Presidenti shkodran Valter Fushaj, ka prekur “dorë” përgatitjet e ekipit në Zllatibor të Serbisë
Në 5 ndeshjet miqësore të luajtura në Serbi, ekipi i Vllaznisë ka humbur 4 prej tyre dhe ka barazuar vetëm një. Një situatë e tillë duket se ka filluar t’i bëjë disi pesimistë tifozët kuqeblu, të cilët duke u nisur pikërisht nga këto rezultate, nuk i shohin gjërat në vijë tek skuadra e tyre.
Por ai që mendon ndryshe dhe që jep garanci për një skuadër të fortë, krejt tjetër nga kjo e miqësoreve, është vetë presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj. Ai ka qenë i pranishëm në këtë miqësore të luajtur ndaj serbëve të Sevojno Uzhices dhe ka parë nga afër gjendjen e ekipit. Menjëherë pas kthimit në Shqipëri, për “Sportin shqiptar”, numri 1 i klubit shkodran do të shpjegonte gjithçka që kishte të bënte me përgatitjet e kuqebluve për sezonin e ri:
Z. Fushaj, sapo jeni kthyer nga Serbia. Cilat janë përshtypjet tuaja për kushtet në të cilat ishte duke u stërvitur atje Vllaznia?
Më kishin thënë përmes telefonit, por tani e konfirmova edhe me sytë e mi faktin që skuadra po stërvitej në kushte shumë të mira. Mikpritësit i kishin krijuar skuadrës të gjithë komoditetet e duhura për të qëndruar e stërvitur në kushte bashkëkohore.
Por ajo çfarë i shqetëson tifozët e Vllaznisë është gjendja e skuadrës. Të nisemi nga miqësoret. Janë 4 të humbura në 5 ndeshje të zhvilluara, pa njohur ende shijen e fitores. Çfarë po ndodh?
Të them të drejtën, edhe unë personalisht kam qenë pak i shqetësuar deri para se të nisesha vetë për në Serbi. Kryesisht për humbjet në ndeshjet miqësore. Pashë edhe ndeshjen e fundit dhe, ndonëse humbëm sërish, nuk u zhgënjeva aspak.
Skuadra luajti mirë, sidomos në pjesën e parë, goditi dy herë shtyllat, madje lojtarët tanë e tepruan teksa deshën të shënojnë gola edhe me thembër. Në pjesën e dytë gjërat ndryshuan disi për shkak të një mbrojtësi serb që kishte ardhur për t’u provuar. Dy gabime të rënda të tij dhe e pësuam, megjithatë askush në skuadrën tonë nuk u shqetësua nga kjo humbje, sepse Vllaznia po vjen gjithnjë në rritje.
Nëse kemi humbur në këto miqësore, kanë qenë edhe kushte të tjera që kanë ndikuar.
Cilat janë ato?
Në pesë ndeshjet miqësore të luajtura jemi ndeshur me katër ekipe, të cilat vinin pas pjesëmarrjes së tyre në Kupat e Europës, si Borac i Bosnjës, dy skuadrat malazeze Sutjeska dhe Zeta, ashtu dhe skuadra serbe me të cilën u ndeshëm së fundi, Sevojno. Që do të thotë se ata kishin formacione të konsoliduara, ishin më të përgatitur fizikisht se ne dhe po ashtu kishin edhe favorin tjetër, se kampionatet e tyre nisin më shpejt dhe ata janë plotësisht gati për ta.
Ndërsa ne jemi me dy javë vonesë në përgatitjet tona dhe prandaj ende nuk jemi plotësisht gati. Përpos kësaj, trajneri është duke punuar çdo ditë për konsolidimin e formacionit, prandaj në çdo ndeshje ka vend për eksperimentime.
Po diskutohet shumë aktivizimi i të gjithë futbollistëve të rinj në mesfushë gjatë ndeshjeve të fundit, duke lënë në stol titullarët. Çfarë po ndodhte në Zllatibor?
