Ja si ndryshon mesfusha e peqinasve

Ja si ndryshon mesfusha e peqinasve

Ja si ndryshon mesfusha e peqinasve

No Comments on Ja si ndryshon mesfusha e peqinasve

Shkumbini po vijon i qetë përgatitjet për të qenë gati në sfidën e parë të fazës së dytë, të cilën do ta zhvillojë në shtëpi përballë Bylisit. Grupi i futbollistëve është i plotë, kësisoj trajneri Mile gjatë kësaj jave do të përzgjedhë edhe formacionin e parë që do të aktivizohet në startin e kësaj faze. Ajo që duhet përmendur është se drejtuesit e klubit peqinas nuk arritën dot që të afrojnë në skuadër ndonjë element të ri nga merkatoja, duke i lënë zgjedhjet e trajnerit Mile sërish në grupin e futbollistëve që mbylli fazën e parë. Madje duhet pranuar se largimi i mesfushorit organizator, Arvist Gjata, drejt Tiranës ka krijuar një boshllëk të madh në mesin e fushës. Për rrjedhojë, trajneri beratas duhet të mendojë për zëvendësuesin ideal në këtë rol të vështirë. Në fakt, peqinasit kërkuan me insistim që të afronin mesfushorin e talentuar Gava, me të cilin gjetën edhe akordin, por klubi verdheblu e pengoi transferimin e tij. Sa i takon mesfushorit maqedonas, Kliment Nastovski, nuk dihet me siguri nëse do të jetë apo jo pjesë e Shkumbinit, në një kohë kur drejtuesit e klubit patën deklaruar se kishin rënë dakord me futbollistin në fjalë. Në këto kushte, zgjedhjet e Miles në repartin e mesfushës duket se do të jenë disi të detyruara, pasi futbollistët që janë në dispozicion të trajnerit nuk kanë eksperiencën e duhur për të mbajtur një peshë të rëndësishme të formacionit. Kështu, një prej alternativave për të luajtur përkrah Shenajt, të konfirmuar në qendër të mesfushës, është mesfushori i ri peqinas, Alban Isaji, i cili është aktivizuar shpesh edhe në fazën e parë. Nga krahët, alternativat kryesore të trajnerit Mile në këtë repart mbeten mesfushorët Kafazi, Sulkja e Magani, pa përjashtuar edhe mundësinë e spostimit përpara të mbrojtësit veteran, Pasha.

About the author:

Leave a comment

Back to Top