Friday, September 10th, 2010

Lushnja merr një fond shtesë prej 4 milionësh

Published on July 29, 2010 by stilltoni   ·   No Comments

Në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, pas shumë debatesh, është miratuar ky fond për futbollin

Një tjetër fond shtesë, që i nevojitej aq shumë futbollit, është miratuar dje nga ana e këshillit bashkiak të Lushnjës. Mbledhja e radhës ka shqyrtuar një relacion të dërguar nga drejtoria e arsimit, kulturës dhe sporteve, pikërisht nga drejtori i saj, Ardian Prifti, ku i kërkohej këshillit bashkiak të qytetit që të miratonte një rishpërndarje të fondeve për sportin dhe futbollit.

Në fakt, nga ana e drejtorisë është kërkuar të ndryshohet buxheti, pasi ishte miratuar një fond për 12 muaj honorare prej 5.800 lekësh për çdo futbollist, nga 12.000 që kërkohet sot nga drejtoria, për shkak se kishte mungesë fondesh. Justifikimi ka qenë se, me të ardhurat e miratuara prej 5.800 lekësh në muaj, nuk mund të sigurohet e ardhmja e klubit lushnjar.

Pas debateve të shumta në mbledhje nga ana e këshilltarëve, është miratuar nga këshilli shuma prej 4 milionë lekësh në favor të klubit të futbollit. Sipas
projekt-vendimit, paratë do të merren 50%, pra 2 milionë lekë nga fondi i shpenzimeve operative të bashkisë, kurse pjesa tjetër nga fondi i pagave të klubit. Por, për të arritur deri në miratimin e këtij fondi shtesë, pati mjaft debate teknike nga ana e ekonomistëve për realizimin e të ardhurave të njësisë vendore.

Të gjithë këshilltarët ishin dakord që të financohet futbolli, si i vetmi aktivitet masiv në qytetin e Lushnjës, por kërkohet edhe ndershmëri e transparencë në kuadër të përmirësimit të performancës së skuadrës verdhëjeshile. Aktualisht kjo skuadër numëron shumë futbollistë që stërviten me të dhe ende nuk ka një strukturë. Vetëm pak prej futbollistëve që përfunduan sezonin e kaluar kanë ndër mend të qëndrojnë në “Roza Haxhiu”, por edhe këta pak nuk janë të sigurt.

Në rast të një oferte nga klube të tjera, edhe ata mund ta braktisin Lushnjën, që për pak sa nuk arriti superligën para dy muajsh. Pjesa dërrmuese e 42 futbollistëve që stërviten aktualisht në terrenet sportive të Lushnjës, janë të rinj pa përvojë. Të gjithë futbollistët janë në provë dhe nuk ka të konfirmuar, edhe pse ka bisedime të tyre me drejtuesit e skuadrës për të qenë pjesë e saj për sezonin e ri.

Lushnja merr një fond shtesë prej 4 milionësh


Tags:

Readers Comments (0)




Te ngjashme