Teksa po vazhdojnë përgatitoren në shtetin fqinj të Maqedonisë, brenda ekipit bardhekaltër te Shkumbinit është duke u formuar një situatë dhe klimë miqësore mes lojtarëve, të cilët tashmë do të përfaqësojnë Shkumbinin e sezonit të ri.
Konturimi – Thuajse ka qenë një proçes i njejtë ai i konturimit të ekipit, sikurse edhe në sezonet e kaluara. Edhe këtë vit me investimin e fuqishëm të presidentit të ri Ndroqi, ekipi është formuar me një kontigjent të ri lojtarësh, disa prej të cilëve veshin për herë të parë fanellën e Shkumbinit. Ajo që duhet vlerësuar është se në Peqin janë afruar disa lojtarë, të cilët kanë qenë të dobishëm edhe sezonin e kaluar, duke ruajtur kështu një pjesë të mirë të bërthamës së vjetër. Mujdragiç, Pasha, Gjyla, Shenaj, Nora, Mustafai apo Grboviç e njohin mirë mjedisin dhe mentalitetin peqinas. Këtij fakti kaq të rëndësishëm i bashkohet edhe një tjetër element pozitiv. Këtë vit në gjirin e Shkumbinit janë afruar edhe lojtarë vendas, të cilët sezonin e kaluar kanë provuar eksperienca jashtë Peqinit, sikurse janë Dërvishi, Xhyra, Salliu etj.
Mentaliteti – Ajo për të cilën më së shumti kanë nevojë në Peqin është një bum lojtarësh me mentalitet fituesi. Tashmë mund të jetë në modë që në Peqin ekipi ka pak shanse të barazojë apo diçka më e limituar të humbë në shtëpi. Ndërsa në transfertë peqinasit kanë një difiçit të madh teksa rezultatet pozitive numërohen me gishtat e duarve. Paçka një pune shumë të mirë nga trajneri i sezonit të kalaur Daiu, i cili arriti disa rezultate vërtet të rëndësishme në transferta për të arritur objektiva të mëdha, këto duhet të jenë më shumë evidente. Dhe pikërisht kjo ka qenë edhe pika më e rëndësishme e merkatos peqinase, teksa në ekip janë afruar lojtarë, të cilët kanë patur peshë në ekipet fituese të sezonit të kaluar sikurse portieri Kotorri, apo Krasniqi, Kuli, Veliaj, Nora etj, Arritja tek trofetë për këta lojtarë ka bërë që të përzgjidhen për t’u afruar në ekip për të kontribuar me eksperiencën e tyre pozitive.
Krasniqi – Për lojtarin kosovar eksperiencat për në Europë nuk mungojnë. Lojtari ka fituar kupën e Shqipërisë me Besën dhe ka luajtur 8 ndeshje ndërkombëtare me këtë ekip. Për të ky Shkumbin duket se po e fiton tërësisht mentalitetin për të qenë i veshur me petkun e një ekipi pjesmarrës në Europë. Vetë lojtari shprehet: “Së pari mund t’iu them se jemi duke zhvilluar me të vërtetë një përgatitore shumë të rëndësishme këtu në Maqedoni. Ka shumë volum pune dhe padyshim edhe lodhja që ndjehet në këto raste. Duhet vlerësuar përkushtimi i trainerit Josa si dhe puna serioze e të gjithëve. Kemi zhvilluar edhe dy miqësore me ekipe vendase dhe padyshim që jo vetëm kemi bërë një paraqitje të mirë jo thjesht nga rezultati, por edhe nga ajo çka kemi dhënë në fushën e lojës si një grup që po konsolidohet çdo ditë e më shumë. Mendimi im është se është ndërtuar një ekip me elementë shumë të mire, të cilët kanë padyshim një mentalitet fituesi. Disa lojtarë të ardhur nga ekipe të tjera kanë një eksperiencë për t’u admiruar ndaj ky mentalitet pritet që të shkrihet tërësisht në të gjithë grupin e lojtarëve. Drejtuesit tanë kanë synime të qarta dhe vërtet të larta që dëshira për të parë Shkumbinin në Europë të kthehet në një realitet. Mendoj se kontributi i të gjithë lojtarëve në fushën e blertë si dhe pesha e lojtarëve me eksperiencë, do të na bëjë të shohim një Shkumbin ndryshe” ka përfunduar mbrojtësi i djathtë kosovar, Driton Krasniqi.
Sporti Shqiptar
Tags: driton-krasniqi, lojtaret, merkato, superliga