Dinamo
Kampionia në fuqi e ka nisur sezonin me ndërrimin e trajnerit. Shkëlqim Muça, i liruar nga detyra, ia ka lënë vendin një argjentinasi, Manuel Blanko. Me të në krye, blutë kanë luajtur edhe dy ndeshjet e Ligës së Kampioneve, ndaj FC Sherif, duke mos e kaluar dot turin. Vlen të evidentohet fakti se me trajner të huaj, Dinamo nuk është shpallur asnjëherë kampione.
Po kështu, kanë humbur edhe Superkupën e Shqipërisë. Një nisje jo fort pozitive e edicionit të ri. Janë larguar disa lojtarë kampionë me peshë, të zëvendësuar nga disa të tjerë të pakonfirmuar. Blerja kryesore është Muzaka, që ka shtuar numrin e kuqezinjve të Dinamos, bashkë me portierin Hidi, por ka pakësuar numrin e kampionëve. Objektiv mbeten, si gjithnjë, trofetë sezonale, titull dhe kupë. Avantazh i bluve edhe për këtë sezon është ruajtja e bazës së ekipit, gjë e cila mund të prodhojë suksesin e radhës.
Të ardhur: Gjergji Muzaka (Tirana), Esteban Garcia (Argjentinë), Nestor Martinena (Argjentinë), Isli Hidi (Krivbas Ukrainë), Asion Daja (Shkumbini), Isidor Sekseri (Shkumbini), Bledion Guga (Flamurtari), Saimir Gjokeja (Kamza)
Të larguar: Elvis Kotorri (Shkumbini), Bekim Kuli (Shkumbini), Papa Diop (Arabi), Maksimiliano Timpanaro(?), Nikola Delmonte (?), Rafael Soza (Skënderbeu)
Trajner: Luis Blanko (Argjentinë)
Besa
Ka pësuar një “transfuzion” të plotë. 11 nënkampionë dhe fitues të Kupës së Shqipërisë janë larguar nga Kavaja, të zëvendësuar nga po kaq lojtarë të tjerë, “të importuar” nga jashtë, si dhe vendas. Koka drejtuese e verdhezinjve mbetet e njëjtë, me duetin Bizhdili-Duro. Besa, e cila zhgënjeu mjaft në Ligën e Europës me Olimpiakosin, e ka nisur sezonin e ri me një trofe, Superkupën,
Të cilën e fitoi për herë të parë, një ogur i mirë për të bërë “sefte” edhe me titullin aq shumë të dëshiruar, objektivi kryesor i verdhezinjve në sezonin që nis sot. Fitimi i Superkupës e ka shtuar optimizmin në kampin kavajas se objektivi edhe mund të arrihet, por ndryshe nga një vit më parë, pritet që këtë sezon lufta për trofe të jetë më e madhe. Besa ka pësuar largime “gjeneralësh” të spikatur, por duket se ka afruar një grup solid dhe premtues.
Të ardhur: Semir Haxhibuliç (Gramozi), Akil Jakupi (Teuta), Edin Feruzoviç (Shkumbini), Brios Osmani (Maqedoni), Dimitri Lazarevski (Maqedoni), Marko Dos Santos (Gramozi), Betim Aliju (Maqedoni), Sead Haxhibuliç (Apolonia), Bilal Velija (Maqedoni), Marius Ngjela (Partizani), Alfred Osmani (Kamza)
Të larguar: Endri Vrapi (Skënderbeu), Erbim Fagu (Skënderbeu), Bledi Shkëmbi (Skënderbeu), Alban Dragusha (Skënderbeu), Orges Shehi (Skënderbeu), Daniel Xhafaj (Flamurtari), Bledar Mancaku (Shkumbini), Renato Arapi (Shkumbini), Vioresin Sinani (Vllaznia), Dritan Babamusta (?), Blerim Hasalla (?)
