Friday, July 30th, 2010

Gugash Magani emërohet trajner i Shkumbinit

Published on July 5, 2009 by stilltoni   ·   No Comments

magani4/7/2009. Trajneri peqinas është emëruar dje nga kryebashkiaku i Peqinit, Ilir Rrushi

Gugash Magani do të vazhdojë të jetë trajneri i Shkumbinit edhe për sezonin e ri. Lajmi është bërë i ditur dje nga kryebashkiaku i Peqinit, Ilir Rrushi. Ai ka prezantuar edhe stafin drejtues, që ka mbetur i pandryshuar, por gjithsesi do të jetë vetë Magani ai që do të thotë fjalën e fundit për zëvendësin e tij dhe trajnerin e portierëve. “Shkumbini e ka trajnerin e vet për sezonin e ri dhe ekipi do të vazhdojë të drejtohet nga Magani, i cili është njeriu i duhur për të realizuar objektivat që kemi,” – deklaroi kryetari i bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushi, duke dhënë kësisoj edhe sinjalin për fillimin e punës së ekipit për sezonin e ri. Konfirmimi i Maganit do t’i japë mundësi atij të nisë konkretisht punën për ndërtimin e ekipit, kur pritet të ketë edhe lëvizje futbollistësh, nga kontigjenti i sezonit të kaluar. Peqinasi Magani konfirmohet gjithashtu si trajneri më jetëgjatë i kampionatit tonë, që pasi ka drejtuar për dy sezone një ekip, do të vazhdojë punën edhe në sezonin e tretë radhazi.

Në fakt trajneri i bardhekaltërve ka debutuar me sukses, pasi i tregoi vlerat e tij edhe si futbollist për 20 vjet, duke qenë dhe kapiten i Shkumbinit, teksa ka luajtur edhe për Partizanin e Tiranës. Nën drejtimin e tij në sezonin e fundit Shkumbini ishte shumë pranë kualifikimit për në finalen e Kupës së Shqipërisë, ndaj nuk kanë qenë të rastit ofertat që pati për të qenë trajner në ekipe të tjera, ndërsa më konkrete ishte oferta e Elbasanit.

Gjithçka mund të quhej e përfunduar, por erdhi kërkesa e drejtuesve peqinas dhe konkretisht e kryebashkiakut e ajo e deputetit Sula, që Magani “të dorëzohej”, duke pranuar rikthimin në shtëpi. Në dy ndeshjet e fundit të kampionatit të kaluar Magani u tërhoq nga drejtimi i Shkuminit për shkak të rezultateve të dobëta pas eliminimit nga kupa. Në dy ballafaqimet e fundit Shkumbinin e drejtoi zëvendësi i tij Branica dhe trajneri i portierëve Ballhysa.

“Nuk e patëm dhe aq të lehtë për ta bindur Maganin. Ishte dëshira jonë dhe e sportdashësve, duke gjetur zgjidhjen më të mirë. Këto ditë do të nisë edhe stërvitja e ekipit, fillimisht në Peqin, për të menduar më pas për zhvillimin e fazës përgtitore për kampionatin e ri,” – ka përfunduar kryebashkiaku Rrushi, që është edhe njëri nga financuesit e mbështetësit kryesorë të Shkumbinit në dy vitet e fundit.

Ali Hallulli
Sporti shqiptar


Readers Comments (0)




Te ngjashme