Kotorri: S’ka ndeshje të lehta, të gjitha si finale

Kotorri: S’ka ndeshje të lehta, të gjitha si finale

Kotorri: S’ka ndeshje të lehta, të gjitha si finale

No Comments on Kotorri: S’ka ndeshje të lehta, të gjitha si finale

Pas dy ditëve pushim të akorduara nga drejtuesit e klubit bardhekaltër, Shkumbini ka startuar dje përgatitjet në kuadër të ndeshjes ndaj Apolonisë. Nën drejtimin e trajnerit Kristaq Mile, i gjithë kontingjenti i futbollistëve ka qenë i gatshëm. Në letër duket një përballje jo shumë e vështirë për peqinasit, mirëpo portieri Ervis Kotorri, në një prononcim për “Panorama Sport”, e hedh poshtë këtë ide. Sipas tij, në këtë fazë të dytë nuk ka ndeshje të lehta, përkundrazi. Ato do të jenë të vështira, pasi të gjitha skuadrat kërkojnë të marrin pikë. “Nuk ka absolutisht ndeshje të lehta, siç mund të duken në pamje të parë disa takime. Ne nuk duhet të nisemi asnjëherë nga pozicionet që mbajnë skuadrat në klasifikim, për të përcaktuar fituesin, sepse kjo do të ishte e gabuar. Në sfidën e parë të fazës së dytë jemi ndalur në fushën tonë nga Bylisi, një skuadër e vështirë dhe rivale e drejtpërdrejtë e jona. Ne i kishim bërë llogaritë për fitore, po ja që fati i keq e desh të ndalemi në barazim, duke vërtetuar edhe njëherë se nëse nuk shfrytëzohen rastet që të jepen para portës së kundërshtarit, atëherë rrezikon rezultatin. Kjo sfidë duhet të na shërbejë si mësim për ndeshjet e ardhshme, duke filluar që nga transferta me Apoloninë”, – u shpreh portieri bardhekaltër. Më tej, Kotorri theksoi faktin se fitorja duhet të arrihet nëpërmjet lojës, dhe jo fjalëve. “Në pamje të parë, Apolonia është një skuadër inferiore ndaj nesh, duke parë renditjen e saj në tabelë. Mirëpo, ne e kemi të qartë se çdo skuadër ka vlerat e veta dhe duhet respektuar njëlloj në fushën e blertë. Prandaj dhe Apolonia, që është kundërshtari ynë i radhës, por edhe skuadrat e tjera, duhet të kenë vëmendje ndaj nesh. Në fazën e dytë, të gjitha skuadrat i konsiderojnë sfidat e tyre si finale, kështu që edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë nëse duam të realizojmë objektivat tanë”, – shtoi portieri Kotorri.

About the author:

Leave a comment

Back to Top