Luhet pa tifozë, por në Peqin zotohen: Ia dalim

Luhet pa tifozë, por në Peqin zotohen: Ia dalim

No Comments on Luhet pa tifozë, por në Peqin zotohen: Ia dalim

Shkumbini e ka mbyllur me fitore ndeshjen e fundit testuese të zhvilluar në transfertë ndaj Ilirisë. Për Maganin, ajo që kishte më shumë rëndësi ishte fakti se ekipi zhvilloi një lojë të mirë e të lirshme. Gjatë kësaj periudhe, numri një i pankinës ka punuar shumë, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në atë psikologjik, duke kërkuar nga të tijtë që të futen në fushën e lojës me grintë e dëshirë për të kërkuar suksesin ndaj çdo kundërshtari. Fakti që një pjesë e mirë e futbollistëve janë në moshë të re, ka bërë që në disa miqësore të zhvilluara skuadra të shfaqte ndjenjën e inferioritetit. Mirëpo, në dy sfidat e fundit, peqinasit kanë arritur të fitojnë, duke treguar maturi në fushë. Madje, kjo ka sjellë edhe besim në radhët e futbollistëve, të cilët zotohen se ndaj Teutës, që është kundërshtari i parë i sezonit, do të luajnë vetëm për fitore. Futbollistët janë thuajse të një mendimi në lidhje me vlerësimin që bëjnë ndaj rivalit, duke e vlerësuar si një ekip të fortë, por aspak të pathyeshëm. Jo vetëm veteranët e skuadrës, por edhe futbollistët e rinj besojnë se do ta nisin sezonin me “këmbën e mbarë”, duke arritur fitoren përballë Teutës. I vetmi “shqetësim” mund të konsiderohet fakti që Shkumbini do ta zhvillojë ndeshjen pa praninë e tifozerisë peqinase, për shkak të dënimit që ka marrë që nga sezoni i fundit. Megjithatë, të gjithë janë të bindur për fitore.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top