Klubi karikon ekipin, premton pagën e janarit

Klubi karikon ekipin, premton pagën e janarit

Klubi karikon ekipin, premton pagën e janarit

No Comments on Klubi karikon ekipin, premton pagën e janarit

Drejtuesit e klubit të Shkumbinit, ndonëse nuk arritën të afronin elementët e dëshiruar në merkaton e janarit, po punojnë për të siguruar financat e duhura. Pasi morën pagat e prapambetura të muajit dhjetor një javë më parë, nga sa mësohet, lojtarëve do t’u shpërndahen edhe ato të janarit përpara sfidës së javës së parë ndaj Bylisit. Burime të sigurta pranë klubit bardhekaltër kanë bërë të ditur se po punohet intensivisht për sigurimin e anës financiare, në mënyrë që futbollistët të ndihen sa më të qetë në prag të fillimit të fazës së dytë. Të shtunën e kaluar drejtuesit e klubit u dhanë të gjithë futbollistëve pagat e muajit dhjetor, menjëherë pas miqësores së luajtur me Lushnjës. Pas këtij momenti, duhet thënë se krerët e klubit bardhekaltër bënë një sërë tentativash për të sjellë në skuadrën e tyre mesfushorin elbasanas Gava dhe mbrojtësin Grami, për të cilët pati edhe oferta konkrete. Dhe, në fakt, elbasanasi u duk shumë pranë firmës me klubin e Shkumbinit, por në çastet e fundit ai nuk u lejua nga klubi verdheblu që të largohej. Ndërsa mbrojtësi tiranas Grami po shqyrton opsionin për të luajtur në një kampionat të huaj. Gjithsesi, e rëndësishme është sigurimi i anës financiare, çka ka bërë që grupi peqinas të karikohet për ndeshjen e parë të fazës së dytë, atë ndaj Bylisit. Madje, të gjithë janë të bindur se do ta nisin me fitore vitin.
NASTOVSKI

Drejtuesit e Shkumbinit ditë më parë u shprehën se kanë arritur akordin me mesfushorin maqedonas, Kliment Nastovski. Mirëpo, ish-futbollisti i Pogradecit ende nuk është parë të vijë në Peqin. Në kushtet aktuale duket se drejtuesit e klubit do t’ua besojnë realizimin e objektivave futbollistëve që mbyllën fazën e parë, të cilët duhet thënë se kanë bërë një paraqitje të mirë. Madje, për të ruajtur një situatë sa më të qetë, krerët bardhekaltër po tregohen korrektë me pagesat financiare.

About the author:

Leave a comment

Back to Top