Mesfushori lushnjar thotë se është mirë për ekipin dhe trajnerin, kur ka shumë alternativa
“Jemi plotësisht gati për ndeshjen e parë të kampionatit,” – thekson mesfushori lushnjar i Shkumbinit, Viktor Gjyla. Për të, faza përgatitore e zhvilluar në Maqedoni, ka qenë nga më të mirat dhe beson se pa dyshim ky fakt do të reflektohet në kampionat.
Si i vetmi futbollist jopeqinas, që vazhdon të jetë pjesë e Shkumbinit nga sezoni i kaluar (përjashto të huajt), Gjyla konstaton edhe ndryshimet e bëra me ardhjen e presidentit Ylli Ndroqi, i cili e ka kthyer Shkumbinin në pretendente për trofe.
Gjyla e vlerëson shumë të rëndësishëm faktin që ekipi ka qenë i plotë gjatë fazës përgatitore, pasi kështu të ardhurit kanë pasur mundësi të përshtaten, sidomos me anë të miqësoreve. “Kemi qëndruar një muaj në Maqedoni dhe kemi bërë një fazë përgatitore të shkëlqyer, një nga më të mirat për mua.
Tani na duket sikur kemi vite që luajmë bashkë, edhe pse grupi është pothuajse i ri. Këtë vit, me ardhjen e presidentit Ndroqi, janë rritur pretendimet e Shkumbinit.
Janë afruar futbollistë të spikatur të kampionatit tonë dhe, falë përvojës, ata janë përshtatur mjaft mirë me grupin. Kemi zhvilluar gjatë kësaj kohe disa miqësore, ku kemi treguar vlera.
Ato na kanë dhënë mundësi për të harmonizuar veprimet tona në fushë dhe mendoj se ia kemi arritur qëllimit,” – shprehet mesfushori Gjyla. Ai pranon se përforcimi i ekipit peqinas me emra si Mancaku, Kuli, Nora, Veliaj, Hodo etj., e ka rritur së tepërmi konkurrencën, që sigurisht do t’i bëjë mirë ekipit.
“Shkumbini është kompletuar në të gjitha repartet dhe askush nuk do ta ketë vendin të sigurt në formacion. Konkurrencë do të ketë në çdo repart, duke nisur nga porta, por më shumë rivalitet do të ketë në mesfushë, ku unë luaj.
Kjo është gjë e mirë, sepse na mban gjithmonë të karikuar për të dhënë maksimumin, na bën më të kujdesshëm. Nëse e humbet vendin e titullarit, është e vështirë për ta rimarrë. Eshtë mirë për ekipin dhe trajnerin, i cili, kur të kthejë kokën nga stoli, do të ketë alternativa.
Sa për veten, punoj gjithmonë për të dhënë më të mirën dhe për ta merituar fanellën e titullarit. Kam provuar shumë konkurrenca edhe më parë, ndaj nuk e diskutoj që do të jem në formacionin e Shkumbinit,” – ka përfunduar Viktor Gjyla.
Ekipi peqinas ka lënë mbrëmë Strugën për të mbërritur në orët e vona në Peqin. Fundjava do të jetë pushim për lojtarët e lodhur, të cilët do të grumbullohen të hënën.
/sportishqiptar/
Tags: lojtaret, mesfusha, Viktor-Gjyla