Endrien Magani mposht Besën, nderon babanë dhe Shkumbinin

Endrien Magani mposht Besën, nderon babanë dhe Shkumbinin

Endrien Magani mposht Besën, nderon babanë dhe Shkumbinin

No Comments on Endrien Magani mposht Besën, nderon babanë dhe Shkumbinin

Lojtaret e Shkumbinit, duke festuar golin e fitores, gjate ndeshjes se futbollit, Shkumbini-Besa e Kavajes, 1-0, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin e Peqinit.

Ndeshja me kavajasit është vendosur pikërisht nga një gol i djalit të trajnerit Magani. Peqinasit marrin pikët e para në kampionat, kurse kavajasit pësojnë humbjen e parë

 

Shkumbini – Besa   1-0

Shënues: E.Magani 56’

Shkumbini: Kotorri, Lundraxhiu (Xhyra 46’), Ramazani, Salliu, Pashja, Kaçuli, Devolli, E.Magani, Gjata (Gava 66’), Dervishi (A.Magani 75’), Mustafaj. Trajner: G.Magani.

Besa: A.Hoxha, Krasniqi, Kaja, Abraham, Fejzullahu, Dita, Mustafa, Berisha, Mihani, Roshi, Sefa. Trajner: I.Daja.

Gjyqtarë: K.Cjapi, I.Tartari, O.Grabova (Fier)

Kartonë të verdhë: E.Magani, Mustafaj, Kaçuli, Berisha, Fejzullahu

“Radiografia”

7′ – Gjata ekzekuton një goditje dënimi, topi kalon pak për mbi tra.

16′ – Sefa merr një top nga Roshi, godet fluturimthi, por jashtë.

17′ – Goditje e lirë për peqinasit. Kroson Gjata, topi nuk largohet si duhet nga mbrojtja e Besës, por portieri e devijon në goditje këndi.

28′ – Dervishi nga krahu i majtë, në një pozicion të prirët, pason për Mustafajn, që nuk arrin të godasë.

39′ – Goditje dënimi nga distanca. Gjuan mjeshtërisht Devolli, i cili e dërgon topin në trekëndëshin e portës së Hoxhës, por ky i fundit “fluturon”, duke ruajtur rezultatin 0-0.

41′ – Kaçuli kroson në zonë, ku Dervishi shërben për Gjatën, por ky i fundit godet jashtë.

43′ – Përsëri Kaçuli kroson, por këtë herë largon si duhet mbrojtja mike.

45′ – Shkumbini ushtron presion. Goditje këndi për vendësit, por edhe ajo nuk sjell rezultat.

56’ – Kombinime të bukura mes kapitenit Pashja, Kaçulit dhe Mustafajt. Ky i fundit del në fundore dhe jep një top në zonë për E.Maganin, i cili shmang bukur Abrahamin dhe i vetëm me portierin, me një qetësi olimpike, e dërgon topin në rrjetë. 1-0.

59′ – Mihani gjuan fort, grushton me vështirësi Kotorri.

67’ – E.Magani godet nga rreth 30 metra largësi në ecje e sipër, topi  kalon ngjitur me shtyllën pingule.

82’ – Eshtë Aziri, i cili merr një top nga Berisha, godet brenda zonës, por Kotorri “fluturon”, duke mos lejuar prekjen e rrjetës.

92’ – Kros i Kaçulit në zonë dhe është përsëri E.Magani që mundohet të godasë, por ndërhyn nga prapa Abraham. Një moment i diskutueshëm në zonën mike.

Komenti

Shkumbini arrin fitoren e parë për këtë kampionat. Djemtë e drejtuar nga trajneri Magani kanë mundur Besën, me rezultatin 1-0. Autori i golit është mesfushori Endrien Magani. Përsëri në Peqin është luajtur pa tifozë, për shkak të dënimit të fushës.

Pjesa e parë

Ndeshja nis e shpejtë, me vendësit më të qartë në lojën e tyre. Mesfushori Gjata provon i pari me një goditje dënimi, por topi kalon sipër traut, ndërsa kavajasit kundërpërgjigjen me sulmuesin lushnjar Sefa, i cili godet fluturimthi, por pa rezultat. Shkumbini rrezikon me kroset e Gjatës, që e vënë në panik mbrojtjen kavajase, por goli nuk vjen.

