Lorenc Pashja s’luan nga dëmtimi, por e do fitoren për dasmën nesërmbrëma
Ndeshja e parë e kampionatit, ku Shkumbini do të ketë përballë ekipin e Kastriotit, po pritet me mjaft interes. Për shkak të rikonstruksionit të fushës, ndeshja do të zhillohet në “Qemal Stafa”, me qëllimin për të marrë fitoren, duke e nisur mirë kampionatin. Fakti që takimi do të zhvillohet në Tiranë e bën më të domosdoshëm këtë objektiv, pasi është mirë ta tregojë punën e bërë që javën e parë.
Presidenti Ylli Ndroqi ka zhvilluar një merkato të fuqishme, duke sjellë në ekip disa nga futbollistët më të mirë të kampionatit, të cilët që në ndeshjen e parë me Shkumbinin do të dinë t’i tregojnë vlerat që kanë. Shkumbini do të dijë ta kërkojë suksesin në “Qemal Stafa” me Kastriotin, sepse do të ketë edhe një motiv më shumë për të festuar pas ndeshjes.
Fitorja e parë do të shërbejë si dhuratë për futbollistin peqinas Lorenc Pashja, i cili martohet të dielën. I gjithë ekipi është i ftuar në darkë për ceremoninë e dasmës, që do të organizohet në një nga lokalet e qytetit në Peqin. Pashja nuk do të jetë në Tiranë me ekipin, jo për shkak të dasmës, por për shkak të një dëmtimi në pulpë. Pashja ka besim te forca e ekipit edhe te puna e bërë, duke qenë i bindur në marrjen e një rezultati pozitiv.
“Ekipi është i ftuar në dasmën time dhe ata më kanë premtuar se do më sjellin si peshqesh fitoren. Jam i bindur se dasma e vërtetë do të fillojë kur të vijnë futbolistët nga Tirana,” – deklaron Pashja. Futbollisti që martohet të dielën nuk e fsheh dëshirën që të ishte pjesë e ekipit edhe në këtë ditë të shënuar të jetës së tij. Ai shprehet se ka ngulmuar pranë stafit për të qenë në ekip se e ndjen veten më mirë, por mjeku Edmond Mukaj e trajneri Josa nuk e kanë lejuar pa u shëruar plotësisht.
“Dita e diel është e shënuar për mua, por kjo do të merrte më shumë vlera po të isha në fushë me ekipin e më pas në ceremoninë e dasmës. Gjithsesi, kam besim tek fitorja, sepse ekipi do të luajë për vete dhe për mua. Shkumbini, si asnjëherë tjetër, ka grupin e duhur të lojtarëve në të gjitha repartet dhe synimet që kanë do t’i tregojnë që në ndeshjen e parë.
Fitorja në Tiranë është e domosdoshme. Për mua ka vlerë më shumë se tri pikët që do të marrim, pasi do të tregojë ambiciet tona e të presidentit Ndroqi, i cili ka investuar shumë,” – ka përfunduar Lorenc Pashja.
sportishqiptar
Tags: dasmën-e-Pashjes, lorenc-pashja