Kotorri: Shpëtimi i Shkumbinit, sa një titull
Portieri elbasanas Elvis Kotorri ndihet i vlerësuar nga ambienti peqinas, por qëndron te Shkumbini vetëm për një skuadër pretendente
Skuadra e Shkumbinit ka mbyllur me sukses sezonin e fundit futbollistik duke mbijetuar mes më të mirëve. Pavarësisht se me një grup të ri në moshë, duke hequr disa “kokrra” si Kotorri, Diop, Dervishi, Shenaj apo Mustafaj, peqinasit arritën të qëndrojnë mes më të mirëve. Njëri prej protagonistëve, pikërisht portieri Elvis Kotorri, ndihet i lumtur që Shkumbini arriti të mbijetojë.
Mbase fitimi i titullit kampion ka një shije të veçantë, të cilën Kotorri e ka provuar me Elbasanin dhe Dinamon, por duket se edhe në pjesën e poshtme të tabelës së klasifikimit, lufta është e bukur, emocionet të mëdha. E tillë është konsiderata e portierit elbasanas Elvis Kotorri, i cili e quan më të bukur emocionin e shpëtimit nga Superliga me Shkumbinin, sesa fitimin e një titulli kampion. Gjatë një prononcimi për “Sportin shqiptar” 33-vjeçari rrëfehet duke analizuar sezonin e peqinasve.
Mbijetesa “Ishte një garë e fortë. Në fillim të gjithë e shikonin Shkumbinin si kandidatë për tu larguar nga Superliga, sepse në ekip veç 3-4 lojtarëve me eksperiencë, mbetën lojtarë të rinj që pritej të afirmoheni. Por kjo skuadër tregoj se ka grintë dhe karakter të fortë, është e pathyeshme.
Ne arritëm të bëjmë një figurë të mirë. Mendoj se në një ekip të tillë me lojtarë të rinj mund të tregohen vlerat e veçanta të futbollistëve me eksperiencë, pasi ka pasur sfida që pesha ka rënë më shumë në lojtarët me vite përvojë. Por në këtë aspekt nuk dua t’i ul aspak vlerat atyre lojtarëve të rinj, të cilët kanë dhënë shumë këtë sezon për Shkumbinin në radhë të parë dhe në radhë të dytë janë afirmuar për karrierën personale. Emocionet e mbijetesës kanë qenë të veçanta, pasi unë kam provuar edhe titullin kampion, por sinqerisht që gara në fundin e tabelës për nga rëndësia, mbase peshon më shumë se titulli kampion.”
E ardhmja “Kam kaluar shumë mirë ne Peqin dhe nuk ka qenë viti i parë që jam aktivizuar në këtë qytet me Shkumbinin. Këtu respektohem shumë nga tifozët, drejtuesit dhe shokët e skuadrës. Gjithashtu dua të falënderoj në mënyrë të veçantë stafin teknikë me në krye trajnerin Kristaq Mile që kanë bërë një punë shumë të mirë. Gjithashtu edhe trajneri im personal Arnit Ballhysa.
Kam folur me drejtuesit e klubit dhe është premtuar një skuadër pretendente për sezonin e ardhshëm. Vetëm nëse do të ngrihet një ekip i tillë do të qëndroj sërish te Shkumbini, në të kundërt e them me pastërti se do të shikojë një tjetër skuadër për të vazhduar karrierë time sezonin 2012-2013”, – mbyll prononcimin e tij për “Sportin shqiptar”, Elvis Kotorri, portieri i Shkumbinit në kampionatin e fundit.
Gjatë kësaj periudhe Elvis Kotorri është duke vazhduar stërvitjen në qytetin e tij, Elbasan. Së bashku me disa lojtarë të verdhebluve, “gardiani” i mirënjohur kërkon të ruaj formën sportive duke mos ndalur përgatitjen fizike në asnjë moment.