Trajner: Shpëtim Duro
Tirana
Skuadra bardheblu ka demonstruar gjatë këtyre kohëve dualizmin drejtues mes shefit të klubit, Rauf Dimraj, dhe presidentit Refik Halili. Megjithatë, duke qenë se ka shijuar plot 24 tituj kampioni, e mësuar me të tillë objektiva, Tirana i ngjan “shqiponjës me dy krena”. Për herë të parë në dekadën e fundit, bardhebluve u mungon kapiteni Devi Muka. Por i janë larguar edhe “big” të tjerë, të pazëvendësuar në cilësi.
Muzaka-Devolli-Sefa kanë zgjedhur eksperienca të reja, çka do të thotë se Tirana ka humbur mesfushën. Edhe Abrahami përbën një “vlerë të munguar” tek 24 herë kampionët e vendit. Afrimet nuk “ta mbushin syrin”, ashtu sikurse “telenovelat” e lojtarëve të tillë, si Plaku, Lila, Hysa, e bëjnë të zymtë situatën tek kryeqytetasit, që lakmojnë titullin, por nuk i përmbushin pritshmëritë e tilla, si gjithmonë, “violina të para”. Sulmuesi Pero Pejiç dhe portieri Ilion Lika janë afrimet më të spikatura.
Të ardhur: Pero Pejiç (Kroaci), Iljon Lika (Kastrioti), Enco Malindi (Skënderbeu), Vilfort Hysa (Teuta), Migel Metani (Gramozi), Erjon Dushku (Teuta), Rrahman Hallaçi (Partizani), Ognjen Sinik (Serbi), Arturs Silagailis (Letoni), Shpëtim Babaj (Gramozi), Oriand Abazaj (Kastrioti), Gentian Gjondeda (Kastrioti)
Të larguar: Devi Muka (?), Arbër Abilaliaj (Kroaci), Alechenu Abraham (Greqi), Gjergji Muzaka (Dinamo), Ditmar Bici (Skënderbeu), Jetmir Sefa (Skënderbeu), Bledar Devolli (Flamurtari), Pece Korunovski (?)
Trajner: Sulejman Starova
Laçi
Një sezon për t’u vendosur në “kornizë” ai i shkuari, që e dërgoi skuadrën kurbinase për herë të parë në Kupat e Europës, ku pësoi edhe dështimin spektakolar me Dnjepr Mogilevin e Bjelorusisë. Situata u përkeqësua më tej, me akuzat e presidentit Laska për shitje të ndeshjes nga disa lojtarë, të cilët edhe u larguan, me në krye kapitenin Brahja.
Plot 12 lojtarë të larguar, çka përkthehet në një “hemorragji” totale, vështirë për t’u kompensuar nga afrimet e reja. Përforcimet e mbërritura nga kampionati shqiptar duken të dobëta në emra, ndërsa ato nga jashtë mbeten për t’u konfirmuar. Stafi drejtues, me duetin Nica-Laska, mbetet i njëjtë, por vështirë të mendohet një sukses i kampionatit që shkoi. Objektivi i Laçit, nga sa duket, do të jetë qëndrimi në kategorinë superiore.
Të ardhur: Liridon Leci (Vllaznia), Enri Tafaj (Kamza), Elton Doku (Skënderbeu), Bledar Vashaku (Teuta), Stipe Buljan (Kroaci), Silvio Çavriç (Kroaci), Mirograd Karaxhiç (Kroaci), Aldo Mitre (Dinamo), Olti Bishani (Vllaznia), Ardian Gega (Naftëtari), Julian Malo (Kamza)
Të larguar: Arlind Nora (Shkumbini), Ervin Llani (Elbasani), Emiliano Veliaj (Shkumbini), Valdano Nimani (Vllaznia), Julian Brahja (Flamurtari), Jetmir Nino (?), Emiljano Çela (Elbasan), Eduart Tanushi (Ada), Kelvin Jushi (Kastrioti), Denis Mustafaraj (?), Enis Haxhiu (?)
