën eliminatore të Euro 2012-ës, që nis me transfertën e Rumanisë më 3 shtator: “Rumania është skuadër e mirë dhe ne në dy ndeshjet e fundit me këtë skuadër kemi kujtime të hidhura. Na kanë mundur 2-0 në fushën tonë, ndërsa në Rumani kemi pësuar gjashtë gola. Nuk mund të them se jemi favoritë, por kam besim se mund të arrijmë një rezultat pozitiv. Jam shumë i kënaqur nga puna e trajnerit Kuzhe dhe nga ajo çfarë kanë dhënë futbollistët. E them këtë sepse mundësitë tona janë të kufizuara. Kemi marrë atë që kemi merituar.”

“Me këto kushte, asnjë ndeshje në “Qemal Stafa”
Më 7 shtator Shqipëria do të presë në “Loro Boriçi” Luksemburgun, pas mosmarrëveshjeve me drejtorinë e “Qemal Stafës”. Presidenti Duka është shprehur i vendosur se në të ardhmen nuk do të luhet asnjë ndeshje në kryeqytet nëse nuk ndryshohet qëndrimi. “Ne i kemi bërë disa propozime qeverisë për stadiumin, por nuk kemi marrë ende përgjigje. Nuk e ka fajin drejtori i stadiumit, por sistemi i menaxhimit. Në vend që ta ndihmojnë kombëtaren, e shikojnë si lopa që duhet mjelur. Nuk pranojnë që FSHF të shtrojë fushën. Në këto kushte, përveç “Loro Boriçit”, do të shikojmë mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve në stadiume të tjera të rretheve, si në Elbasan, Korçë etj.”

Policët tremben nga tifozët dhe jo anasjelltas
Që futbolli shqiptar të hedhë hapa cilësorë për t’iu afruar sadopak nivelit të futbollit europian, kërkohet angazhimi i të gjitha strukturave, ku pa dyshim duhet të përfshihet edhe qeveria me politikat e saj. E nëse shteti ynë i varfër e ka të pamundur të investojë në futboll, të paktën të kryejë si duhet detyrën kur bëhet fjalë për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë në shkallët e stadiumeve. Por, fatkeqësisht, as kjo nuk ndodh. Dje, vetëm një ditë pas ndërprerjes së ndeshjes Besa-Skënderbeu (0-1) mediat kanë raportuar lajmin e arrestimit të tre personave (disa të tjerë janë shpallur në kërkim) për dhunën e ushtruar nga tifozët në shkallët e stadiumit “Besa”. Kjo do të jetë shfaqja e radhës e Policisë së Shtetit apo shkaktarët e dhunës do të marrin dënimin e merituar? Uniformat blu duhet të kishin ndërhyrë në kohë gjatë lojës, që treshja e gjyqtarëve ta vazhdonte deri në fund ndeshjen. Forcat policore nuk ishin të afta për të shmangur hedhjen e sendeve të forta në fushë. Madje më keq, punonjësit e Policisë së Shtetit u mbështetën pas hekurave nga tifozët e irrituar sikur të ishin në faj dhe jo ruajtës të rendit. Reagimi i policisë me arrestimin e dhunuesve pa dyshim që është i vonë. Sepse, nëse “kontigjenti” plangprishës evidentohet në kohë dhe nxirret nga stadiumi pa shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes, dje nuk do të kishim të arrestuar dhe loja në stadiumin “Besa” do të ishte mbyllur pa incidente. Ministri i Rendit Lulzim Basha deklaroi pak ditë më parë se ata që do të bllokojnë rrugët kombëtare do të përgjigjen para ligjit.Ka të drejtë! Por nga goja e këtij ministri ende nuk kemi dëgjuar të thuhen të njëjtat fjalë edhe për dhunuesit e lojës së bukur të futbollit. Në Angli, në vendin e djepit të futbollit, janë të skeduar mijëra huliganë, të cilët nuk kanë të drejtë të shkelin në stadiumet e këtij vendi. Në stadiumet tona shkaktarët e dhunës mund t’i gjesh në tribunën “VIP”, ose në ndonjë bar të qytetit, duke pirë kafe me shefin e policisë. Nëse të hënën prania në tribunën “VIP” e ministrave të kabinetit “Berisha” (ministrat Bode dhe Mediu u larguan sapo nisi dhuna) vuri në lëvizje Policinë e Shtetit (janë arrestuar disa tifozë), askush nuk garanton të njëjtin qëndrim me dorë të hekurt të policisë edhe në të ardhmen. Zyrtarët më të lartë të FSHF-së dhe në tërësi opinioni sportiv në vend i kanë dënuar hapur ngjarjet e Kavajës, por në të njëjtën kohë kanë kritikuar policinë për mefshtësi në veprim. Sepse, nëse kërkohet revolucioni në futbollin shqiptar, duhet bashkëpunim i ngushtë i të gjitha hallkave, sidomos i Policisë së Shtetit. Komisionet disiplinore mund të japin dënimet përkatëse, të dënojnë me javë të tëra një fushë futbolli, por duhet të jenë forcat e rendit ruajtëset e qetësisë në rrugë, në ambiente të tjera të përbashkëta si dhe në stadium. Deri tani uniformat blu nuk kanë bërë më minimalen.

/sportishqiptar/

Perdoruesit qe gjeten kete artikull po kerkonin:

  • história dukame

Tags:

Readers Comments (0)




Sponsor

Me te publikuarat

Sponsor

Recent Comments

Etiketa

Faqet

Translate

ArabicEnglishFrenchGermanItalianRussianSpanishTurkish