Ja si shpëton Shkumbini nga play-out

Ja si shpëton Shkumbini nga play-out

Ja si shpëton Shkumbini nga play-out

No Comments on Ja si shpëton Shkumbini nga play-out

Mbijetesa, shanset e skuadrave në finish
Dënimi dhënë Shkumbinit nga Komisioni i Disiplinës ka koklavitur tej mase zonën “play-out”, por pse jo edhe rënien direkt nga kategoria. Kështu, duke filluar që nga Tomori e deri te Apolonia, secila skuadër tashmë sheh jo vetëm “dritë në fund të tunelit”, por ka edhe më shumë sesa një rezultat, normalisht teorik, për të arritur objektivin e këtij fundsezoni. Referuar përballjeve të javës së fundit, “Panorama Sport” jep më poshtë të gjitha variantet teorike për secilën nga këto skuadra (Tomori, Shkumbini, Kamza, Pogradeci dhe Apolonia), të cilat janë të implikuara ngushtë me njëra-tjetrën dhe përveç rezultatit në fushë për hesap të vet, do jenë gjithë sy e veshë edhe nga përballjet e rivalëve direkt, prej të cilave do varet, pse jo, gjithë sezoni. Ndërkohë duhet thënë se llogaritë e mëposhtme janë bërë duke iu referuar renditjes aktuale të Superiores, pas vendimit të Disiplinës, pa marrë parasysh se çdo gjë mund edhe të ndryshojë nëse Apeli e rrëzon këtë vendim në mbledhjen e radhës (gjithnjë nëse Shkumbini apelon).

Si shpëton Shkumbini – Peqinasit (27 pikë) duhet të fitojnë me patjetër në Shkodër përballë Vllaznisë, por jo vetëm kaq: skuadra e Kristaq Miles duhet të shpresojë që edhe Apolonia të mund ta ndalë Tomorin, minimalisht në një barazim. Kështu Shkumbini shpëton direkt. Ndërkaq, peqinasit mund të shpëtojnë direkt edhe me një barazim në Shkodër, por gjithnjë nëse edhe Kamza nuk shkon më shumë se një barazim me Tiranën (ose humbet, mjaft që mos fitojë) dhe Tomori humb me Apoloninë. Të tria këto skuadra do shkonin me pikë të barabarta 28 dhe me ndeshjet direkte, Shkumbini do renditej para beratasve, pasi ka fituar 6-2 dhe humbur 1-0 me Tomorin, si dhe ka fituar 3-1 dhe humbur 1- 0 me Kamzën. Ndërkohë, humbja me Vllazninë, natyrisht e detyron Shkumbinin që ta luajë gjithsesi ndeshjen “play-out”, me një nga skuadrat e kreut (3, 4, 5) të Kategorisë së Parë.
Si shpëton Tomori – Beratasit (28 pikë) duhet të fitojnë në Fier për të qenë të sigurt për mbijetesën direkte, pa harruar që përballja është shumë vitale edhe për Apoloninë. Sakaq, nëse Tomori barazon, duhet të shpresojë që edhe Shkumbini apo Kamza të mos marrin më shumë sesa një pikë secila në përballjet që kanë, respektivisht me Vllazninë dhe Tiranën. Ndërsa nëse beratasit humbasin, eliminojnë “play-out”-in vetëm nëse humbasin edhe peqinasit dhe kamzalinjtë, në të kundërt, do jenë të detyruar të luajnë edhe nga një ndeshje shtesë me një nga ekipet e Kategorisë së Parë për të qëndruar në Superiore edhe sezonin tjetër.
Si shpëton Kamza – Kamzalinjtë (27 pikë) duhet të paktën të fitojnë në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës dhe përveç kësaj të shpresojnë që Shkumbini të mos fitojë në Shkodër (barazim ose humbje) dhe Tomori të mos fitojë në Fier (barazim ose humbje). Çdo rezultat tjetër do t’i detyronte blutë nga rrethinat e kryeqytetit që të luanin edhe një ndeshje shtesë me një nga ekipet e Kategorisë së Parë. Edhe sikur Tomori të humbë dhe Kamza veçse të barazojë, të dyja skuadrat do kishin pikë të barabarta, por në ndeshjet direkte është skuadra beratase ajo që ka dalë më mirë (ka fituar 4-1, është mundur 2-1 nga kamzalinjtë).
Si shpëton nga rënia Pogradeci – Liqenorët (19 pikë) hë për hë janë të sigurt se nuk i ndahen edhe një ndeshje shtesë, por ata rrezikojnë seriozisht edhe rënien direkt nga kategoria duke qenë se në ndeshjen e fundit do të kenë përballë Skënderbeun. Korçarët nuk mund të tolerojnë as barazimin, pasi në të kundërt mund që të humbin titullin kampion, pikërisht në javën e fundit. Në këtë kontekst, për të luajtur ndeshjen shtesë (pra për të mos rënë nga kategoria) më së pari duhet të fitojnë ndaj Skënderbeut. Në të kundërt, nëse barazojnë, duhet të shpresojnë që Apolonia nuk shkon edhe ajo më shumë sesa një barazim në fushën e vet me Tomorin. Ndërsa nëse Pogradeci humbet, për t’i shpëtuar rënies duhet që edhe Apolonia të humbasë me Tomorin.
Si shpëton nga rënia Apolonia –Fierakët (18 pikë) duhet më së pari të mundin në fushën e tyre Tomorin. Por kjo gjë ndoshta nuk do t’u mjaftonte nëse edhe Pogradeci (teorikisht) do fitonte me Skënderbeun. Edhe nëse Apolonia do barazonte me Tomorin dhe Pogradeci do humbiste me Skënderbeun, çka do të thoshte barazim me pikë nga 19, përsëri do të ishin liqenorët ata që do shkonin në “play-out”, pasi në ndeshjet direkte kanë fituar 2-3 në Fier dhe kanë barazuar 1-1 në Pogradec. Kështu që çdo rezultat tjetër i Apolonisë, përveçse fitorja me Tomorin dhe humbja ose barazimi i Pogradecit me Skënderbeun, do ta rrëzonte direkt nga Kategoria Superiore.

VARIANTET PËR SECILËN SKUADËR
SI SHPËTON TOMORI
Tomori fiton me Apoloninë.
Tomori barazon, por duhet që edhe Shkumbini e Kamza të barazojnë.
Tomori humbet, por duhet që edhe Shkumbini e Kamza të humbin.
SI SHPËTON SHKUMBINI
Shkumbini fiton me Vllazninë dhe Tomori nuk fiton në Fier.
Shkumbini barazon, Kamza barazon dhe Tomori humb me Apoloninë.
SI SHPËTON KAMZA
Kamza fiton me Tiranën, Shkumbini humb ose barazon në Shkodër dhe Tomori humb ose barazon në Fier.
SI SHPËTON POGRADECI
Pogradeci fiton me Skënderbeun dhe luan “play-out”.
Pogradeci barazon dhe Apolonia barazon ose humb me Tomorin.
Pogradeci humb dhe Apolonia humb me Tomorin. Në të tria rastet liqenorët luajnë veçse për “play-out”.
SI SHPËTON APOLONIA
Apolonia fiton dhe Pogradeci barazon ose humb me Skënderbeun.
Çdo rezultat tjetër i Apolonisë, përveç fitores, i rrëzon në Kategori të Parë.

About the author:

Leave a comment

Back to Top