Trajner: Stavri Nica
Shkumbini
Ka nisur një epokë të re, me ardhjen e presidentit Ylli Ndroqi, e cila ka nisur që me ndërrimin e tapetit (fushës) së stadiumit, që kishte mbetur në kushte të vështira, por edhe të skuadrës. Në gjirin e ekipit bardhekaltër janë afruar disa lojtarë të spikatur, ndonjëri prej tyre edhe ish-kampion i vendit, çka përmbush objektivat e drejtuesve të rinj: marrja pjesë në Kupat e Europës.
Portieri Kotorri në portë, Bekim Kuli në mesfushë, por edhe Arlind Nora, në skajin tjetër të formacionit peqinas, përbëjnë siguri të mëdha për arritjen e objektivave të Shkumbinit në sezonin që nis. Ka një trajner të ri, ambicioz në punën e tij, si Mirel Josa, që falë mbështetjes financiare dhe krijimit të kushteve optimale, mban gjallë shpresat e tifozërisë peqinase.
Presidenti Ndroqi e ka shpallur hapur: Shkumbini synon një nga dy trofetë, minimalja është pjesëmarrja në Europë.
Të ardhur: Bledar Mancaku (Besa), Renato Arapi (Besa), Bekim Kuli (Dinamo), Elvis Kotorri (Dinamo), Arlind Nora (Laçi), Robert Grizha (Skënderbeu), Emiliano Veliaj (Laçi), Roland Dervishi (Elbasani), Aleksandër Kristevski (Maqedoni), Arben Likmeta (Teuta), Bledar Hodo (Teuta)
Të larguar: Sasha Gjorevski (Serbi), Asion Daja (Dinamo), Endri Bakiu (Elbasani), Isidor Sekseri (Dinamo), Ilirjan Çaushaj (Tomori), Edin Feruzoviç (Besa), Endri Bakiu (Elbasani), Ardi Sekseri (?), Erjon Xhafa (Kastrioti)
Trajner: Mirel Josa
Flamurtari
Ka blerë lojtarë me përvojë, që e dinë se ç’është titulli kampion, por ka ruajtur edhe grupin kompakt dhe cilësor të sezonit që shkoi. Trajneri mbetet i njëjti, peqinasi Gugash Magani, që gëzon mbështetjen e presidentit Shpëtim Gjika. Investimet e mëdha financiare të këtij të fundit kanë krijuar një Flamurtar me pretendime të mëdha, ku elementi i ri dhe i talentuar, i gërshetuar me lojtarët e përvojës, përbën edhe garancinë më të madhe për sukses.
Me afrimin e një sulmuesi të vërtetë, që mund të zëvendësojë sadopak të larguarin Memelli, Flamurtari duket në rrugën e duhur të objektivit: fitimin e një trofeu. Titulli kampion lakmohet edhe në Vlorë, ku të gjithë presin Flamurtarin e lavdishëm, të viteve ‘80. Afrimi i lojtarëve të tillë si Devolli, Ahmataj, Daniel Xhafa e përforcojnë egon vlonjate.
Të ardhur: Daniel Xhafaj (Besa), Bledar Devolli (Tirana), Julian Brahja (Laçi), Mikel Spaho (Lushnjë), Zekiria Ramadani (Azerbajxhan), Julian Ahmataj (Tirana)
Të larguar: Migen Memelli (Arabi), Argent Halilaj (Kastrioti), Bledion Guga (Dinamo), Ermir Strati (Vlora), Devis Mema (?)
Trajner: Gugash Magani
Vllaznia
Me trajner të ri, malazezin Radonjiç, Vllaznia përbën një “potpuri shkodrano-sllave”. Pasi kemi rikthimin e lojtarëve shkodranë, që militonin nëpër skuadrat e tjera të rretheve (Sinani, Nimani, Gocaj, Kaçi etj), por edhe përforcimet e ardhura nga republikat e ish-Jugosllavisë. Objektivi i kuqebluve nuk është përfolur qartësisht nga drejtuesit e Vllaznisë, të cilët duket se presin ta shohin grupin e tyre “në veprim”, në ndeshje zyrtare, për të parë edhe efikasitetin e merkatos së verës.
