Wednesday, February 8th, 2012

Fushaj: Vllaznia është kompletuar, gati për kampionatin

Published on August 18, 2010 by   ·   No Comments

Ka pasur si qëllim të marrë edhe një sulmues tjetër për t’ia vënë në dispozicion trajnerit Radonjiç dhe kësaj ia ka arritur. Serbi Marko Jovanoviç është pëlqyer nga vetë njeriu që do të drejtojë kuqeblutë këtë sezon dhe ka firmosur kontratën e afruar. Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ndihet i qetë tashmë. Ka ndërtuar skuadrën që ka dashur dhe tashmë pret vetëm fillimin e kampionatit. “Vllaznia është plotësisht gati për nisjen e kampionatit. Deri para disa ditësh theksova që na duhej edhe një sulmues dhe tashmë me marrjen e Jovanoviçit gjërat janë krejtësisht në rregull. Jemi të plotësuar me lojtarët e duhur në të gjitha repartet. Besoj se kemi ndërtuar një skuadër të fortë, e cila do ta tregojë veten me fillimin e kampionatit,” ka thënë numri një i klubit shkodran. Ai ka nisur të pestin sezon të tij si president i Vllaznisë dhe gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar as zhgënjimet, por as edhe gëzimet për të. Në sezonin e kaluar për pak sa nuk e bëri pronë të vet për të dytën herë Kupën e Shqipërisë, trofe që e humbi pikërisht në finale ndaj Besës. Për rrjedhojë, e konsideroi atë sezon të dështuar profesionalisht. Në verë, ndërkohë, çoi ndër mend edhe largimin nga drejtimi i klubit 91-vjeçar pas mosmarrëveshjeve me Bashkinë Shkodër. Por problemet u sheshuan dhe Fushaj ka rinisur një periudhë të re me Vllazninë, në të cilën dëshiron ta nisë me këmbë të mbarë për të qenë sërish pretendent edhe në sezonin e ri. Ka bërë thuajse një rikonstruksion total të skuadrës, duke filluar nga lojtari i fundit dhe deri te trajneri. Ka zgjedhur për të drejtuar skuadrën një malazez me përvojë si Mojash Radonjiç dhe Fushaj deri më tani ka respekt maksimal për këtë njeri, duke e konsideruar një profesionist të vërtetë në punë. Ky trajner ka arritur të fusë një konkurrencë të madhe në skuadër, aq sa për momentin askush nuk e ka vendin e sigurt në formacion. Ai ka afirmuar disa të rinj, me të cilët kërkon natyrisht të shtojë egon e titullarëve të vjetshëm dhe deri më tani ia ka arritur mirë. Vetë Radonjiç ka theksuar: “Mund të na duhet edhe një mbrojtës i majtë, nëse na vjen nga merkatoja, sepse këtë pozicion nuk e kemi të dubluar aktualisht.” Pas kësaj kërkese të trajnerit, presidenti Valter Fushaj nuk mund të thotë “jo”. Për këtë arsye, dje ai e ka lënë të hapur mundësinë e ardhjes së një lojtari tjetër e për këtë ka thënë: “Në rast se do kemi nevojë për ndonjë lojtar të nivelit për Vllazninë, në pozicionet që ne mendojmë, nuk do të ngurrojmë ta marrim.” Dera është lënë e hapur. Të paktën edhe për një futbollist cilësor. Vllaznia edhe pa të konsiderohet e plotësuar me lojtarët e duhur dhe e gatshme të nisë kampionatin si pretendente. E thotë këtë edhe vetë Fushaj në fund, kur deklaron: “Vllaznia është e gatshme për të nisur kampionatin, kampionat në të cilin ajo hyn si pretendente. Ndoshta nuk kemi një skuadër me emra të mëdhenj, por kemi një skuadër me lojtarët e duhur.”

Miqësore me Tërbunin, nëse shtyhet premiera
Drejtuesit e ekipit të Vllaznisë janë duke pritur me jo pak interes vendimin e FSHF së për shtyrjen apo jo të ndeshjes me Bylisin. Siç është bërë e ditur, ditën e hënë krerët e klubit kanë kërkuar në zyrat e këtij institucioni shtyrjen e ndeshjes së parë të kampionatit për të mërkurën e ardhshme, ditë kur mund të luhej pa problem në “Loro Boriçi”. Duke pritur këtë vendim, stafi drejtues i Vllaznisë ka qenë pak i paqartë me mënyrën e stërvitjes së skuadrës. Nëse do të shtyhej ndeshja, ata kanë planifikuar zhvillimin e një miqësoreje gjatë kësaj jave me ekipin e Tërbunit. Nëse jo, atëherë duhet të bëhen gati për ndeshjen me ballshiotët, që mund të luhet ditën e diel në Laç.

Kuqeblutë, më në fund dje ditë pushimi
Pas shumë ditësh ngarkesë, dje futbollistët e Vllaznisë e kanë pasur pushim absolut. Ngarkesat e mëdha stërvitore me nga dy seanca në ditë, i kanë lënë vendin relaksit ditën e djeshme. Ata e kanë pasur të nevojshëm një gjë të tillë, ndërkohë që trajneri Radonjiç i kishte nxjerrë ata në stërvitje edhe të dielën, edhe të hënën, madje nga dy herë në ditë. Ditën e sotme ndërkohë do të nisë sërish puna me ekipin, teksa do të ketë vetëm një seancë paradite dhe tashmë Vllaznia ka filluar të bëhet gati për ndeshjen e parë të kampionatit, atë ndaj Bylisit. Për stafin drejtues është pak problem moscaktimi ende i ditës kur do të luhet kjo ndeshje, sepse në varësi të saj do të jetë edhe programi stërvitor i këtyre ditëve.

/sportishqiptar/

Perdoruesit qe gjeten kete artikull po kerkonin:

  • vllaznia kampionatet

Tags: ,

Readers Comments (0)




Sponsor

Me te publikuarat

Sponsor

Recent Comments

Etiketa

Faqet

Translate

ArabicEnglishFrenchGermanItalianRussianSpanishTurkish

Statistika

Albanian Web Analytics