KE vendos: Superliga, 14 ekipe në sezonin 2011-2012
Komiteti ekzektutv ka kryer dje një mbledhje maratonë ku vendos struktura e sezonit 2011-2012
Komiteti ekzekutiv i FSHF-së ka zhvilluar dje mbledhjen e radhës, ku primare ishte shqyrtimi i propozimit të komisionit të klubeve të kategorisë superiore për një pjesëmarrje më të gjerë në sezonin 2011-2012, ku në përfundim është arritur që ajo të përbëhet nga 14 skuadra. Mbledhja ka nisur pasdite dhe ka zgjatur më shumë se tri orë, ku ka pasur edhe debate mes palëve për çështjet që janë diskutuar, kryesisht për rregulloren e edicionit të ri. Nga 12 anëtarë që përbëhet ky komitet, nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e djeshme vetëm dy, Artan Hajdari dhe Arben Dervishi.
I pranishëm ishte edhe zoti Koço Kokëdhima, kryetar i Komisionit të Klubeve të Kategorisë Superiore, që në emër të komisionit që përfaqëson, ka paraqitur propozimin e klubeve që kategoria superiore, duke filluar nga sezoni 2011-2012 të ketë më shumë ekipe. Debati për zgjerimin e strukturën ka nisur prej kohësh dhe ka pasur dy mendime, që superliga të bëhet me 16 ose me 14 ekipe. Por pas mbledhjes së djeshme, gjithçka është bërë e qartë, ku në sezonin 2011-2012 në kategorinë superiore do të marrin pjesë 14 skuadra. Ky ka qenë edhe vendimi kryesor që është marrë në mbledhjen e djeshme nga KE (komiteti ekzekutiv), por nuk është detajuar asgjë rreth mënyrës dhe formës organizative se si do të funksionojë ky sezon.
Pa dyshim që duke filluar nga muaj shtator, do të nisin konsultimet mes komisionit të klubeve të kategorisë superiore dhe FSHF-së, për të mbledhur opinionin e të gjithëve skuadrave, në mënyrë që në fund të merret një vendim unanim se si do të funksionojë superliga e sezonit 2011-2012. Për herë të fundit kategoria superiore e ka pasur strukturën me 14 ekipe pikërisht në sezonin 2002-2003. Struktura aktuale që përdor kategoria superiore është huazuar nga Kroacia, por edhe atje, duke nisur nga ky vit, kjo lloj strukture nuk aplikohet më.
Miratohet shefi i gjyqtarëve, Arsen Hoxha
Dihet që para disa kohësh Komisioni i Klubeve të Kategorisë Superiore vendosi që Arsen Hoxha të jetë shefi, ose e thënë ndryshe dizenjatori i gjyqtarëve të kategorisë superiore. Edhe ky propozim është shqyrtuar në mbledhjen e djeshme të KE-së dhe në fund është miratuar. Pra, duke filluar nga ky edicion, 2010-2011, ish-gjyqtari i kategorisë ndërkombëtare, Arsen Hoxha do të jetë dizenjatori i gjyqtarëve të ndeshjeve të kategorisë superiore. Ndërsa Plarent Kotherja vazhdon punën e tij në federatë si shef i gjyqtarëve, por tashmë puna e tij do të jetë e fokusuar te kategoria e parë dhe e dytë, si dhe te kampionati i moshave. Përveç Arsen Hoxhës si dizenjator i gjyqtarëve të superiores, dje KE ka miratuar edhe toplistën e gjyqtarëve, që pa dyshim do të kenë barrën kryesore në arbitrimin e ndeshjeve të sezonit që është në prag.