Mbetet një “pikë nevralgjike” ulja në stol e lojtarëve me eksperiencë nga trajneri malazez dhe stimulimi i elementit të ri. Se sa garanton sukses ky i fundit dhe si do të komportohen të parët me zgjedhjet e Radonjiçit, mbetet për t’u parë. Largimi Bekim Balës “prodhoi” para për Vllazninë, por përbën një “gropë” për t’u mbushur.
Të ardhur: Olsi Gocaj (Kastrioti), Valdano Nimani (Laçi), Albert Kaçi (Apolonia), Vioresin Sinani (Besa), Liridon Kukaj (Gramozi), Miroslav Vujadinoviç (Buduçnosti), Daniel Jumiç (DACSllovaki), Marko Jovanoviç (Serbi)
Të larguar: Safet Osja (Elbasani), Enkel Alikaj (Kastrioti), Bekim Bala (Gençerbirligi Turqi), Liridon Leci (Laç), Zelko Mrvajeviç (?), Sead Haxhibuliç (Besa), Edmond Doçi (Teuta), Olti Bishani (Laç)
Trajner: Mojash Radonjiç (Mali i Zi)
Teuta
Skuadra durrsake e nis sezonin e ri me trajner të ri, Edi Martini. Ajo që vlen të evidentohet është edhe ndërrimi thuajse total i grupit të sezonit që shkoi. Këtë vit do të shohim një “baby Teuta”, pasi janë afruar lojtarë me moshë të re dhe të paafirmuar në nivelet e larta të futbollit shqiptar.
Trajneri Edi Martini duket se do të ketë një punë jo fort të lehtë përpara, megjithatë, në një stadium të ndriçuar tashmë, me pritshmëri të mbështetjes së tifozëve edhe më të madhe se në të shkuarën, Teuta e Durrësit mbetet në të njëjtat “gjatësi vale”. Që do të thotë se objektiv të saj parësor ka qëndrimin në superligë dhe shkuarjen sa më larg të jetë e mundur në Kupën e Shqipërisë. Ku edhe shpresohet për ndonjë “zonë europiane”. Çka e ka shijuar edhe më parë skuadra e presidentit Hasanbelliu, që vijon të mbështetet tek elementi i ri.
Të ardhur: Alsid Tafili (Kosovë), Erlis Frashëri (Skënderbeu), Eni Naço (Skrapari), Jetmir Nino (Laçi), Taulant Sefgjini (Laçi), Brunild Pepa (Lushnje), Xhavit Kaloti (Gramsh), Andi Bakiasi (Skrapar), Flamur Tahiri (Maqedoni), Edmond Doçi (Vllaznia), Arjan Sheta (Partizani), Alban Dashi (Partizani), Erjon Hoti (Gramozi)
Të larguar: Bledar Vashaku (Laç), Akil Jakupi (Besa), Erjon Dushku (Tirana), Elton Muçollari (Kastrioti), Vangjel Mile (?), Vilfort Hysa (Tirana), Shpëtim Imeraj (?), Arben Likmeta (Shkumbini), Fatmir Caca (Kastrioti), Erald Deliallisi (?), Bledar Hodo (Shkumbini), Aldo Guna (?)
Trajner: Edi Martini
Skënderbeu
Skënderbeu i presidentit Agim Zeqo është pa dyshim “mbreti i merkatos” së verës. I mbijetuar me mjaft peripeci në superligë, Skënderbeu i këtij sezoni ka “oreks të madh”. Në Korçë, pas disa dekadash, është ringjallur ëndrra e titullit kampion. Një projekt që ka nisur me vendosjen e një trajneri të freskët kampion, si Shkëlqim Muça, i cili ka udhëhequr edhe merkaton.