Diskutova gjatë me trajnerin edhe për këtë çështje dhe Radonjiçi më tha se është duke aktivizuar lojtarët që janë më në formë. Aktualisht më në formë duken futbollistët e rinj dhe prandaj po luajnë ata. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gjërat nuk do ndryshojnë në vazhdim.
Disa prej lojtarëve tanë i kanë filluar përgatitjet me vonesë dhe nuk gëzojnë ende formën më të mirë, si Sinani, Kukaj, Nallbani e ndonjë tjetër. Po ashtu, kemi pasur edhe disa dëmtime. Besoj se deri në javën e parë të kampionatit, apo ndonjë futbollist edhe pak më vonë, ekipi do jetë gati për të konkurruar denjësisht në kampionat.
Pesë miqësore të luajtura, asnjë gol i shënuar nga Vllaznia. A nuk është ky një problem i madh për këtë skuadër?
Edhe unë kështu mendoj, ndonëse trajneri Radonjiç më tha se në gjithë këto ndeshje nuk ka luajtur me qëllim fitoren e miqësoreve, por për konsolidimin e skuadrës. Personalisht mendoj se tek Vllaznia aktualisht ka konkurrencë të madhe, duke nisur nga porta, mbrojtja dhe sidomos në mesfushë, ku kemi dyndje lojtarësh.
Mbase jemi diçka më keq në repartin e sulmit, prandaj po presim edhe një lojtar tjetër. Kroati Jumiç luajti mirë në miqësoren e fundit që pashë unë dhe, nëse nuk shënoi, e pengoi edhe fati që nuk ishte në anën e tij. Nimani ka vlera, por nuk është një shënues i mirëfilltë, ndërkohë që Sinani ende nuk është gati plotësisht. Për këtë arsye mendoj se na duhet edhe një sulmues për t’u quajtur të kompletuar.
Kjo do të thotë se keni hequr dorë nga një mesfushor si Gilman Lika?
Jo, nuk kemi hequr dorë, por edhe për pak ditë ai nuk do të vendosë për fatin e tij deri pas ndeshjes së kombëtares. Duke qenë kështu, për momentin po mendojmë vetëm për sulmuesin, por edhe Likën e duam në skuadër dhe do të bëj çmos që ai të jetë pjesë e Vllaznisë sezonin e ardhshëm.
Së fundi, vërtet besoni se kjo skuadër mund të marrë trofe në sezonin e ardhshëm?
Ajo është ndërtuar për të qenë pretendente. E rëndësishme është që ka konkurrencë në çdo repart. Stafi drejtues po bën një punë të mirë dhe nuk ka pse të mos pretendojmë.
Mosha mesatare e ekipit, 21.5 vjeç
Në ndeshjen e fundit miqësore që ekipi i Vllaznisë ka zhvilluar ndaj Sevojno Uzhices, ka rënë në sy mosha e re mesatare e ekipit. Nga llogaritjet e bëra nga pjesëtarë të stafit drejtues, ka dalë që mosha mesatare ka qenë 21.5 vjeç. Ekipi kuqeblu duket se po rinovohet dhe stafi drejtues ka meritë për këtë, sepse po i jep përparësi aktivizimit të elementit të ri.
Sot, miqësorja me U 21 të Utrehtit
Pak kohë më parë Tirana u ndesh me holandezët e Utrehtit për takimet e Ligës së Europës. Sot, një tjetër skuadër shqiptare do të ndeshet me këta holandezë. Do jetë radha e Vllaznisë për të zhvilluar sot miqësoren përballë U 21 të Utrehtit. Këta të fundit kanë mbërritur para dy ditësh në kampingun e Zllatiborit dhe menjëherë kanë pranuar të luajnë me shkodranët. Për këta të fundit, kjo do të jetë miqësorja e gjashtë e tyre në Serbi dhe në këtë ndeshje do të kërkojnë edhe fitoren e tyre të parë. Para se të kthehen në Shkodër, futbollistët e Vllaznisë pritet të zhvillojnë edhe një tjetër takim miqësor ndaj një skuadre serbe.
/sportishqiptar/