Gava: Mos na gjykoni nga miqësoret

Gava: Mos na gjykoni nga miqësoret

No Comments on Gava: Mos na gjykoni nga miqësoret

Mesfushori elbasanas, Orges Gava, i cili është një prej futbollistëve të ardhur gjatë merkatos te Shkumbini, është duke rifituar formën e tij më të mirë. Dhe kjo falë punës që po tregon në stërvitje me peqinasit. Nga ky futbollist drejtuesit e klubit bardhekaltër presin shumë, pasi jo më kot ata i kanë besuar edhe qendrën e mesfushës, duke pasur parasysh se ai luan edhe me kombëtaren. Vetë lojtari, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet se është ambientuar mirë me skuadrën dhe premton se Shkumbini do të paraqitet ndryshe në kampionat. “Gjatë kësaj periudhe kemi zhvilluar një fazë përgatitore të ngjeshur, nga e cila besoj se kemi arritur të marrim më të mirën. Sigurisht që duke qenë një fazë seleksionuese, edhe në takimet miqësore që kemi zhvilluar formacioni nuk ka qenë asnjëherë i njëjtë dhe kjo ka bërë që ndoshta skuadra jonë të mos dalë në lojën e saj. Personalisht jam përshtatur me idetë e trajnerit Gugash Magani dhe për mua nuk është e rëndësishme se me kë do të luaj në qendër të mesfushës, pasi unë gjithmonë do të jap maksimumin. Ardhjen e mesfushorit Gjata e shoh si mjaft pozitive, pasi është një futbollist me eksperiencë në Superiore dhe pa dyshim që do të rrisë edhe konkurrencën në skuadër”, – pohoi Gava. Mesfushori bardhekaltër beson se Shkumbini do të paraqitet ndryshe në ndeshjet e kampionatit. “Ekipi ynë është në fazën e konsolidimit si grup, megjithëse do të shfrytëzojmë në maksimum edhe këtë periudhë të mbetur për të sistemuar çdo defekt në lojën tonë. Unë jam i bindur se skuadra jonë do të bëjë një paraqitje krejt ndryshe në kampionat, pasi dihet që në takimet miqësore që ne kemi zhvilluar rezultati nuk ka pasur rëndësi. Shpresoj që ta nisim me ‘këmbën e mbarë’ Superioren, duke ditur që ndeshjen e parë do ta zhvillojmë në fushën tonë përballë Teutës”.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top