Friday, May 18th, 2012

Kokëdhima: Do t’i kthejmë besimin e humbur futbollit shqiptar!

Published on August 19, 2010 by   ·   No Comments

Kryetari i komisionit të superiores jep argumentet pse KE duhet t’i miratojë propozimet e mbledhjes së klubeve
Dje, në FSHF, është zhvilluar mbledhja e fundit e klubeve në prag fillimit të kampionatit, ku është miratuar një paketë ndryshimesh në rregulloren e garës, që i është kaluar për miratim KE-së, që do të mblidhet sot. Kryetari i komisionit të superiores, presidenti i nderit i Apolonisë, Koço Kokëdhima, në përfundim të mbledhjes, u është përgjigjur të gjitha pyetjeve të gazetarëve, në lidhje me këtë nismë të fuqishme që kanë marrë klubet e superiores për pastrimin e futbollit nga “aktet çnderuese”, siç i quan Kokëdhima. Më poshtë po botojmë intervistën e plotë të Koço Kokëdhimës.
Nëse do të miratohen nga komiteti ekzekutiv të gjitha propozimet e mbledhjes së klubeve, të ardhurat që vijnë nga sanksionet do të jenë në shuma të mëdha. Këto para do t’i administrojë FSHF apo klubet?
Të gjitha të ardhurat që do të vijnë nga sanksionet dhe nga burime dytësore do të menaxhohen nga FSHF. Mbledhja e klubeve funksionon si pjesë e FSHF së dhe jo si e pavarur. Çdo e ardhur hyn në arkën e FSHF së. Sanksionet e ashpra nuk kanë si qëllim rritjen e të ardhurave, por të besimit të opinionit publik dhe të aktorëve të futbollit te pastërtia e lojës së futbollit në Shqipëri dhe që prodhimi i futbollit të jetë i preferuar në treg.
Kampionati fillon pas tri ditësh dhe, duke pasur parasysh çka ndodh në kampionatet europiane, këto ndryshime duhet të kishin ndodhur kohë më parë…?

Në raport me datën e fillimit të kampionatit, mund të themi se jemi vërtet shumë të vonuar, e kam fjalën për drejtuesit më të lartë të klubeve, por në një kuptim tjetër jemi shumë shpejt.
Që do të thotë…?
Se nuk të kaluarën klubet as që i kanë lexuar rregulloret, duke i miratuar për inerci, pa e ditur përmbajtjen e tyre. Ndërsa sivjet rregulloret janë lexuar paragraf për paragraf, janë marrë mendimet e kolegëve, të cilat janë përgjithësuar në trajtën e propozimeve. Pra, mund të themi se klubet janë përgatitur edhe për t’i zbatuar këto rregullore. Për vitin e ardhshëm do të veprojmë më shpejt.
Mbledhja e klubeve ia ka dërguar një herë propozimin KE së për strukturën e kampionatit, ndërsa ju sërish i ridërgoni propozimin për ndryshimin e numrit të skuadrave që do të bien dhe ngjiten direkt nga kategoria…?
Dua të shpjegoj që jo gjithmonë mbledhja e klubeve ndan të njëjtin mendim me KE në. Kemi diferenca në kuptimin e gjërave. Ne shikojnë interesin e skuadrave të superiores, ndërsa KE atë të organizimit të futbollit në kompleks. Atëherë kur mendojmë se ka vend për ridiskutim, shumë miqësisht e rikthejmë propozimin. Nuk është veprim formal, por mirëkuptues dhe miqësor. Ne i ftojmë miqësisht anëtarët e KE së t’i rishikojnë vendimet e tyre aty ku ne mendojnë se ka vend për rishikim.
Ju, personalisht, mendoni se cënohet gara nëse numri i skuadrave që do të bien nga kategoria shkon nga dy në një?
Personalisht mendoj që nuk cënohet gara. Unë kam propozuar që direkt të bjerë një skuadër, por jam i hapur për numrin e skuadrave që do të shkojnë në “play off”. Për mendimin tim, në “play off” mund të shkojnë edhe tri skuadra. Kjo vetëm se do të rriste cilësinë e garës. Gjithsesi, do ta gjykojë vetë KE nëse do të ketë hapësira për të ndryshuar sipas propozimit të klubeve.
Ju jeni presidenti i nderit i një klubi (Apolonia) që bazohet te puna e akademisë. Si ka mundësi që ju të jeni nismëtar i heqjes së kufizimit të lojtarëve të huaj?
Unë nuk jam nismëtar i këtij propozimi. Në vendin që kam jam përfaqësues i mendimit të shumicës së klubeve dhe nuk përfaqësoj mendimin tim personal. Për shumë çështje unë mendoj ndryshe nga të tjerët. Për rastin konkret, i bashkohem interesit kalimtar të klubeve. Ky nuk është interes i qëndrueshëm dhe mendoj që klubet do t’i kthejnë sytë nga prodhimi vendas, sepse e sigurojnë me kosto më të ulët. Mendoj se klubet gradualisht do ta kthejnë vëmendjen te lojtarët e rinj vendas.
Shifra e sanksioneve është shumëfishuar. Mos është pak e rëndë kjo ndërmarrje, pasi klubet tona nuk është se janë shumë të pasura?
E rëndë është të vazhdohet me çnderimin e aktiviteteve kombëtare. Çdo masë që mbron pastërtinë e aktivitetit nuk është e rëndë. E përsëris, çnderimi i aktivitetit është i rëndë. Filozofia e shumëfishimit të sanksioneve është vetëm një: askush të mos guxojë ta çnderojë këtë kampionat.
Uniteti në tryezë i përfaqësuesve të superiores është për t’u përgëzuar, por a do të jetë i tillë edhe jashtë saj? Dhe a e cënon këtë tryezë fakti që në asnjë rast konsensusi nuk ka qenë 100%?
Asnjë tryezë e planetit nuk funksionon me 100% të pjesëmarrësve. Asnjë institucion në botë nuk merr vendime me 100% të pjesëmarrësve, por ka kuroume që në asnjë rast nuk i kalojnë 34 tat. Ne kemi pak kohë që punojmë bashkë dhe na duhet më shumë kohë që të kemi më tepër besim te njëri tjetri. Gjithçka në këtë tryezë zhvillohet normalisht dhe po kaq normale është që të ketë interferencë. Puna këtu mendoj se është shumë e mirë dhe shpejtësia e prodhimit të mendimeve shumë e lartë. Brenda pak javësh kemi marrë vendime shumë të rëndësishme për të pastruar garën dhe për të rikthyer besimin.
Në një pikë të rregullores që ju propozoni thuhet se futbollistët që nuk pranojnë të bëjnë testet anti doping pezullohen 3 muaj deri në 6 muaj nga aktiviteti. A i kemi laboratorët për t’i bërë këto kontrolle?

