Wednesday, February 8th, 2012

Lila dhe Hysa tundohen nga rivalët, Starova do fitore në Elbasan

Published on August 18, 2010 by   ·   No Comments

Edhe pse kanë mbetur vetëm pak ditë nga starti i kampionatit, te bardheblutë duket se ka shumë enigma, pasi përditë ka afrime dhe largime lojtarësh. Por në prag të sfidës me Elbasanin, dy prej titullarëve të trajnerit Sulejman Starova u kanë ardhur oferta serioze. Bëhet fjalë për mbrojtësin e kombëtares Andi Lila, i cili krahas kërkesës së vazhdueshme të Flamurtarit duket se ditët e fundit është tunduar edhe nga një ofertë e majme e Dinamos. Këtë e konfirmojnë burime pranë lojtarit. Lila ka tri sezone me bardheblutë dhe është në kulmin e karrierës, madje po shihet me prioritet për t’i besuar një vend titullari edhe nga trajneri i kuqezinjve, Josip Kuzhe. Siç bëhet e ditur ditët e fundit, zv.presidenti i bluve, Avni Braçe, ka komunikuar me lojtarin, madje i ka ofruar edhe një shumë të majme Lilës. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse Lila do të largohet nga bardheblutë apo jo. Por nuk është vetëm Andi Lila, por edhe mesfushorit të djathtë Vilfor Hysa, ditët e fundit i kanë mbërritur oferta nga Bylisi, por edhe Flamurtari. Këtë e ka konfirmuar dje vetë lojtari: “Po, është e vërtetë që kam pasur oferta, ku më seriozja është ajo e ekipit të Flamurtarit. Të hënën në mbrëmje më ka kontaktuar në telefon shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi dhe më ka ftuar që unë të bëhem pjesë e kuqezinjve sezonin e ardhshëm, aq më tepër që synimi i ekipit vlonjat do të jetë fitimi i titullit kampion. Por edhe nga Bylisi kanë qenë drejtuesit e ekipit ballshiot që kanë shprehur interes për mua. Megjithatë, unë do të ulem dhe të bisedoj me presidentin e Tiranës, Refik Halili, dhe më pas do të vendos nëse do të qëndroj apo do të largohem,” – tha Vilfor Hysa.

“Bobi” s’do justifikime: Në Elbasan për 3 pikë!
Tirana po përgatitet për ndeshjen e javës së parë, që do të luajë në Elbasan, ndërkohë që kur e pyesim trajnerin e bardhebluve se çfarë do të kërkojë në prologun e kampionatit, “Bobi”, duke buzëqeshur, thotë: “Normalisht, dihen synimet tona, në Elbasan do të shkojmë për të kërkuar fitoren, nuk ka më justifikime për ne. Jemi përgatitur në Pukë, e kemi vazhduar punën edhe në shtëpinë tonë, tashmë jemi gati për garën, ku synimi ynë do të jetë të paraqesim në fushën e lojës një Tiranë dinjitoze dhe pretendente për të dy trofetë, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Pastaj, siç thotë edhe një fjalë e urtë, fillimi i mbarë është gjysma e punës, apo jo? Ne duhet t’i harrojmë ato që ndodhin mes drejtuesve dhe ta kemi mendjen te kampionati i gjatë që kemi përpara. Ato janë probleme që u përkasin atyre, ndërsa unë merrem me anën teknike të skuadrës,”- u shpreh fillimisht trajneri i bardhebluve, Sulejman Starova. Ditët e fundit te bardheblutë ka pasur edhe zhvillime për sa u përket afrimeve dhe largimeve. Ka ikur mesfushori Julian Ahmataj drejt Flamurtarit, ndërkohë që është rikthyer në “shtëpi” sulmuesi Sebino Plaku. Sipas “Bobit”, me grupin që ai ka pasur në dispozicion është munduar të bëjë maksimumin në fazën përgatitore, por edhe këtu në Tiranë: “Pavarësisht se ka pasur afrime dhe largime në skuadër, me grupin e lojtarëve që kam pasur në dispozicion jam munduar të bëj më të mirën, në mënyrë që skuadra të përfitojë sa më shumë. Flitet se do të ketë përforcime, por unë pres më tepër nga ky grup lojtarësh. Porta është e plotësuar, mbrojtja po ashtu, ndërsa sulmi do të jetë nga më të mirët në kampionat, sepse kemi dy lojtarë tepër cilësorë. Futbollistët që kanë zhvilluar fazën përgatitore janë në formë shumë të mirë. Për sa u përket atyre që kanë ardhur pak ditë me vonesë në skuadrën tonë, them se janë duke e kapur formën optimale dhe po inkuadrohen dita-ditës me pjesën tjetër të ekipit. Kam krijuar edhe një ide rreth ndërtimit të 11-shes që do të luajë ndaj Elbasanit në javën e parë. Duhet t’i marrim ndeshjet javë pas jave dhe gjithnjë duke kërkuar maksimumin e pikëve,” – e përfundoi prononcimin e tij trajneri i skuadrës së Tiranës, Sulejman Starova.

“Me Plakun forcuam veten, dobësuam rivalin”
Trajneri i Tiranës, Sulejman Starova, foli edhe për rikthimin e Sebino Plakut dhe tashmë e quan sulmin e Tiranës të frikshëm: “Me rikthimin e Sebino Plakut në skuadër, kemi forcuar veten dhe kemi dobësuar një rival, siç do të jetë Flmaurtari, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dyshja Plaku-Pejiç jam i bindur që do ta ndihmojë shumë Tiranën dhe do të jetë nga më të frikshmet në kampionatin që pritet të nisë pas pak ditësh. Janë që të dy lojtarë shumë të mirë, si në luftën me topin ashtu edhe në ajër, ndaj presim gola prej tyre.”

/sportishqiptar/

Perdoruesit qe gjeten kete artikull po kerkonin:

  • ndeshje live

Tags: , ,

Readers Comments (0)




Sponsor

Me te publikuarat

Sponsor

Recent Comments

Etiketa

Faqet

Translate

ArabicEnglishFrenchGermanItalianRussianSpanishTurkish

Statistika

Albanian Web Analytics