Dyshja në mesfushë pritet të mbajë mbi shpatulla organizimin e lojës së verdhebluve këtë
Në mungesë të emrave të mëdhenj të merkatos, mesfusha e skuadrës verdheblu për sezonin e ri pritet të ketë protagonistë dy lojtarë të rinj të talentuar. Bëhet fjalë për 22-vjeçarin Renato Hyshmeri dhe 20-vjeçarin Orges Gava, të dy prodhime të shkollës elbasanase të futbollit. Të dy këta mesfushore me cilësi disi të kundërta, konsiderohen si lojtarët e së ardhmes së këtij klubi, megjithëse kanë të paktën 3 sezone që ata janë afruar dhe iu është dhënë dora për të qenë shpesh edhe titullarë të këtij ekipi.
Megjithatë, për më tepër, në sezonin e ri këta lojtarë pritet të jenë gjithnjë e më shumë të besuarit e trajnerit Krenar Alimehmeti. Lojtarët aktualisht gëzojnë një formë të mirë sportive, e treguar kjo edhe në miqësoren e parë sezonale kundër Bylisit. Tekniku tiranas Alimehmeti ka preferuar t’i shohë këta lojtarë afër njeri tjetrit në mesfushë, teksa Gava ka luajtur para mbrojtjes dhe Hyshmeri pas sulmuesve, duke ndërtuar aksione.
Rrallë këta lojtarë kanë luajtur së bashku ne mesin e fushës, pasi shpesh Hyshmeri është preferuar në krahun e majtë. Por kjo gjetje e trajnerit Krenar Alimehmeti, me sa duket, është një opsion që jo më kot po praktikohet tani gjatë verës, pasi tekniku Alimehmeti ka ndër mend të ndërtojë një modul fiks me këta futbollistë në këto role. Kjo hipotezë me Gavën dhe Hyshmerin në qendër të mesfushës bëhet më e mundur me afrimin në ekip të një anësori të majtë, si Sajmir Gjokeja.
Gava dhe Hyshmeri në fakt e njohin shumë mirë njëri tjetrin, pasi edhe në ekipin e të rinjve vite me parë kanë pasur mundësi të luajnë bashkë, ashtu sikurse edhe në dy vitet e fundit në ekipin e parë, pa harruar edhe prezencën e tyre të përbashkët në ekipin kombëtar Shpresa. Elbasani kuptohet qartë se kërkon të investojë te të rinjtë për sa kohe edhe Ristevski i ardhur nga ekipi kombëtar U-21 i Maqedonisë është 20 vjeç dhe gjithashtu Sadiku, një tjetër talent elbasanas, që erdhi nga Gramozi, nuk i ka kaluar të 20 at. “Trajneri ka idetë e vetë se ku do të luajmë ne.
Tani është kohë eksperimentesh në njëfarë mënyre, por sido që të jetë, unë do të luaj aty ku do t’i bëhet më mirë stafit teknik dhe objektivave të skuadrës,” – thekson Hyshmeri. Ndërsa Gava pohon: “E rëndësishme është që po punojmë shumë mirë dhe fort nën kryesimin e stafit teknik për sezonin e ri. Kemi ende kohë para dhe shpresojmë të dalim sa më mirë në kampionatin e ri, pasi edhe drejtuesit e skuadrës po bëjnë çmos që ekipi të kompletohet.”
Gava dhe Hyshmeri, “dirigjentët” e Elbasanit
Tags: elbasani, Krenar-Alimehmet, Orges Gava, renato-hyshmeri