Zv/trajneri i Flamurtari, Sokol Branica, tregon për stërvitjen
Në përgatitjet që ekipi i Flamurtarit është duke zhvilluar në Ohër, ajo që mbetet më shumë e rëndësishme është pikërisht gjendja fizike e futbollistëve, ku nga dita në ditë lojtarët janë duke marrë ngarkesën e plotë. Fakti në fjalë pranohet edhe nga vetë futbollistët. Edhe pse ka pak lodhje në këmbët e tyre, diçka e tillë mbetet e natyrshme në këtë periudhe përgatitjesh, por rëndësishme është që me nisjen e kampionatit kjo fazë përgatitore të vlejë për të gjithë.
Referuar këtij fakti, është zv/trajneri i ekipit vlonjat, Sokol Branica, ai që pranon se nga futbollistët, edhe pse përgatitjet janë intensive, është marrë përgjigje pozitive në fushën e stërvitjes, çka është një detaj për t’u vlerësuar. Branica pranon se faza përgatitore e ekipit po zhvillohet në kushte mjaft cilësore dhe gjendja është pozitive dhe kjo ndihet edhe në klimën e krijuar brenda grupit.
“Gjendemi në Ohër prej rreth dy javësh dhe mund të thuhet që përgatitjet e kryera deri më tani kanë qenë mjaft intensive, por duhet pranuar edhe të lodhshme. Megjithatë, nga futbollistët sinjalet janë pozitive dhe kjo ndihet në çdo seancë stërvitore. Pavarësisht lodhjes që mund të ndiejnë, asnjë nuk është ankuar dhe kjo mbetet pozitive.
Kjo fazë do t’i shërbejë çdo futbollisti për kampionatin e ardhshëm dhe natyrisht besojmë se do të paraqitemi me një ekip kompetitiv. Na mbetet edhe java e ardhshme dhe mendoj se edhe gjatë javës së fundit këtu në Ohër, veç përgatitjeve, do të zhvillojmë edhe ndonjë tjetër takim miqësor.
Deri më tani, në tri të zhvilluara, kemi barazuar dy dhe humbur një, por nuk mund të ndalemi te rezultatet. E rëndësishme është që të shohim progres në përgatitjet e futbollistëve. Ditën e shtunë do të luajmë një tjetër takim, këtë herë përballë Shkumbinit dhe mendoj se është një takim që do t’u vlejë dy skuadrave.,” ka përfunduar zv/trajneri i Flamurtarit, Sokol Branica.
“Nuk mërzitemi nga rezultatet e miqësoreve”
Tags: flamurtarit, sokol branica