Në vend që të zgjidheshin problemet në kampin bardheblu, dje ato kanë arritur kulmin. Shefi i klubit, Rauf Dimraj, i ka njoftuar futbollistët për nisjen drejt Pukës (duhet të ndodhë sot), por ata i janë përgjigjur negativisht, pasi nuk kanë nënshkruar kontratat, siç u është premtuar. Skandali më i madh ka ndodhur me listën e lojtarëve që duhet të nisen sot për fazën përgatitore. Shefi Dimraj ka bërë listën e tij, duke anashkaluar zgjedhjet e trajnerit Starova, i cili natyrshëm ka paraqitur listën e vet. Në një situatë të tillë konfliktuale është kërkuar urgjentisht një mbledhje mes drejtuesve, ku kanë marrë pjesë sponsori-president Refik Halili, shefi i klubit Rauf Dimraj, trajneri Sulejman Starova, si dhe anëtari i kryesisë Sajmir Shehri. Mbedhja ka zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjes, ku kanë mbizotëruar tonet e ashpra të të pranishmëve, që kundërshtojnë mënyrën se si po e menaxhon situatën shefi Dimraj.
Përplasja për listën
Gjatë seancës stërvitore në “Skënder Halili”, shefi Dimraj ka grumbulluar ekipin, duke komunikuar edhe listën e futbollistëve që duhe të nisin sot fazën përgatitore në Pukë. Pjesa më e madhe e lojtarëve titullarë, që kishin emrin në listë, i kanë kërkuar shpjegime Dimrajt për kontratat, madje duke i thënë se nuk nisen për në Pukë pa u zgjidhur kjo çështje. Më i çuditur nga lista e Dimrajt ka mbetur trajneri Starova, për faktin se aty janë futur lojtarë që ai nuk i ka në konsiderate dhe nga ana tjetër mungonin të preferuarit e tij. Starova ka qenë mjaft i irrituar, duke mos e përmbajtur veten as në prani të mediave: “Kam kaq vite trajner dhe nuk më ka ndodhur që dikush të më bëjë listën për fazën përgatitore. Trajneri i Tiranës jam unë dhe jam po unë që përgjigjem për rezultatet e skuadrës.” Debatet e ashpra janë spostuar nga fusha e “Skender Halilit” te zyrat e klubit, ku kanë qenë të pranishëm edhe disa tifozë, të interesuar direkt për mbarëvajtjen e skuadrës.
Starova vë në dyshim qëndrimin
Nëse situata vazhdon e tillë, me shumë mundësi trajneri Sulejman Starova nuk do ta marrë përsipër drejtimin e Tiranës për sezonin e ri. Kjo edhe për shkak se disa lojtarë, për të cilët trajneri ka këmbëngulur fort për t’i mbajtur, shefi Dimraj i heq nga lista ose nuk bën përpjekjet e duhura për t’i mbajtur. Kështu, mësohet se çuditërisht Vilfor Hysa nuk përfshihet në listë nga Dimraj, ndërsa Sebino Plaku është shumë pranë largimit, pasi klubi nuk i likujdon pagat e prapambetura, dhe aq më tepër, t’i sigurojë një kontratë të leverdisshme për sezonin e ardhshëm. Nga ana tjetër, futbollistët që kanë nënshkruar me Dimrajn apo që pritet të nënshkruajnë, as që janë në planet e Starovës.
Përgatitorja në Pukë, e dështuar
Ideja për zhvillimin e fazës përgatitore në Pukë, ka qenë e shefit të klubit Rauf Dimraj, por që është kundërshtuar hapur nga sponsori-president Refik Halili dhe trajneri Starova. Fakti që edhe pjesa më e madhe e futbollstëve është në krah të trajnerit dhe presidentit e bën të pamundur nisjen drejt Pukës. “Një skuadër si Tirana nuk mund të shkojë të stërvitet në Pukë. Ekzistojnë mundësi shumë më të mira që janë në favor të skuadrës,” – është shprehur Starova i irrituar nga qëndrimi i shefit Dimrajt. Megjithëse, Dimraj ka dhënë urdhër që në orën e caktuar lojtarët të kenë hipur në autobus për në Pukë, kjo ka pak gjasa të ndodhë. Sepse Starova, Halili dhe pjesa më e madhe e lojtarëve kanë të tjera plane.
Halili prenoton fazën në Maqedoni
Te Tirana “ç’thotë njëri, s’e bën tjetri”. Shefi Rauf Dimraj është i vendosur për të shkuar në Pukë, ndërsa presidenti-donator Halili ka bërë të gjitha kontaktet për ta çuar Tiranën në Maqedoni, ku kushtet e stërvitjes dhe klima e freskët, janë më të përshtatshme për fazën përgatitore. Në krah të Halilit është edhe trajneri Starova, e quan absurde zhvillimin e fazës në Pukë, kur ekzistojnë të gjitha mundësitë që ajo të zhvillohet në Maqedoni. Sot skuadra ka pak shanse të niset për udhëtim, pasi palët mbajnë qëndrime krejt të kundërta.
Starova: E bëmë skuadrën, përforcimet i kam gati
Trajneri Starova i ka idetë e qarta për skuadrën e tij. Pavarësisht problemeve të shumta që ka kaluar Tirana, është bërë një punë e shkëlyer me grupin aktual të futbollistëve, që kaloi edhe një tur në Europa Ligë, si asnjë skuadër tjetër shqiptare. Starova, jo vetëm që kërkon të ruajë grupin, por ka gati edhe 2-3 përforcime të rëndësishme, që do ta bëjnë Tirana shumë më të fortë dhe rivale për trofetë e sezonit. “Tirana ka bërë një punë të shkëqyer. Kemi ndërtuar skuadrën dhe kemi nevojë vetëm për dy-tre përforcime. Nuk duhet në asnjë mënyrë të lejojmë largimin e Plakut. Nuk më duhet pesë lojtarët e tjerë që me ofron Dimraj, pasi Plaku ka vlera më shumë se të gjithë ata bashkë. Unë jam gati të sjell një mbrojtës, por edhe një mesfushor si Ervin Bulku. Mund të mbajmë edhe lojtarë të tjerë, nëse dëshiron Dimraj, se vetëm konkurrencë do të sjellë. Por jo të lejojmë largimin e më të mirëve,” – të thotë Starova, që pavarësisht se nuk është shprehur hapur më parë për planet e tij, duke se e ka gjithçka gati. Trajneri i Tiranës nuk ka mundur t’i mbajë më të fshehta planet e tij për shkak të qëndrimit të shefit Dimrajt, që sipas Starovës jo vetëm që nuk ka bërë gjë për të mbajtur një lojtar si Plaku, por po largon edhe ata që për Starovën janë shumë të rëndësishëm.
Kaos te Tirana: Dimraj i përvetëson të gjitha, bën edhe trajnerin!
Tags: dimraj, refik-halili, starova, tiran, tirana