Pasditen e së mërkurës, trajneri Daiu ka patur të gjithë lojtarët në dispozicion dhe ka përfituar për të zhvilluar një ndeshje kontolli brenda familjes. Binte në sy padyshim një formacion i parë i rinuar me lojtarë të afruar në merkaton e dimrit. Vetëm sulmi ka qenë reparti që i është besuar dyshes Bakiu – Mustafai, lojtarë të cilët kanë qenë pjesë e Shkumbinit qysh në fillim të sezonit. Në mesfushë është pritur rikthimi si titullar i mesfushorit, Fejzo Shenaj i cili pas dy sezonesh shumë të mira tek Shkumbini ka provuar të jetë pjesë e Kastriotit për 17-të javët e para të kampionatit dhe tani i është bashkuar sërisht grupit. Peqinasve i është bashkuar në një periudhë kohore shumë të shkurtër mesfushori gjirokastrit, Stoja. Por, shanset e këtij të fundit për të qëndruar janë të pakta. Ajo që binte në sy ka qenë qendra e mbrojtjes, ku janë parë të luajnë krah për krah dy mbrojtësit serb, Mujdragiç dhe Ferizoviç. “Dy sezone më parë teksa ishim pjesë e ekipit të Novi Pazar, kam luajtur kështu në krah me Mujdragiçin. Është kënaqësi e veçantë që historia përsëritet këtu në Peqin”, kujton Ferizoviç. Gjatë kësaj ndeshje kontrolli është vënë re nga afër edhe loja e sulmuesit të ri të Shkumbinit, serbit Grboviç i cili ka treguar shpejtësi dhe shkathtësi në veprimet sulmuese. Sot pritet që drejtuesit e Shkumbinit të paraqesin të plotë dokumentacionin e lojtarit për ta federuar dhe për ta pasur të gatshëm në takimin ndaj Vllaznisë.