Gatishmëria e futbollistëve dhe e klubeve për t’iu nënshtruar testeve duhet të jetë në standardet e FIFA s dhe UEFA s, pavarësisht nëse organet kontrolluese e ushtrojnë të drejtën e tyre. Ne nuk mund të marrim përsipër pjesën e kontrollit.
Ka shumë probleme në lidhje me kontratat e lojtarëve. Pjesa më e madhe e klubeve të superiores varen nga bashkitë. FSHF ka ndër mend që në kontratat e futbollistëve të heqë klauzolën ku thuhet se “sponsori duhet të paguajë rrogën e lojtarit”. Në këto kushte, klubet nuk kanë të drejtë të nënshkruajnë kontrata me shifra që i kalojnë referencat e rrogave të shtetit, pra rrezikojmë ta kthejmë futbollin në amator…?
Ju keni shumë të drejtë kur u referoheni disa nonsenseve që burojnë nga statusi i klubeve. Në programin e mbledhjes së klubeve, pas 1 shtatorit, prioritet do të jetë shndërrimi klubeve në subjekte tregtare. Pa dyshim që do të fokusohemi në përmirësimin e statusit juridik të klubeve. Do të bashkëpunojmë edhe me institucionet e shtetit. Dhe me FSHF në, që të marrin fund këto nonsense në formalizimin e marrëdhënieve mes klubeve dhe lojtarëve. Në këto rregullore janë bërë përmirësime jashtëzakonisht të mëdha, duke u nisur nga standardet e FIFA s dhe UEFA s. Janë respektuar këto standarde te komisionet juridike, në kompetencat e tyre, në ndërhyrjet që bëjnë klubet dhe futbollistët në kontrata. Mbi të gjitha, kërkohet t’u jepet fund të gjitha akteve çnderuese që ndodhin në botën e futbollit shqiptar.
Propozimet tuaja janë vërtet inkurajuese, por a do të keni besim te këto komisione juridike, që shpesh kanë dhënë vendime me standarde të ndryshme?
Propozimet tona kërkojnë detyrimisht riformatimin e komisioneve juridike, për arsye se një nga kriteret kryesore është që të gjithë anëtarët të jenë juristë. Sot, në këto komisione, juristët janë në minorancë. Këto propozime rregullojnë strukturën e marrjes së vendimeve nga këto komisione, ku kërkohet që të shpjegohet baza ligjore. Dua të theksoj se këto ndryshime do të sjellin pavarësinë e këtyre komisioneve dhe, po ta shikojnë në një pikë, kërkohet heqja e amnistisë së komitetit ekzekutiv. Pra, apelimet do të bëhen vetëm në gjykatat sportive dhe jo tek KE. Në këtë mënyrë rritet pavarësia e komisioneve, forcohen pozitat e tyre dhe rritet përgjegjësia e anëtarëve të këtyre komisioneve.
Flitet më shumë për klubet, por në Shqipëri pjesa më e pambrojtur duket se janë futbollistët. Në FSHF mungon përmbarimi sportiv. Ka një numër të madh futbollistësh që i kanë fituar çështjet, por nuk i kanë rikuperuar shumat financiare…?
Është për t’u diskutuar nëse janë futbollistët të pambrojtur apo janë klubet. Ne kësaj çështjeje besoj se i kemi dhënë zgjidhje, sepse është parashikuar një rregull, që thotë se klubi nuk mund ta luajë ndeshjen e radhës nëse nuk ka shlyer detyrimet. Pra, e humbet ndeshjen pasardhëse në tavolinë 2 0. Ky është një ndryshim shumë thelbësor. Propozimet që kemi bërë sot, nëse miratohen, hyjnë në fuqi për të ardhmen. Siç thoni ju, që futbollistët janë të pambrojtur, unë them se të pambrojtur janë klubet. Sot, klubet nuk janë lumturia e presidentëve, por gropa të zeza që vetëm marrin para. Cilësia e futbollit që prodhojnë sot klubet është jashtëzakonisht e mjerueshme.
