Janina, një dashuri shqiptare, pritet dhe sulmuesi i Shkumbinit
Në kampin peqinas ende nuk ka qartësi për të ardhmen në ekip. Tashmë qarkullojnë vetëm fjalë për presidentin e ri, pasi burime të tjera e zyrtarizojnë Dyrmishin në donatorët e ekipit beratas, Tomori. Kjo situatë kaotike duket se po përçohet edhe tek lojtarët të cilët janë bërë konfuzë me të drejtë dhe nuk po e kuptojnë se cila mund të jetë e ardhmja e tyre. Që prej dy javësh sulmuesi i Shkumbinit, Mustafai ka kaluar të gjitha provat tek ekipi i Pas Janinës dhe ka pritur vetëm OK nga pala e Shkumbinit për t’u bashkuar kampionatit grek. Në një kontakt me të mësojmë se lojtarit vazhdojnë t’i refuzohet dhënia e kartonit. “Kam kaluar me sukses provën me ekipin e Pas Janinës dhe që prej 10 ditësh kam pasur të gatshme një kontratë për ta firmosur atë. Kam ardhur në Peqin dhe kam kontaktuar me shefin e klubit, Isai, por përgjigja ka qenë negative duke më refuzuar dhënien e kartonit. Sado që kemi patur shpresa për ndonjë rregullim të situatës në ekipin tonë të Shkumbinit gjithçka duket e pashpresë. Kjo më ka bërë që të kontaktoj sërish shefin e klubit, por sërisht kam marrë përgjigje negative. Në realitet ndjej keqardhje pasi tashmë jemi në një dilemë të madhe për të ardhmen tonë; Tek Pas Janina më kërkojnë ende dhe më kanë hapur derën. Në rast se situata në ekipin e Shkumbinit do të rregullohej shpejt atëherë mos largimi im do të ishte kuptim i plotë. Por në këtë gjendje mendoj se do të ketë shumë vështirësi në ecurinë e kampionatit, ndaj kërkesa ime ka qenë që drejtuesit të më jepnin leje për të vazhduar në Greqi një tjetër karierë. Shpresoj që gjithçka të marrë zgjidhjen e duhur ku të paktën të përcaktojmë qartë se cila do të jetë e ardhmja jonë këtët sezon”, ka përfunduar Mustafai.
Vila dhe Lila
Dy futbollistët e skuadrës përfaqësuese Andi Lila dhe Emiliano Vila janë futbollistë të Janinës. Të dy lojtarët kanë pasur shumë bisedime gjatë verës dhe në fund kanë vendosur të transferohen në Greqi. Lila ka arritur akordin me Tiranën të shkojë në parametra zero ndërsa Vila ka arritur të bindë Dinamon e Zagrebit të paguajë vlerën e kartonit.
