Shkumbini do t’u rikthehet sot seancave stërvitore, teksa nuk mundi që në fundjavën e kaluar të luante një ndeshje miqësore me Erzenin. Ndërprerja e kampionatit, sipas mesfushorit Viktor Gjyla, nuk ka qenë e favorshme për ta, por është shfrytëzuar me stërvitje, me qëllim që të arrihet forma e plotë fizike, duke eliminuar edhe ndonjë mangësi të vërejtur në ndeshjet e fundit. Ditët e “pushimit” u kanë shërbyer disa futbollistëve të Shkumbinit për t’u riaftësuar plotësisht pas dëmtimeve. “Shkumbini nuk e ka dashur ndërperjen e kampionatit, por mendoj se gjatë këtyre ditëve jemi stërvitur fort, veçanërisht në aspektin e përgatitjes fizike, për të qenë të gatshëm për ndeshjet e radhës. Ndërprerja e kampionatit ka ardhur si me porosi për disa nga lojtarët tanë, që tashmë janë riaftësuar plotësisht,” – thotë mesfushori Viktor Gjyla. Lushnjari i peqinasve, që erdhi nga Partizani ishte nga të parët që iu bashkua Shkumbinit, duke u kthyer në një nga protagonistët e skuadrës. “Dandi”, siç e thërrasin në Peqin, ka luajtur si titullar në 10-të javët e deritanishme të kampionatit, duke kontribuar jo pak për ekipin si mesfushor krahu në ndihmë të sulmit. “Ndërprerja e kampionatit na dha mundësinë që të punojmë për të eliminuar gabimet në përballjen me kampionët. Personalisht mendoj se po arrij formën optimale dhe kam për të dhënë më të mirën time për Shkumbinin. Kalendarin e ndeshjeve e kemi të favorshëm, sepse kemi dy përballje në shtëpi. Duke nisur me Skënderbeun këtë fundjavë, duhet t’i mbyllim ndeshjet shpejt, që të mos vuajmë si me Laçin dhe po qe se marrim pikët maksimale, do të kemi vendin që meritojmë në renditje,” – ka përfunduar mesfushori i Shkumbinit, Viktor Gjyla.