Impakti që do të krijojnë këto ndryshime do të jetë shumë i madh, por a është gati futbolli ynë me të gjithë aktorët e tij për ta përthithur këtë ndryshim?
Që të largohemi nga aktet e dhunës, nga çnderimi i gjyqtarëve, nga aktet e korrupsionit, që të largohemi nga këto fenomene të prishjes së besimit te gara, këto janë çështje emergjente. Klubet vërtet kanë nevojë të sigurojnë të ardhura, por këto të ardhura mund të vijnë vetëm nga pastërtia e produkteve që ne prodhojmë.
Ndryshimi i gjendjes ekonomike të klubeve duhet të fillojë nga vendosja e rregullave të lojës. Loja e pastër rrjedhimisht bëhet më e shitshme. Qoftë nga e drejta televizive, nga cilësia e karrierave që ne prodhojmë, nga tregu i lojtarëve etj. Të gjitha këto produkte pozitive, që klubet mund t’i kthejnë në të mirë të financave të tyre, kanë një start, që është besueshmëria te gara.
A iu premtoni tifozëve shqiptarë që, nëse miratohen këto propozime, nuk do të përsëritet më kampionati i kaluar?
Unë mund të them se jemi të vetëdijshmëm për problematikën që ekziston, të cilën duhet ta korrigjojmë. Kemi një plan reformimi për të gjitha institucionet që kanë lidhje me botën e futbollit. Kemi bërë propozime dhe jemi duke prodhuar propozime përkatëse për ligjvënësin, për shtetin, që të gjitha palët të kryejnë rolet e tyre për të implementuar një strategji të suksesshme. Futbolli është industri dhe nuk mund të bëhet vetëm nga klubet, por ka nevojë për një strategji kombëtare, për rolin e qeverisë dhe pushteteve të tjera, për të gjithë aktorët që marrin pjesë në të, klubet, futbollistët etj., e duke përfshirë edhe tifozët. Në këtë rol që përpiqem të luaj kam ndihmën e kolegëve, por kam një ndihmë shumë të madhe edhe nga presidenti i FSHF së, Armand Duka. Kjo është arsyeja që ne mblidhemi këtu çdo javë. Pavarësisht diferencave në mendime për disa çëshjte, ne kemi mbështetjen e madhe të KE së. Meqenëse mbështetja është pa rezerva, jam entuziast që njohjen e problematikës së nxehtë do ta kthejmë në programe ekzekutive përmirësuese në të gjitha drejtimet. Kam besim që sivjet do të zhvillojmë një kampionat të besueshëm.

/sportishqiptar/

Perdoruesit qe gjeten kete artikull po kerkonin:

  • rrogat e futbollisteve ne shqiperi
  • sporti shqiptar futboll
  • shkumbini nga se buron
  • sporti shqiptar live
  • sporti shqiptar live
  • sporti shqiptar superliga
  • sportishqiptar
  • sporti shqiptar live .com
  • koco kokedhima 1.11.2011
  • sporti shqiptar shkumbini

Tags: ,

Readers Comments (0)




Sponsor

Me te publikuarat

Sponsor

Recent Comments

Etiketa

Faqet

Translate

ArabicEnglishFrenchGermanItalianRussianSpanishTurkish