Isaji: Kotorri, Shenaj dhe Diop, në planet tona

Isaji: Kotorri, Shenaj dhe Diop, në planet tona

No Comments on Isaji: Kotorri, Shenaj dhe Diop, në planet tona

Shkumbini ka bërë një paraqitje pozitive në kampionatin që sapo u mbyll, duke arritur të sigurojë një vend mes ekipeve elitare edhe për sezonin e ardhshëm. Ecuria e mirë e bardhekaltërve dhe stafit teknik është marrë në konsideratë nga drejtuesit e klubit, të cilët do të mblidhen në fillim të qershorit për të vendosur pikat mbi “i” për sezonin e ardhshëm. Lidhur me projektet dhe planet e merkatos që ka kryesia për të ardhmen, shefi i klubit të Shkumbinit, Astrit Isaji, i zbardh ato. Në një bisedë për “Panorama Sport” ai shprehet se klubi synon të ruajë 99% të skuadrës së këtij sezoni. “Pas përfundimit me sukses të kampionatit, ku skuadra jonë arriti që të realizonte objektivin primar, atë të qëndrimit në Superiore, i gjithë stafi teknik dhe futbollistët janë lërë të lirë për të shijuar ditë të qeta pranë familjeve të tyre. Përfaqësimi i Shkumbinit me elemente të reja vendëse, të alternuara me disa futbollistë me eksperiencë, ka qenë një sprovë e vështirë, e cila duhet thënë se ka kaluar me sukses. Nisur nga kjo ecuri, ne si drejtues të klubit synojmë ta ruajmë pothuajse të plotë të gjithë grupin. Pra, me pak fjalë, 99% e lojtarëve shpresojmë që t’i mbajmë sërish në skuadër edhe për edicionin e ardhshëm. Edhe lojtarët jabanxhinj, Kotorri, Diop dhe Shenaj, janë në planet tona. Në fakt, ne kemi planifikuar që në ditët e para të qershorit të bëjmë një mbledhje klubi, ku do të jenë të pranishëm kryetari i bashkisë, Ilir Rrushi, donatori Dashnor Sula dhe bordi drejtues i Shkumbinit. Në këtë mbledhje do të përcaktohet pikë së pari stafi teknik i ekipit për sezonin e ri, ku do të vendoset nëse do të rikonfirmohet ai aktuali, apo nëse do të ketë ndryshime. Gjithashtu do të përcaktohet edhe buxheti, i cili do të përmbushë detyrimet financiare të klubit për sezonin e ardhshëm, dhe sigurisht më pas do të përgatiten edhe ofertat për futbollistët tanë”, – tha ndër të tjera Isaji. Më tej, shefi i klubit bardhekaltër foli për afrimin e donatorëve dhe synimet në merkato. “Ne si klub jemi të hapur për afrimin e sponsorëve apo donatorëve të ndryshëm, të cilët duan të bëhen pjesë e financimit të Shkumbinit për sezonin e ri, një pikë mjaft e rëndësishme për të ardhmen e skuadrës. Sa i takon merkatos, sigurisht që edhe ne kemi planet tona dhe synojmë të afrojmë 2-3 elementë cilësorë”, – shtoi shefi i klubit peqinas, Isaji.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top