Duke i marrë “pjesën e luanit” Besës së Kavajës, por edhe me afrime të elementëve të tjerë të spikatur në kampionatin shqiptar, si Jetmir Sefa, Rafael Soza, Mlladen Brkiç, skuadra korçare duket në “skalionin” e parë të skuadrave me pretendime të mëdha. Garancia financiare, trajneri i sprovuar, grupi i plotë, i përbërë me elementë cilësorë, por edhe “uria” e mjedisit futbolldashës korçar për trofe, duket se përbëjnë bazat e një suksesi të pritshëm. Pjesëmarrja në Kupat e Europës, si objektivi më minimal, duket plotësisht i arritshëm për Skënderbeun.
Të ardhur: Endri Vrapi (Besa), Erbim Fagu (Besa), Bledi Shkëmbi (Besa), Alban Dragusha (Besa), Orges Shehi (Besa), Ditmar Bici (Tirana), Jetmir Sefa (Tirana), Olgert Ahmetlli (Gramozi), Ivan Joliç (Kroaci), Vlado Markoviç (Maqedoni), Borce Ristovski (Maqedoni), Rafael Soza (Dinamo), Luko Biskup (Maqedoni), Eftim Aksentiev (Maqedoni), Davor Bratiç (Maqedoni), Mlladen Brkiç (Apolonia), Butrint Vishaj (Kosovë)
Të larguar: Robert Grizha (Shkumbini), Klevis Roshi (Bylis), Erlis Frashëri (Teuta), Enco Malindi (Tirana), Milaim Guerrib (Kastrioti), Leskarovski (?), Kosturanov (?), Jorgo Çipi (?), Elton Doku (Laçi), Arlind Xaka (?)
Trajner: Shkëlqim Muça
Kastrioti
Ashtu si në të kalurën, edhe këtë vit krutanët kanë ruajtur “traditën”, pasi çdo vit Kastrioti ndryshon grupin. Në edicionin e fundit Kastrioti mbijetoi me ndeshje shtesë dhe pa dyshim në këtë kampionat të 72-të kombëtar do të kërkohet që ekipi ta sigurojë mbijetesën përpara se të vijë fundi. Edhe për këtë sezon është e konfirmuar presidenca me në krye Artan Djalën dhe stoli i drejtimit mbetet i njëjtë, me në krye trajnerin Ramazan Ndreu. Largimet janë të konsiderueshme në kampin krutan dhe po kaq janë edhe afrimet.
Përforcimet e Kastriotit të ri vijnë si nga brenda vendit, por edhe nga jashtë, ku pa dyshim barrën kryesorë e mbajnë lojtarët kroatë, të cilëve u është besuar edhe forca sulmuese. Në pamje të parë, duket se Kastrioti ka bërë një merkato të mirë dhe me këtë grup të besuarit e trajnerit Ndreu do të jenë një “kockë” e fortë dhe nuk do të diskutohet qëndrimi në kategorinë superiore. Mesi “i artë” i tabelës mund të jetë synimi i krutanëve.
Të ardhur: Argent Halilaj (Flamurtari), Fatmir Caca (Teuta), Erjon Xhafa (Shkumbini), Anton Grishi (Besëlidhja), Guido Tepshi (Çeki), Enkel Alikaj (Vllaznia), Boris Bakoviç (Kroaci), Milan Guerrib (Skënderbeu), Frane Petriçeviç (Kroaci), Kelvin Jushi (Laçi), Elton Muçollari (Teuta)
Të larguar: Iljon Lika (Tirana), Antonio Rukavina (Kroaci), Gentian Gjondeda (Tirana), Olsi Gocaj (Vllaznia), Pllumb Jusufaj (Kroaci), Vinko Buden (Kroaci), Eleandro Pema (?), Oriand Abazaj (Tirana)
Trajner: Ramadan Ndreu
Elbasani
Këtë sezon superliga ka fitur një ish-kampion si Elbasani, që një vit më parë militonte në kategorinë e parë. Pra, është rikthyer Elbasani, por me atë merkato që është bërë deri tani, të lë të kuptosh se ky ansambël ka pak të përbashkëta me atë që u shpall kampion para disa vitesh. Ende nuk dihen synimet reale të këtij Elbasani, të cilit i është kthyer edhe presidenti Arben Laze. Verdheblutë edhe për këtë vit i kanë besur trajnerit Krenar Alimehmeti.
