Trajneri Selimi thekson se testimi i sotëm do të jetë përcaktues për ekipin e ri
Luftëtarit nuk i duhen as “kostume” të sapoqepura dhe as të tilla të kthyera, me përjashtime të rralla, për të realizuar kthimin në superligë. Këtij ekipi i duhen më tepër “kostume” moderne, por midis të lartpërmendurve, si në moshë edhe më tepër me “stof” rezistent. Në stadiumin e Gjirokastrës ose të Tepelenës, në rast moti të keq,
Luftëtari do të kryejë sot testimin e tretë, që do të jetë edhe përcaktuesi për përbërjen e tij të fazës së parë për sezonin 2010 2011, ku ky ekip kërkon kthimin në superligë. Janë plot futbollistë gjirokastritë të moshave të ndryshme, kryesisht të Luftëtarit, që presin dritën jeshile ose të kuqen, pas testimit në fjalë. Trajneri i Luftëtarit, Ilir Selimi, shprehet me këtë rast:
“Për nesër (sot) kemi njoftuar për të marrë pjesë në ndeshjen e kontrollit ata që na interesojnë dhe interesohen edhe vetë për t’u bërë pjesë e Luftëtarit për sezonin e ri. Unë kam përkrahjen e presidentit Flamur Bime dhe të donatorit Qazim Muho për të realizuar blerje logjike dhe shpresoj se me ata që kam ftuar, do ta gjejmë mirëkuptimin financiar, që do jetë i përshtatshëm për të dyja palët.
Kësisoj, nga gjithë ata që pretendojnë, që janë mbi 40, do të seleksionojmë 25 futbollistë, të cilët, krahas të tjerave, duhet të jenë edhe luftarakë. Ka mundësi që nesër (sot) të mos arrijmë idealen, por unë them se për më tej do të kemi pak për të bërë për kompletimin e grupit, sepse ky është një proces, që duhet ta bëjmë sa më shpejt, në mënyrë që të vazhdojmë fazën përgatitore jashtë Gjirokastrës të paktën për dy javë. Them se të premten do ta kemi kristalizuar pothuajse Luftëtarin e sezonit të ri, nëse gjërat do të na ecin sipas parashikimeve, të bazuara në bisedimet paraprake me kandidatët për këtë proces.”
Luftëtari, sot “prova gjenerale” për kandidatët
Tags: Ilir-Selimi, luftetari