Wednesday, February 8th, 2012

Flamurtari tenton sërish për Ervin Bulkun

Published on August 10, 2010 by   ·   No Comments

Vlonjatët po përpiqen me të gjitha mundësitë për të marrë mesfushorin tiranas

Flamurtari po shkon gjithnjë e më shumë drejt riformatimit të skuadrës për sezonin e ri futbollistik. Prurjet e reja e kanë rritur ndjeshëm optimizmin në stafin teknik dhe te sportdashësit vlonjatë.

Tratativat e njëpasnjëshme të krerëve të klubit për të përforcuar skuadrën me elementë cilësorë, duket se kanë rezultuar efikase. Të paktën kështu duket nga ndeshjet miqësore që kuqezinjtë kanë zhvilluar deri tani. Flamurtari ka fituar dy herë, është mundur në dy sfida, ndërsa tri ndeshje i ka mbyllur në barazim.

Nga ana tjetër, gjatë këtyre ndeshjeve, dhjetë lojtarë të ndryshëm janë provuar në harkun kohor të një muaji. Teksa Magani dhe stafi i tij teknik kanë përzgjedhur më të domosdoshmit. Gjithsesi, krerët e klubit vlonjat nuk mjaftohen me kaq, teksa insistojnë për të bërë edhe dy blerje të tjera, një mesfushor dhe një sulmues. Burime të sigurta pranë presidencës kuqezi informojnë se kanë rinisur për të dytën herë tratativat me mesfushorin e kombëtares sonë, Ervin Bulku.

Për mesfushorin, vlonjatët kanë pasur interesim që para një muaji. Por për arsye të ndryshme, këto tratativa ishin ndërprerë. Sipas po këtyre burimeve, Bulku është kontaktuar me anë të linjës telefonike nga drejtuesit e klubit vlonjat dhe gjatë ditëve në vijim pritet të merret një përgjigje nga ish-mesfushori i Tiranës. Në rast se kjo tratativë mbyllet pozitivisht, atëherë me Bulkun dhe Devollin mesfusha vlonajte do bëhej mjaft e fortë.

Por njëkohësisht do të rritej akoma më shumë konkurrenca në këtë repart, çka do të nënkuptonte edhe shtimin e riskut për disa prej mesfushorëve të Flamurtarit për t’u ulur në stol. Ndërkohë, për sa i përket lojtarit tjetër që pritet të vijë, është një sulmues maqedonas. Për këtë lojtar ende nuk ka ndonjë informacion të saktë.

Por insistimi i drejtuesve të Flamurtarit për ta pasur këtë lojtar tregon se ai është cilësor. Aktualisht vija sulmuese e kuqezinjve përbëhet nga tre sulmues, Xhafaj, Plaku dhe Shehaj. Ndërkohë që vetë trajneri Gugash Magani nuk ka shprehur asnjë mendim për sa u përket këtyre dy lojtarëve, duke mos dashur të prishë atmosferën në ekip.

Çështja “Plaku”, ende e paqartë

Vazhdon të mbetet e paqartë situata për ish-sulmuesin e Tiranës, Sebino Plaku. Drejtuesit e klubit, edhe pse janë të bindur që lojtari do të qëndrojë me Flamurtarin, ata përsëri nuk e thonë me plot gojën. Shefi i klubit, Geri Çipi, rreth këtij problemi u shpreh: “Duhet pritur deri në afatin e dhënë nga disiplina për shlyerjen e pagesave të prapambetura nga ana e Tiranës për sulmuesin. Në rast se kjo gjë nuk arrihet, Plaku mund të quhet plotësisht pjesë e Flamurtarit.

Por unë jam i mendimit se tashmë kjo çështje ka përfundur dhe përpjekjet e Tiranës janë të kota, pasi këtë gjë e dinë vetë drejtuesit bardheblu.” Ndërkohë, dje, sulmuesi Sebino Plaku është paraqitur normalisht në stërvitjen e kuqezinjve, por nuk ka preferuar të shprehet për këtë problem.

/sportishqiptar/

Tags: , ,

Readers Comments (0)




Sponsor

Me te publikuarat

Sponsor

Recent Comments

Etiketa

Faqet

Translate

ArabicEnglishFrenchGermanItalianRussianSpanishTurkish

Statistika

Albanian Web Analytics