Lundraxhiu: Të rinjtë, e ardhmja e Shkumbinit

Lundraxhiu: Të rinjtë, e ardhmja e Shkumbinit

No Comments on Lundraxhiu: Të rinjtë, e ardhmja e Shkumbinit

Trajneri i ekipit të të rinjve peqinas, Xhaferr Lundraxhiu, në një bisedë për “Panorama Sport” është shprehur se ka mbetur i kënaqur nga paraqitja që kanë bërë futbollistët vendës në sezonin që lamë pas. Tekniku ka pohuar se të rinjtë do të përbëjnë bazën e Shkumbinit dhe në të ardhmen, ndaj dhe e cilëson si mjaft pozitive afrimin e tyre me skuadrën e parë nga trajneri Mile. “Në radhë të parë, më duhet të them se ky sezon ka qenë vërtet i veçantë për skuadrën e qytetit tonë. Kjo pasi në përbërje të ekipit dominonte elementi vendës, dhe për këtë më duhet të përgëzoj kolegun tim, Mile, i cili ka ditur të alternojë mjaft mirë futbollistët e rinj, me ata me eksperiencë. Sigurisht që edhe unë ndiej kënaqësi të dyfishtë, teksa shoh lojtarë të cilët kanë dalë nga akademia vendëse dhe që kanë mundësinë të shprehin vlerat e tyre në Superiore. Natyrisht që emocionet tek ta kanë qenë evidente, mirëpo nga ndeshja në ndeshje niveli i tyre ka ardhur në rritje dhe ata kanë fituar një farë besimi në vetvete. Nuk është nevoja të përmend emra të veçantë, pasi për mendimin tim të gjithë e meritojnë që të afrohen në ekipin e parë. Mirëpo ata asnjëherë të mos harrojnë se kur u jepet shansi duhet ta shfrytëzojnë në maksimum, e nga ana tjetër, edhe të justifikojnë besimin që u jep klubi. Sinqerisht besoj se nëse vazhdojnë të punojnë me disiplinë të lartë, jo vetëm që do të ecin përpara, por edhe Shkumbini do të ketë një të ardhme të sigurt në Superiore”.

S’dihet e ardhmja
Shkumbini ka marrë pushimet dhe të gjithë futbollistët janë duke shijuar ditë të qeta pranë familjeve të tyre. Drejtuesit e klubit ende nuk kanë një datë të qartë se kur do të nisë puna për sezonin e ri, pavarësisht se duket ende herët për të folur për këtë temë. Ajo që dihet me siguri është fakti që trajneri Mile është shprehur se dëshiron të vazhdojë të jetë në krye të pankinës së Shkumbinit.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top