Friday, May 18th, 2012

Hallaçi: Titullin e shijoj te Tirana

Published on August 6, 2010 by   ·   No Comments

Ish-lojtari i “demave të kuq” Rraman Hallaçi nuk i trembet konkurrencës te bardheblutë

Rrahman Hallaçi ka vetëm tri ditë që është vënë nën urdhrat e trajnerit Sulejman Starova në përgatitoren e Pukës, megjithatë ka filluar që të flasë si bardheblu. Ish-lojtari i Partizanit, Elbasanit dhe Vllaznisë, edhe pse ka afro tetë vite që luan në superiore, ende nuk e ka shijuar titullin kampion. Duket se rolin e “shkesit” që ai të afrohej te bardheblutë, e ka bërë trajneri Starova, i cili i njeh mirë vlerat e lojtarit. Edhe pse mungon vetëm zyrtarizimi, vetë “Bobi” e ka konsideruar një lojtar me vlera Hallaçin.

Por ja çfarë thotë Rraman Hallaçi, në prononcimin për “Sportin shqiptar”: “Tirana është një skuadër e madhe, çdo futbollist që ka ardhur këtu ka fituar trofe dhe për këdo është një trampolinë e mirë jo vetëm për të luajtur jashtë vendit, por edhe për të arritur kombëtaren. Të them më drejtën, kam luajtur edhe në ekipe të njohura në superligë, si Partizani, Vllaznia apo Elbasani, dhe nuk e kam provuar ende shijen e të qenit lojtar kampion.

Te Tirana kam ardhur për të fituar titullin kampion. Kam tri ditë që jam bashkuar me skuadrën, por edhe para se të vija në Pukë jam stërvitur në mënyrë individuale. Kam pasur oferta, por siç e thashë edhe pak më sipër, kur bëhet fjalë për një ekip si Tirana nuk ia vlen të mendohesh dy herë.

Këtu kam gjetur ish-trajnerin që kam pasur te Partizani, Sulejman Starovën, me të cilin jam i bindur se këtë sezon do të kemi suksese.” Siç ka deklaruar një ditë më parë vetë trajneri Starova, te Tirana priten akoma të tjera përforcime cilësore, krahas lojtarëve aktualë. Edhe pse pritet që të ketë një dyndje futbollistësh para startit të sezonit te kryeqytetasit, Rraman Hallaçin nuk e tremb konkurrenca. “Unë e njoh pjesën më të madhe të lojtarëve që aktualisht janë pjesë e Tiranës.

Është e vërtetë që këtu në Pukë, ku po kryhet faza përgatitore, ka konkurrencë të madhe mes lojtarëve, por unë nuk i trembem aspak. Kudo ku kam luajtur unë e kam merituar dhe kam dhënë maksimumin tim. Kam afro një dekadë që luaj në superiore dhe e kam fituar eksperiencën e domosdoshme që të përfaqësoj denjësisht edhe fanellën e Tiranës në arritjen e synimeve që do të kemi sezonin e ardhshëm”, – e përfundoi prononcimin e tij për “Sportin shqiptar” përforcimi më i ri i bardhebluve, Rrahman Hallaçi.

Të mërkurën, miqësore me Besën

Pas miqësores që zhvilluan të mërkurën pasdite me Tërbunin në Pukë, trajneri Starova ka menduar edhe të tjera takime testuese. Por kësaj radhe 24 herë kampionët do të kërkojnë t’i masin forcat e tyre me një ekip të fortë. Siç ka konfirmuar “Bobi”, kundërshtari i radhës në miqësore i Tiranës do të jetë ekipi i Besës dhe sfida do të zhvillohet të mërkurën në Kavajë.

Të ardhurit, stërvitje individuale

Ndryshe nga pjesa e lojtarëve titullarë të ardhurit e fundit, Hallaçi dhe Gjondeda po punojnë me një program special të ideuar nga trajneri Starova dhe shefi Dimraj. Madje edhe mbrojtësi Dushku, por edhe lojtarët që janë aktivizuar me minutazh të shkurtuar në testin me pukjanët, kanë bërë stërvitje në stadiumin “Ismail Xhemali”.

Ahmataj dhe Karabeci, dëmtime të lehta

Dy nga lojtarët titullarë të skuadrës së Starovës, Julian Ahmataj dhe Erando Karabeci, kanë pësuar dëmtime të lehta, por që nuk rrezikojnë aspak. Kjo ka ardhur edhe nga ngarkesat e larta, duke pasur parasysh se faza përgatitore është në kulmin e vet. Gjithsesi, e rëndësishme është që asnjë prej lojtarëve nuk ka pësuar dëmtim të rëndë, madje e ka përballuar me sukses përgatitoren.

Luan Sengla plotëson stafin

Ndihmësi i Starovës në pankinën bardheblu, Luan Sengla, nuk udhëtoi me kontigjentin bardheblu të premten e kaluar drejt Pukës për arsye familjare dhe në vend të tij shkoi trajneri i U-19, Bedri Omuri. Ka disa ditë që “Lushku” është bashkuar me pjesën tjetër të stafit të ekipit kryeqytetas, duke qëndruar në krah të “Bobit”, Dimrajt dhe përgatitësit të portierëve, Astrit Nallbani.

/sportishqiptar/

Perdoruesit qe gjeten kete artikull po kerkonin:

  • rrahman hallaci

Tags: ,

Readers Comments (0)




Sponsor

Me te publikuarat

Sponsor

Recent Comments

Etiketa

Faqet

Translate

ArabicEnglishFrenchGermanItalianRussianSpanishTurkish