KE, sërish mbledhje më 19 gusht
Përveç çështjeve të mësipërme, në mbledhjen e djeshme të KE është folur edhe për sezonin e ri, që pritet të fillojë më 21 gusht. Është vendosur që në përfundim të edicionit 2010-2011 dy ekipet e fundit të kategorisë superiore (vendi 11 dhe 12) bien automatikisht në kategorinë e parë, ndërsa katër ekipet e para të kategorisë së parë ngjiten direkt në superiore. Por do të ketë edhe ndeshje shtesë, ku vendi 9 dhe 10 i superligës do të kryejë ndeshje “play-off”-i me të pestën dhe të gjashtën e kategorisë së parë dhe fituesi i këtyre përballjeve fiton të drejtën të jetë pjesë e kategorisë superiore të sezonit 2011-2012. Por për mungesë materialesh, kuorumi dhe kohe, është vendosur që KE të mblidhet sërish më 19 gusht, në të cilin do të përcaktohen edhe rregullat e sezonit 2010-2011.
Ka pasur debate kryesisht rreth mënyrës së zhvillimit të fazës së tretë të edicionit të ri. Ka pasur mendime që në përfundim të dy fazave, gjashtë të parat të diskutonin titullin dhe gjashtë të dytat qëndrimin në superligë, por ka pasur edhe propozime që në përfundim të dy fazave pikët e skuadrave të përgjysmoheshin dhe në fazën e tretë të vazhdonte gara për përcaktimin e verdikteve. Duke ditur që një sezon më pas kategoria superiore do të ndryshojë strukturën e saj, KE e ka parë të udhës që edhe këtë vit, me që është e fundit, faza e tretë të vijojë ashtu siç është kryer në të shkuarën. Njëkohësisht, në parim është rënë dakord për ristrukturimin edhe të sekretariatit në federatë, por kjo çështje do të diskutohet sërish në mbledhjen e radhës. Pra, me 19 gusht, KE do të kryejë mbledhjen e radhës, ku do të përcaktojë rregulloren e sezonit të ri dhe ndryshimet në strukturën e sekretariatit të FSHF-së.
8
Pas 8 edicionesh, rikthehet përsëri struktura organizative e kampionateve kombëtare të futbollit me nga 14 skuadra për Kategorinë e Parë, apo siç quhet tani, Kategoria Superiore. Për herë të fundit një format i tillë është përdorur në sezonin 2002 2003.
3
Pas viteve 2000, në tri edicione, struktura e kampionateve kombëtare të Kategorisë së Parë është zhvilluar me nga 10 skuadra pjesëmarrëse, të cilat luanin me sistem vajtje ardhje, me katër faza. Konkretisht kjo ka ndodhur në harkun kohor 2003 2006.
5
Edicione radhazi ka zgjatur formula ekzistuese e kampionateve kombëtare me nga 12 skuadra, që ndesheshin në tri faza. Kjo formë, e huazuar nga kampionatit kroat, nisi në Kampionatin e 68 të për të vazhduar deri në të 72 tin, që pritet të nisë më 21 gusht.
Superkupa, Dinamo-Besa shtyhet më 16 gusht
Ishte menduar që sezoni i ri do të ngrinte siparin më 15 gusht me ndeshjen e superkupës, Dinamo-Besa. Por dje është mësuar se se kjo ndeshje do të shtyhet një ditë dhe do të zhvillohet në Durrës. Pra, takimi i Superkupës Dinamo-Besa do të zhvillohet më 16 gusht në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit dhe ashtu si, miqësorja Shqipëri-Uzbekistan, do të mbahet në dritat e projektorëve të sapopëruruar.
Ervin Skela në fokusin e Lask Linzit në Austri
Mesfushor i kombëtares shqiptare, Ervin Skela, vazhdon të jetë lojtar i lirë. Pas një sezoni jo të mirë me Koblencin në bundesligën e dytë të Gjermanisë, vlonjati po kërkon një ekip të ri, por ende nuk ka gjetur një strehë. Dje është mësuar se për shërbimet e mesfushorit kuqezi është interesuar skuadra austriake e Lask Linzit. Në katër javët e para Lasku nuk ka marrë asnjë pikë, kështu që drejtuesit kërkojnë përforcime të reja kryesisht në mesfushë. Përveç Skelës, kandidaturë është edhe shqiptaro-maqedonasi Emin Sulimani, që luan me Austrinë e Vjenës.
/sportishqiptar/