Me kalimin e minutave janë përsëri peqinasit, të cilët i afrohen golit, por Mustafaj nuk arrin të finalizojë. Vlen të theksohet edhe një gjuajtje shumë e bukur e Devollit, që neutralizohet me mjeshtëri nga portieri Hoxha. Shifrat mbeten të mbërthyera në 0-0 deri në fundin e pjesës së parë, edhe pse Shkumbini ushtron presion të madh në portën mike.

Pjesa e dytë

Në pjesën e dytë trajneri Magani bën një zëvendësim, duke hedhur në fushë Xhyrën në vend të Lundraxhiut, i cili po kalon një gjendje gripale. Peqinasit e nisin edhe këtë fraksion loje aty ku lanë të parin. Sulmet e tyre konkretizohen në minutën e 56-të, kur pas disa kombinimeve të bukura, Endrien Magani nuk gabon përballë portierit të Besës, pasi ka shmangur një mbrojtës.

Më pas është Besa që mundohet të reagojë. Mihani ekzekuton bukur një goditje dënimi, duke e vënë në vështirësi Kotorrin. Shkumbini i afrohet përsëri golit dhe është përsëri E.Magani, i cili godet fuqishëm nga distanca dhe topi “qeth” shtyllën pingule.

Besa ka një rast ideal për të barazuar me anë të Azirit, i cili godet, por pret mjeshtërisht Kotorri, duke mos lejuar prekjen e rrjetës. Në minutën e fundit është Kaçuli, që fut një top në zonë, ku E.Magani nuk arrin të godasë, pasi ndërhyn nga prapa mbrojtësi Abraham.

Përfundimisht, Shkumbini arrin një fitore tepër të merituar, pasi e ka dominuar takimin. Peqinasit shijojnë pikët e para dhe shkojnë të qetë në transfertën e Vlorës. Ndërsa Besa duhet të mendojë për ndeshjen e radhës me Teutën.

Gugash Magani: Më në fund, loja u shpërblye me rezultat

“Fitorja pa dyshim që më gëzon, pasi më në fund lojërat e mira që kemi bërë këto javë u konkretizuan edhe me rezultatin e duhur. Ekipi nuk ka bërë një nisje të mirë dhe shpresoj shumë që tani,pasi kemi gjetur fitoren, të vazhdojmë në këtë rrugë.

Pa dyshim që më gëzon edhe goli i shënuar nga djali im. Çdo prind gëzon për fëmijën e tij, por më shumë më gëzon arritja e fitores dhe nuk kishte rëndësi se kush do të shënonte. Mendoj se në takimin tjetër që do të luajmë në fushën tonë, do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve tanë. Kështu do ta kemi më të lehtë të mbajmë këtë ritëm”.

 

Ilir Daja: Ekipit i mungon mendësia e fituesit

“E kisha biseduar me djemtë që ndeshja pa tifozë mund t’i përgjumte lojtarët dhe ua ka humbur ritmin e lojës. Ishim përpjekur ta motivonim ekipin për këtë takim, por në fakt u duk si një miqësore pikërisht nga mungesa e tifozërive përkatëse.

Ka qenë një ndeshje e barabartë dhe e kemi humbur atë nga një episod, ku ka gabuar mbrojtja jonë. Në këtë takim nuk kemi prodhuar lojë dhe kemi humbur shumë topa. Në ekip ka djem të rinj, të cilëve u mungon mentaliteti i fituesit dhe të qenit në krye të klasifikimit. Tani duhet të përqendrohemi te ndeshja e radhës”.

Të veçanta

– Takimi u zhvillua pa praninë e spektatorëve.

– Të pranishëm në tribunën “Vip” ishin kryebashkiaku i Peqinit, Ilir Rrushi, presidenti i Besës Nexhat Bizhdili,  zv/ministri Dashnor Bajaziti dhe presidenti i Elbasanit, Arben Laze.

– Endri Magani shënoi golin e tij të parë në karrierë si dhe të parin për Shkumbinin në këtë kampionat. Nga Taulant Ballhysa

About the author:

Leave a comment

Back to Top