Blerja më e bujshme për momentin tek Elbasani mund të konsiderohet afrimi i portierit Ervin Llani. Sinoptika e ditëve të fundit ka treguar se Elbasani nuk ka buxhet për të bërë aventura, madje edhe ata që kanë firmosur kanë pranuar kushtet e drejtuesve, pasi nuk do të ketë lojtarë të superpaguar. Ndonëse sezoni për Elbasanin nis nesër, kur do të presin Tiranën, përsëri merkatoja e verdhebluve konsiderohet e hapur dhe ëndrra e të gjithë elbasanasve është afrimi i mesfushorit Dorian Bylykbashi, gjë e cila është bërë realitet mbrëmë në orët e vona.
Të ardhur: Armand Sadiku (Gramozi), Endri Bakiu (Shkumbini), Kire Ristevski (Maqedoni), Mensur Idrizi (Maqedoni), Altin Lloga (Maqedoni), Emiljano Çela (Laçi), Safet Osja (Vllaznia), Arvis Gjata (Shkumbini), Ervin Llani (Laçi), Admir Sulejmanoviç (Slloveni), Dorian Bylykbashi (Ukrainë)
Të larguar: Xhangarovski (?), Vinçe Mançevski (?), Hendrit Ferra (?), Roland Dervishi (Shkumbini)
Trajner: Krenar Alimehmeti
Bylisi
Bylisi në sezonin e fund u shpall kampion i kategorisë së parë dhe ballshiotët vijnë në superligë me plot entuziazëm, gjë e cila vjen edhe nga natyra e stafit drejtues, me në krye presidentin Besnik Kapllanaj dhe trajnerin Ilir Spahiu. Ballshiotët e kanë ruajtur boshtin e ekipit të sezonit të fundit dhe grupi është përforcuar edhe me elementë të tjerë, të cilët mendohet se e kanë kompletuar Bylisin.
Asnjë ekip nuk e thotë haptazi se si objektiv ka qëndrimin në superiore, gjë e cila vlen edhe për Bylisin, pasi dihet se ka shpenzuar për merkaton, fazën intensive përgatitore, kështu që si “shpagim” të gjithë kërkojnë zonën europiane. Gjithsesi, ballshiotët, falë punës së trajnerit Spahiu dhe grupit që i trajnon, i ka mundësitë për të mbijetuar. Gjatë kësaj merkatoje verore te Bylisi janë afruar disa lojatrë të huaj, por edhe elementë me eksepriencë nga tregu vendas, si Klevis Roshi apo rikthimi në superligë i sulmuesit vlonjat Fjodor Xhafa.
Të ardhur: Fjodor Xhafa (Flamurtari), Elham Galica (Pogradeci), Erlind Koreshi (Lushnja), Klevis Roshi (Skënderbeu), Irakli Toçi (Gramozi), Klodian Sulollari (Kosovë), Adrian Goxhaj (Albpetrol), Oteng Piero (Kamerun), Bertrand Madjo (Marok), Romans Bezubovs (Letoni)
Të larguar: Almerovik (Serbi), Milunoviç (Serbi), Alfons Ymeraliaj (Luftëtari), Dimitar Kapinkovski (Serbi), Abdurrahman Muhamadu (?)
Trajner: Ilir Spahiu
Tags: formacionet, kampionati shqiptar, merkato, te-ardhur, te-larguar