Isaj vulos fitoren në miqësoren me Ilirinë

Isaj vulos fitoren në miqësoren me Ilirinë

No Comments on Isaj vulos fitoren në miqësoren me Ilirinë

ILIRIA-SHKUMBINI 0-1
GOLAT: Isaj 46′
ILIRIA: Sejdini (Baku 50′), K.Baku, Lusha (Shehu 40′), L.Doçi (N.Doçi 52′), Paplekaj, Bejko, Caca (Lama 50′), Pashako (Hoti 75′), Balliu (Vathi 58′), Bratjaj, Bardhi. Trajner: F.Sala
SHKUMBINI: Kotorri (Ajazi 70′), Pashaj, Ramazani (Xhyra 56′), Vogli, Salliu, Gava, Gjata (Merxha 56′), Isaji (Branica 52′), Magani (Osmja 75′), Sulke (Lundraxhiu 53′), Musafaj. Trajner: G.Magani
GJYQTARË: Sh.Ziri, E.Hushi, B.Dyrmishi

Shkumbini ka fituar me rezultatin e ngushtë 1-0 në miqësoren ndaj Ilirisë, në fushën e kësaj të fundit. Golin për peqinasit e realizoi Isaj sapo kishte filluar pjesa e dytë. Fushë-krujasit, ndryshe nga 4 takimet e para miqësore, këtë herë kanë bërë një paraqitje mjaft të mirë ndaj peqinasve të Superiores. Ndonëse u mbyll me fitoren e ngushtë të skuadrës mike, takimi mund të kishte tjetër finalizim nëse do të ishin shfrytëzuar siç duhet rastet e krijuara në portën kundërshtare nga futbollistët e Ilirisë. Në sfidën e djeshme ra në sy mungesa e 3-4 lojtarëve titullarë për Ilirinë, si S.Gjokeja, Ivanaj, Kurti dhe Laskaj, të cilët nuk u aktivizuan për arsye shëndetësore. Në pjesën e parë, në të dy kampet është aktivizuar formacioni më i mirë dhe 15-20 minutat e para loja është përqendruar në mesin e fushës. Ka qenë minuta e 20-të kur, pas një krosi nga e majta e Balliut, Iliria ka rrezikuar, po nuk është shfrytëzuar mirë nga sulmuesi. Pas dy minutash është sërish Balliu ai që godet me kokë dhe rrezikon portën e Kotorrit. Një tjetër rast për gol regjistrohet për Ilirinë kur Bardhi godet, mirëpo topi përfundon në të djathtë të portës mike. Më pas janë miqtë nga Peqini që i afrohen golit me dy raste, ndonëse pa rezultat. 0-0 mbyllet pjesa e parë. Sa i takon fraksionit të dytë, ai fillon vrullshëm për Shkumbinin, që realizon në minutën e 46- të golin e parë me anë të Isajt pas një asisti të dhënë nga Sulkaj. Në këtë pjesë të dytë trajnerët bënë mjaft zëvendësime, gjë që i dha më tepër freski lojës. Në minutën e 52-të, pas një goditjeje dënimi për Shkumbinin nga 20 metra, ndërhyrja e portierit Baku i futur në pjesën e dytë për Ilirinë ka shmangur golin e dytë. Më pas vijnë raste sporadike nga të dyja skuadrat, por për t’u veçuar është minuta e 88-të, kur Brataj godet me kokë, mirëpo topi prek traversën dhe jashtë. Në të 90-tën minutë, Shehu i Ilirisë godet fuqishëm me kokë. Po kaq bukur shpëton portën edhe portieri Ajazi i Shkumbinit. Kështu përfundon krejt takimi, me fitoren e ngushtë 1-0 për Shkumbinin, i vulosur në minutën e 46-të nga Isaj.
Shkëlqim Hasani

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top