Presidenti i shkodranëve përgënjeshtron “dhunën e medias” në miqësoren me Novi Pazarin
Skuadra që ai sponsorizon ndodhet prej 10 ditësh duke u stërvitur në Serbi dhe, ndonëse vetë nuk ka qenë ende atje, kontaktet me stafin i ka të vazhdueshme dhe të përditshme. Pikërisht për këtë arsye, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, nuk është ndier mirë kur ka lexuar e dëgjuar disa komente të bëra në shtypin e shkruar dhe atë elektronik në lidhje me problemet e ndodhura në ndeshjen e fundit miqësore kundër skuadrës së Novi Pazarit.
Pikërisht për këtë arsye, ai ka kërkuar të prononcohet, duke deklaruar: “Të them të drejtën, jam habitur nga lajmet që jepnin televizionet lokale në Shkodër, apo ato çfarë shkruanin disa gazeta në lidhje me akte dhune të ndodhur në ndeshjen e fundit miqësore. Kam lexuar se miqësorja me Novi Pazarin nuk ka përfunduar në minutën e 90 të, por është ndërprerë më herët për shkak të dhunës së krijuar në fushë nga futbollistët serbë dhe stafi i kësaj skuadre.
Kjo nuk është aspak e vërtetë. Dua të sqaroj publikisht se ndeshja është luajtur rregullisht deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit. Nuk ka pasur akte dhune a diçka të ngjashme me to. Thjesht ka qenë një ndeshje miqësore luftarake pak më fortë sesa zakonisht dhe kaq. Vllaznia ka pasur vetëm një pretendim për gol të anuluar në këtë ndeshje. Nuk kemi pasur asnjë problem tjetër.”
Për të mësuar të vërtetën, ai e pranon që është lidhur disa herë në telefon me drejtuesit e skuadrës që ndodhen në Zllatibor. Ka kërkuar informacion të hollësishëm dhe natyrisht që është zhgënjyer kur ka mësuar se e vërteta ishte krejt ndryshe nga sa trumbetohej në media. Klubi “Vllaznia” duket shumë i kënaqur me mikpritjen e palës serbe. Çdo gjë ka qenë perfekte.
Mikpritësit kanë bërë ç’është e mundur për t’u krijuar kushtet e duhura për trajnim dhe qëndrim dhe po ashtu u kanë siguruar edhe ndeshjet e duhura miqësore. Edhe presidenti Fushaj duket i kënaqur nga ajo çfarë ekipi i tij ka gjetur në këtë kamping serb dhe shton: “Çdo gjë ka shkuar mbarë për ekipin tonë gjatë ditëve të qëndrimit të tij në Zllatibor.
Kushtet kanë qenë shumë të mira, vendasit kanë qenë mikpritës, kemi luajtur miqësoret e duhura dhe prandaj nuk ka pse të kërkojmë për më mirë. Njëkohësisht nuk duhet të krijojmë një opinion të keq për serbët, sepse me ne janë sjellë shumë mirë. Unë vetë do jem nesër (sot) atje dhe jam shumë i bindur se kam për të gjetur atë ambient dhe ato kushte që më kanë thënë drejtuesit e skuadrës.
” Numri 1 i klubit shkodran është i kënaqur nga mënyra si kanë shkuar stërvitjet dhe gjithçka tjetër gjatë kësaj periudhe të qëndrimit të Vllaznisë në tokën serbe dhe shpreson që ky moment i mirë që po kalon skuadra të vazhdojë edhe pas kthimit të saj në Shkodër javën e ardhshme.
Presidenti, sot në Zllatibor për miqësoren e radhës
Valter Fushaj më në fund do t’i bashkohet skuadrës shkodrane sot në Zllatibor, në kampingun ku ajo është duke u stërvitur. Në fakt, ka dashur të shkojë më shpejt, por nuk ka mundur për shkak të angazhimeve të tij të shumta.
Do ta bëjë këtë gjë sot edhe për të parë nga afër se ku është me përgatitjet e saj Vllaznia. Arsyen pse ka vendosur të udhëtojë sot drejt Serbisë e bën të ditur vetë numri 1 i klubit shkodran, kur thotë: “Takimi i nesërm (i sotëm) është më i rëndësishmi në kuadrin e miqësoreve të luajtura, sepse do të ndeshemi me një ekip të mirë serb, që vjen nga pjesëmarrja në Ligën e Europës. Përveç kësaj, tashmë edhe ekipi i Vllaznisë gradualisht e ka marrë përgatitjen e duhur dhe besoj se do të zhvillojë një ndeshje të mirë. Për këtë arsye, unë vendosa të jem pranë skuadrës për të parë më nga afër se ku jemi me përgatitjet e sezonit të ri.”
Sevojno Uzhice, kundërshtari i sotëm i kuqebluve
Përballë Vllaznisë në miqësoren e saj të pestë do të jetë një tjetër skuadër serbe. Këtë herë kundërshtar është Sevojno Uzhice. Kjo skuadër sapo ka mbyllur përfaqësimin e saj në Ligën e Europës, teksa ka eliminuar në raundin e dytë lituanezët e Kaunasit, ndërsa në të tretin janë eliminuar nga francezët e Lilës. Sevojno fitoi të drejtën për të marrë pjesë në këtë kupë ngaqë ishte finaliste e Kupës së Serbisë sezonin e shkuar, ku humbi me Partizanin e Beogradit.
Por meqë Partizani kishte fituar edhe kampionatin, ishte Sevojno që fitoi të drejtën për të luajtur në Europës. Ndeshja me këtë kundërshtar do të jetë e parafundit për Vllazninë, sepse më 8 gusht do të ndeshet edhe me ekipin e U 21 të
Utrehtit të Holandës.
Sot vjen një sulmues serb
Afrimet te Vllaznia nuk kanë fund. Ditën e sotme pritet që me kuqeblutë të bashkohet një tjetër lojtar. Bëhet fjalë për një futbollist serb, i cili do të testohet disa ditë te skuadra shkodrane. Ende nuk është bërë i qartë emri i tij, por mësohet vetëm se ky futbollist luan në repartin e sulmit. Sipas presidentit Fushaj dhe drejtuesve të tjerë të klubit, kemi të bëjmë me një futbollist shumë të talentuar që nuk do ketë shumë nevojë për provë.
Arsyeja pse drejtuesit kuqeblu kanë vendosur të kërkojnë edhe një tjetër sulmues, ka pasur të bëjë me faktin se në katër miqësoret që Vllaznia ka zhvilluar në kampingun serb, nuk ka arritur të shënojë qoftë edhe një gol. Çfarë do të jetë ky sulmues që vjen? Për t’i dhënë një përgjigje të saktë kësaj pyetjeje, duhet të presim edhe pak ditë. Fjalë të mira u thanë edhe për kosovarin Limanaj fillimisht, por të martën ai është larguar nga skuadra shkodrane, sepse stafi drejtues ka dhënë verdiktin përfundimtar se ai nuk bën për këtë skuadër.
/sportishqiptar/
Tags: vllaznia