Ende pa ardhur mirë Durmishi, Shkumbini sulet në merkato

Ende pa ardhur mirë Durmishi, Shkumbini sulet në merkato

Ende pa ardhur mirë Durmishi, Shkumbini sulet në merkato

No Comments on Ende pa ardhur mirë Durmishi, Shkumbini sulet në merkato

Edhe pse ende nuk është bërë zyrtar afrimi i Ali Durmishit në krye të klubit të Shkumbinit, në Peqin që nga parmbrëmë kanë nisur të bëjnë hesape krejt të tjera. Menjëherë drejtuesit vendas kanë filluar të lëvizin edhe në merkato. Kështu, gjithçka pritet që të nisë nga porta, me afrimin e portierit Ervin Llani. Edhe më parë, portieri tiranas ka qenë pjesë e ekipit të Shkumbinit, madje ka mbajtur dhe shiritin e kapitenit në këtë ekip. Pas një viti, tek ekipi i Elbasanit, aq më tepër që verdheblutë do të luajnë te inferiorët,  pritet që Llani të jetë sërish mes shtyllave të katërkëndorit peqinas. Drejtuesit e Shkumbinit kanë patur kontaktet e para me lojtarin, të cilat priten të marrin konkretizim në ditët në vazhdim.

Por, drejtuesit peqinas presin edhe bume të tjera në këtë merkato. Emri më i lakuar më së fundi është ai i qendërmbrojtësit gjirokastrit, Ylli Shameti. Lojtari ka qenë me pushime në Egjipt dhe menjëherë pas kthimit ka patur një takim me drejtuesit e Shkumbinit. Edhe Ylli Shameti ka qenë më parë një lojtar i ekipit të Shkumbinit, dhe nëse për të dy lojtarët arrihet akordi financiar, afrimi nuk do të jetë veçse cështje ditësh.

Kështu, ky fillimmuaji duket se do të sjellë një tjetër atmosferë në kampin peqinas, që vetëm pak ditë më parë ka qenë tërësisht nën qerthullin e një krize të rëndë financiare. Natyrisht më së pari pritet që të arrihet akordi me presidentin e ri, nga ku do të përcaktohet vijueshmëria e punëve, si në merkato, ashtu dhe për përgatitoren për sezonin e ri. Po ashtu, pritet që drejtuesit e Shkumbinit të afrojnë një pjesë lojtarësh, të cilët janë ende nën kontratë me ekipin, por që nuk kanë dhënë pëlqimin deri në këto momente, për shkak të garancisë financiare. Në “rreth” është kapiteni Ahmet Mujdragic, i cili vetëm pak ditë më parë është provuar në Singaporin e largët, por nuk dihet se si i kanë ecur punët atje.

Lulzim Resuli

About the author:

Leave a comment

Back to Top