Futbollisti i skuadrës fierake ka besim të madh në arritjen e objektivit të sezonit të ardhshëm
Shkëlzen Kelmendi është një nga emrat e rëndësishëm të Apolonisë së këtij sezoni. Shijakasi i fierakëve i përket bërthamës së grupit të ruajtur nga edicioni i kaluar dhe do të jetë pjesë e bardhëjeshilëve edhe në vazhdim. Gjatë verës, edhe emri i Kelmendit nuk i shpëtoi interesimt të disa skuadrave në merkato, kryesisht të superligës, por mbrojtësi është i lidhur nën kontratë me fierakët dhe kjo gjë bëri që gjithçka të sfumohej.
Futbollisti 25 vjeçar ndodhet këto ditë së bashku me skuadrën në Pogradec, ku fierakët po zhvillojnë fazën përgatitore. Ende i pabindur për faktin që Apolonia do të luajë në kategorinë e parë, por besimplotë që skuadra e tij do të rikthehet në superiore, mbrojtësi i djathtë i bardhëjeshilëve flet për garën që po përgatitet të përballojë Apolonia dhe objektivin e saj, që duhet ta finalizojë në përmbyllje të kampionatit.
“Pavarësisht lëvizjeve në merkato, synimi i skuadrës sonë mbetet gjithmonë i njëjtë: rikthimi i shpejtë në superligë. Çdo skuadër ka një objektiv në çdo fillim të sezonit dhe kjo në varësi të formatimit të saj, të përgatitjeve që ka kryer dhe të seriozitetit me të cilin punohet në vazhdimësi. Apolonia është një nga skuadrat që duhet të radhitet ndër të parat dhe ky nuk është një vlerësim subjektiv, por e ka një bazë.
Skuadra jonë ka përvojën që ka luajtur për dy sezone radhazi në superligë dhe është pjekur në këtë garë. Madje, nuk duhet harruar ajo që bëmë në një pjesë të mirë të kampionatit të kaluar, kur kemi qenë një nga tri skuadrat e para në renditje. Prandaj them, nëse do të punohet me kujdes dhe në vazhdimësi, Apolonia nuk e diskuton vendin që meriton, vendin që do t’i siguronte rikthimin në superiore,” deklaron mbrojtësi i Apolonisë, Shkëlzen Kelmendi.
Futbollisti i skuadrës fierake shprehet i kënaqur me punën që po bën stafi teknik, me në krye trajnerin Gjoka. Gjithashtu, ai evidenton edhe përkushtimin e lojtarëve në përballimin e ngarkesave në stërvitje, një tjetër faktor ky që e bën optimist për ecurinë në kampionat.
“Apolonia e sivjetshme është e mbështetur kryesisht në lojtarë që kanë një përvojë të caktuar dhe të rinj të talentuar, që kërkojnë të lënë gjurmët e tyre në një kampionat të gjatë e të vështirë. Ata e ndiejnë peshën e fanellës së një skuadre si Apolonia dhe kam besim se ky kontigjent, që nuk është i paktë, do të përpiqet të japë maksimumin në fushë,” ka thënë midis të tjerave Kelmendi.
Kelmendi: Apolonia ka përvojë, s’e diskuton superligën
Tags: apolonia, kelmendi-, skuadrat e superliges